Magazinë
Transmetuar më 21-03-2025, 10:34

Sonte, prej orës 20:45, në “Wembley”, kombëtarja jonë kuqezi nis fushatën kualifikuese të Botërorit 2026. Përballë do të kemi Anglinë e frikshme, ndaj së cilës nuk kemi fituar kurrë (kemi 6 humbje në 6 ndeshje) dhe kemi shënuar vetëm një gol. Grupi ynë kualifikues përbëhet edhe nga Andorra, Serbia dhe Letonia.

Pra, misioni për t’u kualifikuar në kompeticionin madhor global të kombëtareve, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, është mjaft i vështirë. Megjithatë, dorëzimi pa kushte nuk është opsion, përkundrazi. Pikërisht këtë lloj “kushtrimi” ka dashur të japë sot, disa orë para ndeshjes me “Tre Luanët”, edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka:

“Nisim sot një tjetër sfidë, me besimin se mund të realizojmë një ëndërr! Përballë kemi kundërshtarë të vështirë, duke nisur nga Anglia me të cilën ndeshemi sot në “Wembley”. Gjithsesi kjo nuk duhet të na zbrapsë, por të na motivojë, të na bëjë bashkë, të përpiqemi dhe të vazhdojmë të jemi frymëzues për shqiptarët kudo që jetojnë.

Kombëtarja jonë ka gjithashtu lojtarë të mirë, Kombëtarja jonë ka cilësi, Kombëtarja jonë ka zemër, shpirt dhe do të japë maksimumin në fushën e lojës. Në fund mund të bëjmë atë që nuk e kemi bërë asnjëherë, të shkojmë në një Kampionat Botëror. Me besim, këmbëngulje, duke qenë një trup i vetëm, lojtarë, staf e tifozë, gjithçka është e mundur!”

Formacioni i mundshëm kuqezi

Ndërkohë, trajneri Sylvinho duket se ka ende dilema lidhur me 11-shen që do të hedhë në fushë nga fillimi i lojës, sonte në “Wembley”. Duke qenë se ka probleme mungesash dhe lëndimesh, duhet ta rikompozojë formacionin e vet tip.

Nuk do të ndryshojë skemë, duke i qëndruar 4-3-3, por në emra do të ketë risi të detyrueshme. Kështu, në të majtë të mbrojtjes do të luajë Aliji, në mungesë të Mitajt, ndërsa ka njëlloj balotazhi mes Ajetit dhe Kumbullës në qenër të prapavijës, përkrah kapitenit Gjimshiti.

Kjo për shkak se nuk ia ka dalë dot të rikuperohet Ismajli, "padron" i këtij roli zakonisht. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për majën e sulmit kuqezi. Uzuni duket disi më i avantazhuar se Manaj, duke qenë se ky i fundit pësoi një goditje të fortë në kokë dhe përfundoi në spital me klubin e tij turk, së fundi. Nga ana e tij, Broja nuk është në formën optimale, ndaj nuk mund të startojë.

Mund të jetë një imazh i 3 persona, njerëz që luajnë futboll, persona që luajnë futboll dhe teksti që thotë "MATCHDAY ENGLAND B FIFA Wembley 20:45 FSHF"

Statistika dhe kuriozitete para ndeshjes

Anglia i ka fituar të gjashtë përballjet e mëparshme mes këtyre dy ekipeve, përfshirë dy fitore me rezultatin 5-0, në prill 1989 dhe nëntor 2021.

Shqipëria ka shënuar vetëm një gol kundër Anglisë në histori (Altin Rrakli më 2001).

Shqipëria nuk ka fituar kurrë një ndeshje zyrtare kundër një ekipi të renditur në top-10 e FIFA-s (2 barazime, 17 humbje), por ka një fitore në miqësore kundër Francës (1-0, në qershor 2015, me golin e Ergys Kaçe).

Anglia është e pamposhtur në 31 ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës (23 fitore, 8 barazime), seria më e gjatë aktive në Europë.

10 trajnerët e fundit të Anglisë i kanë fituar ndeshjet e tyre të para (debutuese) në drejtim të “Tre Luanëve”. I fundit që e humbi ndeshjen e parë ishte Alf Ramsey më 1963 (kundër Francës).

Jude Bellingham është gati të thyejë rekordin e Wayne Rooney për më shumë paraqitje me Anglinë, para se të mbushë 22 vjeç (të dy janë aktualisht me nga 40 ndeshje).

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit