Magazinë
Transmetuar më 28-03-2025, 08:52

Data e ndeshjes mes Barcelonës dhe Osasunës ka qenë një çështje polemike që nga momenti kur u përcaktua. Asnjëri nga klubet nuk ishte dakord, por vendimi mbeti i pandryshuar. Pas përfundimit të ndeshjes, Jules Koundé nuk e përmbajti veten.

Ai u shpreh qartë dhe drejtpërdrejt, duke mos mbrojtur vetëm Barcelonën, por të gjithë lojtarët në përgjithësi. Francezi e konsideroi mungesë respekti detyrimin për të luajtur pa kohën e duhur për rikuperim, duke kujtuar se futbollistët nuk janë makina.

Koundé u shfaq shumë i irrituar me vendimin për ta zhvilluar këtë ndeshje të enjten në mbrëmje, për më tepër duke pasur parasysh ngarkesën e madhe të sfidave gjatë sezonit: "Jam i zemëruar për datën e ndeshjes, nuk është normale. E kemi diskutuar disa herë çështjen e kalendarit, luajmë shumë ndeshje. E di që ka njerëz që nuk e kuptojnë këtë. E konsideroj veten me fat që jetoj nga pasioni im, por është mungesë respekti jo vetëm ndaj klubit".

Mbrojtësi anësor luajti të dielën me kombëtaren e Francës, një ndeshje që shkoi deri në kohën shtesë dhe u vendos me penallti, duke e bërë edhe më të lodhshme situatën për të dhe shumë lojtarë të tjerë në të njëjtën pozitë:

“Është mungesë respekti ndaj klubit tonë, që e caktuan këtë ndeshje në këtë datë. Nuk ka rëndësi cili klub është, edhe Osasuna kishte lojtarë ndërkombëtarë si Budimir, që nuk pati kohën e duhur për të pushuar. Nuk ka rëndësi nëse është Barça, Osasuna apo edhe Real Madridi kur i ndodh e njëjta gjë.

Përtej mungesës së respektit ndaj klubeve, është mungesë respekti ndaj lojtarëve. Duhet të kuptohet që ne nuk jemi makina. Për të prodhuar lojën që bëjmë dhe për t’u dhënë tifozëve atë që duan, një ndeshje me intensitet të lartë, na duhet edhe pushim.

Organet përkatëse, jo vetëm La Liga, duhet ta kuptojnë këtë. Nuk mund t’i vendosin datat si t’ju vijë… E kuptoni çfarë dua të them. Nuk duam të kërkojmë justifikime, nuk është ajo që bëjmë, por vjen një moment kur duhet të dëgjohet edhe zëri ynë, sepse jemi aktorët kryesorë dhe nuk mund të bëjnë çfarë të duan me ne".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit