Magazinë
Transmetuar më 24-03-2025, 11:20

Beppe Marotta, president i Interit, ka diskutuar për kombëtaren italiane dhe sfidat që po kalon ajo. Ai ka thënë se kombëtarja axurre ka një grup të ri lojtarësh dhe me pak përvojë, por me cilësi. Marotta shtoi se puna e Spallettit do të vlerësohet nga qershori e tutje, kur do të përballet me një test të rëndësishëm për futbollin italian, i cili do të jetë sprovë reale për këtë gjeneratë që po rritet nga ndeshja në ndeshje.

Për sfidën e titullit në Serie A, presidenti zikaltër nënvizoi se tri skuadra kryesore janë pretendente për ta ngritur trofeun në fund, në një kampionat të ngushtë, që nuk është parë prej vitesh, duke e cilësuar këtë si diçka pozitive për futbollin italian. Ai shtoi se kampionati italian është shumë i hapur.

Për skuadrën e dytë (U-23), Marotta tha se gjithmonë ka qenë mbështetës i saj, qysh kur punonte te Juventusi, teksa beson se kjo është një mundësi e rëndësishme për t’i futur të rinjtë në ekipin e parë. Ai po ashtu përmendi se Interi do të paraqesë kërkesën për të marrë pjesë në kampionatin e ‘Lega Pro’ sezonin e ardhshëm me U-23.

Në lidhje me kalendarin e ngarkuar të futbollit, Marotta shpjegoi se kur kampionati ishte me 16 skuadra, kalendari ishtë më relaksues, edhe për shkak të më pak angazhimeve ndërkombëtare. Tashmë është me 20 skuadra, gjë që e rrit ndjeshëm numrin e ndeshjeve. Propozimi i tij është që Serie A duhet të përbëhet nga 18 skuadra. Për Marotta, angazhimet mes kombëtareve dhe klubeve janë një problem i madh, teksa shpenzimi i energjive psikofizike është shumë më i madh krahasuar me vitet ’80 dhe ’90, çka shkakton lodhje dhe shpesh lëndime.

Marotta reagoi gjithashtu ndaj komenteve të Inzaghit që tha se bëhen shumë pak lavdërime për Interin. Ai e përkufizoi si reagim të një profesionisti dhe se presioni është pjesë e lojës për klubet e mëdha si Inter. Presidenti zikaltët shtoi se klubi i tij duhet të jetë ambicioz dhe ta pranojë këtë presion, duke qenë vigjilentë në momentin e duhur, në garat përkatëse.

Për vështirësitë e kombëtares, Marotta theksoi se skuadrat si Gjermania dhe Belgjika kanë një bazë më të fortë rekrutimi, ndaj duhet durim për ciklin e ri të axurrëve. Ai beson se Spalletti po bën një punë të shkëlqyer dhe se do t’i duhet kohë për të arritur rezultate.

Sa i përket rinovimit të kontratës me Inzaghin, Marotta tha se janë shumë të kënaqur me të, ndaj beson se rinovimi është një formalitet: “Simone ka punuar shumë mirë këto vite, është një trajner ndër më të mirët në botë, gjithashtu duke pasur avantazhin se ka qenë një lojtar i shkëlqyer. Pas pushimeve do të takohemi për ta rinovuar kontratën”.

Në lidhje me interesimin për Isaksen, ai shpjegoi se Interi ka sulmin më produktiv dhe se loja e Inzaghit është e përshtatshme për një skuadër me fokus ofensiv. Marotta pranoi se Isaksen është një sulmues i mirë, por çdo ditë media i lidh Interin me interesimin për këtë apo atë lojtar. Megjithatë, Marotta siguroi se Interi ka Lautaro-Thuram, çiftin më të mirë sulmues në Itali dhe me nivel të lartë në Europë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit