Magazinë
Transmetuar më 24-03-2025, 10:49

Gjatë ndeshjes mes Rumanisë dhe Bosnjës, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit, Edin Dzeko pësoi një dëmtim të rëndë, pasi mori goditje të fortë në fytyrë nga Popescu, rreth minutës së 34-t. Goditja e pavullnetshme me këmbën e djathtë në fytyrë e la sulmuesin e Fenerbahçes me fytyrën e përgjakur dhe e detyroi të largohej nga fusha në fund të pjesës së parë.

Pas ndeshjes, Dzeko postoi një foto në rrjetet sociale ku tregonte pasojat e dëmtimit: hunda e thyer, sy të nxirë dhe qepje mbi vetullën e majtë. Në foto ai shfaqej gjithashtu me dorën e fashuar, një dëmtim i mëparshëm i pësuar me Fenerbahçen. Në mbishkrimin e postimit, ai nënvizoi: " Gjithçka ose asgjë", duke e shoqëruar tekstin me “emoji” të muskujve.

Në mesazhet e shumta të tifozëve që i uronin shërim të shpejtë, spikatën edhe komentet ironike të Mario Balotellit dhe Radja Nainggolanit, ish-shokët e tij të skuadrës. Balotelli, me të cilin Dzeko ka luajtur te Manchester City (2010-2013), shkroi me humor: "Të shkon kështu”, duke shtuar “emoji” me të qeshura dhe zemra.

Edhe Nainggolan, ish-shok skuadre te Roma, nuk nguroi ta ngacmonte: "Dukesh për mrekulli”. Pavarësisht ironisë, Dzeko mbetet një luftëtar i vërtetë dhe pritet të rikuperohet sa më shpejt për t’u rikthyer në fushë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit