Transmetuar më 28-03-2025, 08:16

Romë- Qeveria italiane ka vendosur të përdorë qendrën e Gjadrit në Shqipëri për ndalimin administrativ të emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit.

Ky është parimi mbi të cilin bazohet vendimi i ri i qeverisë Meloni për të përdorur menjëherë qendrat e pritjes në Shqipëri, të cilat prej muajsh kanë mbetur bosh. Qeveria italiane ka miratuar gjithashtu një masë për kufizimin e dhënies së shtetësisë përmes "ius sanguinis" (e drejta e gjakut), e cila tani do të zbatohet vetëm për dy breza. Po ashtu, është miratuar edhe një mbrojtje ligjore për forcat e rendit të përfshira në hetime për përdorimin e armëve në detyrë. Nuk bëhet fjalë për një imunitet penal, siç ishte propozuar më parë, por për një procedurë të shpejtë arkivimi të rasteve dhe mbulimin e shpenzimeve ligjore nga shteti, pa pezullim nga detyra apo pasoja në karrierë. Kjo ishte një kërkesë e e sindikatave të policisë.

Dekreti është i nevojshëm për të modifikuar ligjin e miratimit të protokollit Itali-Shqipëri, për të cilin qeveria italiane nuk e sheh të nevojshme një rishikim.

Sipas ministrit të Brendshëm, Matteo Piantedosi, bëhet fjalë vetëm për "riaktivizimin e një funksioni ekzistues të qendrës, atë të qendrës së kthimit". Ai shtoi se, brenda pak javësh apo muajsh, pritet një vendim nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, që qeveria italiane beson se do të jetë në jetë në përputhje me qëndrimin e saj.

Pra, qeveria italiane nuk po ndryshon destinacionin e qendrës, por synon ta përdorë edhe për ndalimin e emigrantëve të paligjshëm në pritje të dëbimit. Fillimisht, kjo qendër ishte menduar për mbajtjen deri në 28 ditë të azilkërkuesve të shpëtuar në det nga anijet ushtarake italiane, të ardhur nga vendet e konsideruara të sigurta, për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara të kufirit. Tani, emigrantët e ndaluar në Gjader mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre. Megjithatë, pa marrëveshje të reja me qeverinë shqiptare, kthimi i tyre duhet të ndodhë sërish nga territori Italian, shkruan ‘La Repubblica”

Kjo do të thotë se emigrantët e paligjshëm të ndaluar në CPR e Ponte Galeria ( qendra e ndalimit të emigrantëve pranë Romës ) do të transferohen në Shqipëri në pritje të dëbimit, por më pas duhet të kthehen në Itali për kthimin e tyre përfundimtar.

Duke marrë parasysh se mesatarisht vetëm 50% e emigrantëve të ndaluar në qendrat e pritjes arrijnë të kthehen realisht në vendet e tyre, pritet një rritje e kostove për shkak të transportit të vazhdueshëm midis Italisë dhe Shqipërisë, pasi çdo emigrant i ndaluar duhet të shoqërohet nga dy policë.

Përveç këtyre sfidave praktike dhe financiare, operacioni ngre edhe dyshime ligjore. Rregullorja e re evropiane do të parashikojë qendra pritjeje në vende të treta, por jo më herët se viti 2027. Për momentin, nuk ekziston asnjë bazë ligjore që lejon transferimin e emigrantëve në një vend që nuk është as ai i origjinës dhe as vend tranziti dhe "La Repubblica" shkruan se për këtë po shfrytëzohet një boshllëk ligjor si në Kodin Italian të Emigracionit ashtu edhe në direktivën aktuale të BE për kthimet. /La Repubblica/

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit