Magazinë
Transmetuar më 16-02-2025, 20:52

Paris, 16 shkurt 2025 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka dërguar një letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në letër, Macron ka rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës, duke siguruar se Franca do të mbetet një nga aleatët më të përkushtuar të vendit.

Macron ka theksuar rëndësinë e perspektivës evropiane të Kosovës dhe ka kërkuar që të vazhdojë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke u fokusuar në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit. Ai ka shpresuar gjithashtu që dy vendet, të lidhura me vlerat e Olimpizmit, do të mund të bashkëpunojnë për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 në Kosovë, duke siguruar mbështetje për këtë ngjarje të rëndësishme.

Përveç kësaj, Presidenti Macron ka falënderuar presidenten Osmani për pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame në Paris.

Letra e plotë e Presidentit Macron:

Zonja Presidente, e dashur Vjosa,

Me rastin e festës kombëtare të Republikës së Kosovës, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia dhe t’ju ritheksoj gjithë përkushtimin që Franca ka për pavarësinë e Kosovës.

Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë.

Në këtë drejtim, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është një hap thelbësor. Emërimi i një Përfaqësuesi të ri special të Bashkimit Evropian duhet të jetë një mundësi për të bërë përparim në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit-Ohrit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Shpresoj gjithashtu që dy vendet tona, të lidhura me vlerat e Olimpizmit, të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë. Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë.

Së fundi, dëshiroj t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në ceremoninë e rihapjes së Notre-Dame de Paris, për të cilën ju jam mirënjohës.

Ju lutem pranoni, zonja Presidente, konsideratën time më të lartë.

Përzemërsisht,

Emmanuel MACRON

Ky mesazh i Presidentit Macron vjen si një tjetër shenjë e mbështetjes së vazhdueshme të Francës për integrimin evropian të Kosovës dhe normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit