Magazinë
Transmetuar më 21-03-2025, 08:40

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, analizoi në konferencën për shtyp fitoren 2-1 kundër Italisë në “San Siro”.

Si ju duk ndeshja?

Nuk e nisëm mirë, krijuam pak raste, pavarësisht zotërimit të topit dhe përfunduam në disavantazh. Pas golit të pësuar, u përpoqëm ta përmbysnim rezultatin dhe arritëm ta tregonim forcën e duhur për ta bërë këtë. Italia mbrohej ndryshe nga ndeshjet e tjera të ‘Nations League’, por ne u përshtatëm mirë. Kleindienst hyri dhe shënoi, Goretzka luajti shumë mirë. Pas gjithçkaje që ka kaluar, bëri një paraqitje të shkëlqyer. Është një lojtar i shkëlqyer, tani sërish në dispozicionin tonë. Jam shumë i lumtur për atë që tregoi sonte.

A keni folur personalisht me Goretzka para se ta ftonit?

Nuk ishte një bisedë e vështirë, Leon është inteligjent dhe person i mirë. Kur zgjedh ta ftoj një lojtar, e bëj për arsye sportive. Ne si staf teknik vlerësuam disa situata, por kurrë nuk kam thënë se ka një karakter të keq. I shtrënguam duart, gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie të mirë dhe gjithmonë kam menduar se është një person i mirë. Nuk është e lehtë t’i thuash një lojtari se nuk do të jetë në Europian, por jam i lumtur që është rikthyer me ne.

Cilat janë shanset për kalimin e raundit?

Do të thoja ende 50-50, kemi luajtur vetëm një ndeshje. Megjithëse, nëse shohim statistikat, kemi një gol më shumë dhe kjo na jep më shumë mundësi për të kaluar. Në Dortmund duhet të hyjmë në fushë duke menduar se sot kemi barazuar 0-0.

Një koment për Baumann?

Nuk është një surprizë, e di që është një portier i madh dhe shumë i qetë. Bëri pritje të mëdha, sidomos ndaj Raspadorit, na jep shumë siguri në goditjet nga këndi. Është gjithmonë i përqendruar dhe luajti shumë mirë.

Kimmich luajti shkëlqyeshëm…

Joshua gjithmonë jep gjithçka, ka përvojë të madhe. Më impresionon mënyra si luan, është e rrallë të gjesh një lojtar si ai në Europë. Është shumë preciz në krosime dhe në topat e ndalur, gjë që i ndihmon shumë shokët e skuadrës për të shënuar. Na ndihmoi shumë për të fituar sot.

A ishte fizikaliteti, vendimtar për fitoren?

Kur kundërshtari mbron një kundër një, është e rëndësishme të kesh pak më shumë centimetra. Diferenca mes dy pjesëve ishte se Rudiger u shfaq edhe më i fortë në goditjet nga këndi, bëri dy ndërhyrje vendimtare. Ai dhe Tah e plotësojnë njëri-tjetrin, pasi kanë cilësi të ndryshme, kjo është shumë e rëndësishme.

Amiri dhe Burkardt surprizuan…

Për mua nuk ishin surprizë. E vlerësoj shumë punën e të gjithë lojtarëve të mi. Amiri bëri mirë. Në 30 minutat e para nuk e gjeti gjithmonë pozicionin e duhur, por më pas u paraqit mirë. Burkardt nuk gjeti hapësirat, pati një ndeshje të vështirë, por krijoi dy raste të mira. Nëse gjyqtari nuk do të kishte akorduar dy faulle, që sipas meje nuk ishin të tilla, mund të kishte shënuar. Mendoj për përplasjen me Donnarummën dhe dy mbrojtësit, për shembull. Edhe pse nuk bëri një super ndeshje, ai ishte i pranishëm.

Pse titullarë Raum dhe Groß?

Raum dhe Mittelstädt janë në një nivel të ngjashëm, por vendosa për Raum sepse është më emocional. Nuk ishte një zgjedhje teknike apo taktike. Sa i përket Groß, doja më shumë dinamizëm. Kisha nevojë për një mesfushor më mbrojtës krahas Goretzka, prandaj ai luajti në vend të Stiller.

Çfarë ju shqetëson më shumë nga Italia për ndeshjen e kthimit?

Rezultati është i rrezikshëm, kemi vetëm një gol avantazh. Kemi disa ide për ndeshjen e kthimit dhe do t’i diskutojmë me lojtarët që nga e diela. Nuk jam i shqetësuar, por do të jetë një ndeshje interesante. Nuk është e zakonshme të kesh dy përballje të tilla në një periudhë kaq të shkurtër. Si unë, ashtu edhe Spalletti do të përpiqemi t’i rregullojmë gjërat që nuk funksionuan.

Gjermania nuk fitonte në Itali që nga viti 1986. A jeni krenar?

Nuk e dija, por natyrisht ishte e rëndësishme ta fitonim këtë ndeshje, jo për historinë, por për objektivin tonë. Tifozët do të jenë të lumtur, por ne duam t’i bëjmë edhe më të lumtur duke fituar në kthim dhe kualifikuar më tej.

Çfarë mund të mësojnë të rinjtë nga Goretzka?

Që nuk duhet të dorëzohesh kurrë në jetë. Edhe këto përvoja janë pjesë e rrugëtimit të një lojtari dhe të një njeriu.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit