

TURQI- Platforma X ka pezulluar dhjetëra llogari që i përkasin figurave dhe mbështetësve të opozitës turke, ndërsa protestat vazhdojnë për arrestimin e Ekrem Imamoglu. Sipas vëzhguesve, shumë prej llogarive që janë pezulluar kanë të bëjnë me qarqet universitare dhe studentë që organizuan apo morën pjesë në protesta.
"Shumica e këtyre llogarive u përkisnin aktivistëve që ndanin informacione rreth protestave dhe pikave të takimit," tha analisti Yusuf Jan i Qendrës Wilson.
Disa përdorues zbuluan se llogaritë e tyre ishin bllokuar vetëm brenda Turqisë. Aktivisti Omer Faruk Aslan tha se ai u detyrua të krijonte një llogari të dytë pasi i pari u bllokua me urdhër të gjykatës, sepse disa nga postimet e tij tejkalonin gjashtë milionë shikime.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya njoftoi se u identifikuan 326 llogari të mediave sociale që "ngjallnin urrejtje", 72 prej të cilave ndodheshin jashtë vendit. Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve të sigurisë kibernetike dhe policisë çoi në arrestimin e 54 të dyshuarve.
Të shtunën, autoritetet njoftuan arrestimin e 343 personave gjatë një nate protestash. Arrestimet u kryen në shumë qytete, duke përfshirë Stambollin, Ankaranë, Izmirin, Adananë, Antalia dhe Konia.
Kjo nuk është hera e parë që X ka kufizuar hyrjen në Turqi. Në vitin 2023, gjatë periudhës zgjedhore, platforma vendosi kufizime në përmbajtje në mënyrë që "Twitter të mbetet i aksesueshëm për qytetarët turq", siç ishte njoftuar në atë kohë nga llogaria ndërkombëtare e kompanisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd