Transmetuar më 17-10-2026, 15:33

Protesta zhvendoset te Kryeministria, përplasje të forta mes të rinjve dhe Policisë, përdoren gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse

Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, protesta studentore është zhvendosur drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së Kryeministrisë, ku situata është tensionuar ndjeshëm.

Pamjet që shohim në bulevard janë të rënda dhe policia duket se ka dalë jashtë kontrollit me dhunën e saj.

Forcat e Policisë kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse për të sprapsur protestuesit, ndërsa nga ana e demonstruesve janë hedhur gurë dhe sende të forta në drejtim të kordonit policor. Reuters raporton se mijëra të rinj kanë marrë pjesë në protestat e sotme dhe se përplasjet me Policinë janë intensifikuar.

Pjesëmarrës në protestë kanë pretenduar gjithashtu se ndaj tyre janë përdorur plumba gome. Raportime mediatike nga vendngjarja kanë publikuar dëshmi të protestuesve që thonë se janë qëlluar me mjete të tilla, por përdorimi i plumbave të gomës nuk është konfirmuar zyrtarisht edhe pas një kërkese të noa.al ndaj policisë së shtetit.

Pamjet nga protesta tregojnë një prani të madhe të forcave të rendit dhe përdorimin e mjeteve për shpërndarjen e turmës. Edhe në ditët e mëparshme Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujëhedhëse në përplasjet me protestuesit në Tiranë.

Protestuesit, mes tyre studentë dhe të rinj, kanë vijuar të qëndrojnë në bulevard edhe pas ndërhyrjes së Policisë, ndërsa tubimi ka hyrë në ditën e pestë. Pjesëmarrja këtë të shtunë raportohet e lartë, me turma të mëdha në zonën qendrore të kryeqytetit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit