Magazinë
Transmetuar më 21-03-2025, 08:26

Kapiteni i ekipit tonë kombëtar, Berat Gjimshiti rikthehet pas një mungese në "Nations League". Ai shprehet se e ka gjetur kombëtaren me një atmosferë mjaft pozitive. Mbrojtësi i Atalantës nënvizoi në konferencën për media se Shqipëria do të provojë gjithçka ndaj Anglisë, ndërsa vlerësoi me nota të larta kundërshtarin.

Si e gjetët atmosferën në skuadër, pas rikthimit?

Gjeta një atmosferë shumë të mirë. Një frymë të re, ka disa lojtarë të rinj, janë talente, përmirësojnë ekipin. Në stërvitje kam parë se çdokush jep maksimumin në fushë, që të arrijë një qëllim që nuk ka ndodhur kurrë. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme.

A mund të arrihet kualifikimi në Botëror?

Thonë që ëndrrat nuk janë të mundura, por besoj që disa ëndrra edhe realizohen. Pra, pse jo…. Nuk besoj që më herët njerëzit mendonin se Shqipëria do të kualifikohej dy herë në Europian. Ne jemi një ekip më i vogël se Anglia, por kemi një qëllim. Duhet të provojmë, sepse mundësitë i kemi, të japim gjithçka dhe në fund shikohet rezultati. Duhet të japim gjithçka në fushë dhe pastaj, nëse e arrijmë, është sukses i madh.

Sa e vlerësoni ndeshjen, duke pasur parasysh kundërshtarin?

Forca e Anglisë dihet, nuk dua të flas për lojtarët individualisht. Ne jemi përgatitur mirë, trajneri na ka thënë se çfarë duhet të bëjmë në fushë, do të jemi të përgatitur të japim gjithçka. Më e rëndësishme është që ekipi të bëjë atë që di në fushë. Kemi pasur pak ditë në dispozicion për t’u përgatitur, por jemi përgatitur shumë mirë.

A do t’ia dilni ta bllokoni Harry Kane?

Individualisht nuk besoj se duhet të flasim për lojtarët e Anglisë. Ekipi ka një punë të vështirë sot, jo vetëm Gjimshiti apo kush do të luajë. Si ekip duhet ta ndalim sulmin e Anglisë. Nuk do jenë duele individuale, por duel skuadrash. Nëse i përballojmë mirë, do ta kenë të vështirë.

Sa mendon se do ta përballojë Shqipëria sfidën, duke marrë parasysh që Anglia hyn si favorite?

Besoj se Anglia jo vetëm kundër nesh, por edhe ndaj ekipeve të tjera hyn favorite në fushë për të fituar. Nuk besoj se Anglia do të na nënvlerësojë, sepse edhe ata e dinë që kemi bërë disa gjëra të mira si kombëtare. Futbollit nuk i dihet, besoj se nuk do të na nënvlerësojnë.

Çfarë keni mësuar nga Europiani dhe që do ta aplikoni në ndeshjen e sotme?

Besoj se kemi bërë një Europian të mirë, edhe pse nuk kaluam më tej. Kishim kundërshtarë shumë të fortë, të nivelit botëror, si Anglia sot. Duhet të kemi përqendrim 100% gjatë gjithë ndeshjes. Në Europian pësuam gola shpejt, ndaj Italisë dhe Kroacisë, për shkak të mungesës së përqëndrimit 100% në fushë.

Sa i keni shanset për ta kaluar grupin?

Është herët për të folur për shanset. Ndoshta pas katër ndeshjesh mund të përcaktohet më mirë. Sidoqoftë, ne nuk do të hyjmë në fushë pa një qëllim. Do të japim gjithçka në fushë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit