

Ndryshime të shumta kanë ndodhur në bashkinë e kryeqytetit në 48 orët e fundit.
Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani ka shkarkuar nënkryetaren Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi.
Në vend të Alban Dokushit, me urdhër të kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë, Anuela Ristanit, është komanduar si Sekretare e Përgjithshme Jonida Halili.
Kjo e fundit mbante detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.
Ndërkohë, ka pasur edhe një lëvizje në Bashkinë e Tiranës.
Berta Piro është emëruar Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme Juridike të Aseteve dhe Licensimit, ndërsa më parë kishte detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme së Menaxhimit
Kujtojmë se nga qelia, Erion Veliaj firmosi urdhrin që mban datën 18 mars për t’i deleguar kompetencat e drejtimit të bashkisë së Tiranës nënkryetares tjetër Sara Goxhaj. Kompetenca që vetë ai me një urdhër të datës 14 shkurt të firmosur po nga qelia ia kishte deleguar Anuela Ristanit. Por ky urdhër duket se nuk u mirëprit nga kryeministri Rama që mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar dhe një mbledhje me drejtuesit e Bashkisë së Tiranës ku mësohet se e ka shprehur mospëlqimin e tij për këtë urdhër të Veliajt, duke njohur Ristanin për drejtuesen në detyrë të këtij institucioni.
Gjithsesi Veliaj e ka zgjidhur këtë problematike, duke deklaruar dje pasdite se ka qenë e gjitha një keqkuptim mbi të cilin ai dhe ka firmosur urdhrin e tij të datës 18.
Ndërkohë në një konferencë, Anuela Ristani është shprehur se nuk ka asnjë krizë në Bashkinë e Tiranës.
“Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj. Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë – ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës”, u shpreh ajo.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd