Magazinë
Transmetuar më 09-02-2025, 19:40

PËRDITËSIM DIREKT |

17:44 Rezultatet e Zgjedhjeve në Kosovë: Vetëvendosje Fiton me 49 Mandate

Prishtinë, 10 Shkurt 2025 – Procesi zgjedhor në Kosovë është drejt përfundimit, me 97.71% të votave të numëruara. Sipas rezultateve të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese, duke siguruar 49 mandate në Kuvendin e Kosovës, me 40.94% të votave të qytetarëve.

Pas Vetëvendosjes, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 27 mandate me 22.11% të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 21 mandate, duke fituar 17.67% të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate (AAK – Nisma) kanë arritur të sigurojnë 9 mandate, ndërsa Srpska Lista, e cila përfaqëson komunitetin serb në Kosovë, ka marrë 5 mandate në Kuvend.

Ndërkohë, partitë më të vogla si Koalicioni për Familje, Partia Demokratike Turke e Kosovës, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Za Slobodu Pravdu i Opstanak kanë fituar përqindje më të ulëta të votave, por nuk kanë arritur të sigurojnë mandate të rëndësishme.

Ky rezultat tregon një fitore të qartë për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila tashmë duhet të nisë bisedimet për formimin e qeverisë së re. Në ditët në vijim pritet të ketë reagime nga partitë politike dhe një dinamikë të re në skenën politike të Kosovës.

(Lajmi do të përditësohet me rezultatet finale dhe reagimet e liderëve politikë.)

Pjesëmarrja

KQZ ka mbledhur të dhëna nga 92.1 për qind e votave siç shihni tabelën dhe pjesëmarrja rezulton 40.59 për qind.

Rezultatet

Aktualisht janë numëruar 97.71 për qind e vota e dhe rezultob se Vetëvendosje ka 40.94 për qind e ndjekur nga PDK me 22.11 për qind dhe LDK 17.67 për qind.

09:10  Bazuar në rezultatet më të fundit dhe metodën D’Hondt për ndarjen e mandateve, ja sa deputetë merr secila parti:

Lëvizja VETËVENDOSJE! – 44 mandate

PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK – 23 mandate

LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK – 19 mandate

AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS – NISMA – 8 mandate

SRPSKA LISTA – 4 mandate

Këto janë ulëset që ndahen nga 100 mandate për partitë shumicë. Mandatet e mbetura (20) janë të rezervuara për minoritetet.

07:30 Si ndahen mandatet në zgjedhjet e 9 shkurtit

Një projeksion i noa.al bazuar në të dhënat e fundit të KQZ sugjeron se Vetëvendosje e Albin Kurtit merr 44 mandate në parlamentin e ri me 120 deputetë.

Por nga totali 120 vetëm 100 janë për partitë shqiptare pasi 10 i takojnë pakicës serbe dhe 10 të gjitha pakicave të tjera.

Në këtë mënyrë, Kurti mund të qeverisë sërish pasi në qeveri duhet të ketë dhe forcat minoritare. Lista Serbe pritet të ketë 4 deputetë.

Projeksion i noa.al bazuar në të dhënat e KQZ

07:24: Albin Kurti: Qeveria Kurti 3 po vjen

Duke folur para mbështetësve, Albin Kurti siguroi se do vazhdojë të qeverisë vendin dhe nuk la pa thumbuar partitë opozitare kur tha: “edhe t’i bëjmë bashkë Pydykyhin dhe Lydykyhin nuk bëjnë sa Vetëvendosja jonë”.

06:05: Deri në orën 06:04 janë numëruar votat e 2.230 nga 2.533 gjithsej dhe rezulton me dominancë Albin Kurti

Sipas KQZ në 88.04 për qind të votave Vetëvendosje ka marrë 41.29 për qind.

10 Shkurt 2025

01:04 Me mbi 70 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind, sipas KQZ-së.

Në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.68%, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.90% dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 7.56%.

23:45 KQZ dështon me sistemin e publikimit të rezultateve, do të shpallen manualisht

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi tha sonte se faqja zyrtare e këtij institucioni nuk është duke funksionuar dhe si pasojë nuk do të mund të publikohen të dhënat preliminare nga zgjedhjet nacionale përmes platformës online.

Radoniqi, ka thënë se të dhënat do të publikohen në formë manuale.

“Për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike. Andaj KQZ kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve që kanë pritur me shumë të drejtë rezultat preliminare të votimeve nga dita e sotme”, ka thënë ai.

Ai ka siguruar që mos sigurimi i të dhënave në mënyrë elektronike nuk do të ketë ndikim në rezultatet.

“Në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të ë mbledh të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike, të cilat janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë ai.

“U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në ora 1, 3 apo 4 të mëngjesit. Do t’ju informojmë me kohë. Për këtë dështim të sistemit, do të kemi një analizë më vonë”, ka thënë ai.

23:41 Vetëvendosje shpall fitoren: Do do të krijohet Qeveria Kurti 3

Kryeministri Albin Kurti ka shpallur fitoren e Vetevendosjes në zgjedhjet parlamentare, duke theksuar se ky rezultat është pasojë e një qeverisjeje të mirë dhe të suksesshme. Kurti falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe siguroi se koalicioni i tij do të formojë Qeverinë e re "Kurti 3".

23:40 Albin Kurti: Fituam zgjedhjet, do të krijojmë Qeverinë e re

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij në koalicion me partnerët e saj, Partia Guxo dhe Alternativa, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe se do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.

“Zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Falënderoj votuesit e LVV-së dhe të koalicionit tonë fitues. Jemi të parët dhe ky është konfirmim për qeverisjen tonë të mirë dhe progresive. Koalicioni ynë fitues do ta formojë Qeverinë e re, pra Kurti 3”, tha Kurti në një konferencë për media në Prishtinë.

Kurti pohoi se partia e dytë dhe e tretë, edhe po t’i bëjnë bashkë votat, nuk bëjnë sa Vetëvendosje.

23:30 KQZ numëron 75 për qind të votave

Pas numërimit të afro 75 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.99 për qind të votave, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

22:20 KQZ: Votuan 40% e zgjedhësve, Vetëvendosje mori 40%

Nga numërimi i votave të zgjedhësve në Kosovë rezulton aktualisht se kanë marrë pjesë 40 për qind e zgjedhësve dhe 40 për qind e tyre kanë votuar për Vetëvendosjen.

22:19 DNV jep rezultatet jozyrtare

Demokracia në Veprim – rrjet i organizatave që monitoron zgjedhjet në Kosovë – bëri të ditur se pjesëmarrja në zgjedhje ishte 42.1 për qind, me margjinë gabimi prej 0.84%.

Votat me kusht dhe ato nga diaspora nuk janë përfshirë në këtë llogaritje.

Sipas DnV-së, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 40.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.44%.

Partia Demokratike e Kosovës ka siguruar 21.7 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.45%.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 17.5 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.97%.

Koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës ka siguruar 7.2 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.82%.

Koalicioni për Familje ka siguruar 2.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 0.21%.

Lista Serbe ka siguruar 5.4 për qind të votave, me margjinë gabimi 1.68%.

Subjekti serb, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka siguruar 0.6 për qind të votave.

"Votat jashtë vendit dhe ato me kusht mund të kenë ndikim deri në një shkallë prej 5% te subjektet politike", tha Eugen Cakolli nga DnV-ja.

22:00 Në 50 për qind të votave të numëruara prin Vetëvendosje me 37.14 për qind.

21:45 Bllokohet publikimi i rezultateve, KQZ: Kemi probleme me serverin, po i procesojmë rezultatet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në punë e sipër për nxjerrjen e rezultateve, por të dhënat nuk janë aktualisht publike pasi faqja zyrtare ka rënë.

21:34: KQZ: Në 23.65% e votave të numëruara, LVV 55.77%, PDK 25.39%, LDK 8.99%, AAK 5%

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me më shumë se 23% të votave të procesuara, Vetëvendosje ka siguruar mbi 55% të votave.

Me pak më shumë se 23 për qind të votave të procesuara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 55.77 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 25.39 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 8.99 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.00 për qind.

Por ka dyshime se këto të dhëna janë të pasakta pasi ka një bllokim të publikimit të të dhënave nga KQZ.

21:24 Në 5 për qind të votave të numëruara, prin Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 37.18%.

E dyta renditet PDK në 25.10 %.

E treta LDK me 17.28 % dhe AAK me 8.86%.

21:00 Numërohet 1% e kutive të votimit, Lëvizja Vetëvendosje në avantazh

Ka nisur zyrtarisht procesi i numërimit të votave në Kosovë dhe kanë dalë dhe përqindjet e para numërimit të rreth 1% të kutive të votimit.

Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 41.19%.

E dyta renditet PDK në 31,46 %, e treta LDK me 15,27 % dhe AAK me 4,72%.

20:20 KQZ: Pjesëmarrja në zgjedhje, 40%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve doli para pak çastesh në konferencë për media, me informacione rreth pjesëmarrjes në zgjedhje.

Të dhënat paraprake nxjerrin në pah se në zgjedhjet kanë marrë pjesë 40.04 për qind e votuesve.

Në zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë kanë votuar 40.04 për qind ose 789 mijë e 172 qytetarëve me të drejtë vote nga gjithsej 1 milion e 970 mijë e 944, njoftoi KQZ.

Duke e parë në përqindje ka pasur pjesëmarrje më të ulët të daljes në votime në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para katër vjetësh. Gjithashtu dalja është më e ulët se në vitin 2019.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 të drejtë vote kanë pasur 1 milion e 794 mijë e 862 qytetarë. Pjesëmarrja e qytetarëve në këtë proces zgjedhor ka qenë 48,78 % apo 903,379 votues. Ndërkaq, në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019 dalja në votim ishte 44.56 për qind apo 826,916 mijë qytetarë.

Në të dhënat e publikuara të orës 19:44 nuk përfshihen pjesëmarrja në vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.

19:30 – EXIT POLL-i i realizuar nga RTV Dukagjini dhe kompania UBO-Consulting, ka nxjerrë si parti të parë Lëvizjen Vetëvendosje, të dytën Partinë Demokratike të Kosovës dhe të tretën Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sipas këtij EXIT POLL-i e katërta është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ja të dhënat:

Lëvizja Vetëvendosje 40.3%

Partia Demokratike e Kosovës 21.4%

Lidhja Demokratike e Kosovës 19.3%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate 7.2%

Koalicioni për Familjen 1.8% dhe të tjerët 1.1%.

Nga këto rezultate LVV do të ketë 46 deputetë, PDK do të ketë 24 deputetë, LDK 22 deputetë, AAK 8 deputetë dhe 20 deputetë do të kenë minoritetet.

Gjatë ditës janë zhvilluar 15 mijë anketa me marzh gabimi më pak se një pikë të përqindjes në 140 qendra të votimit në mbarë Kosovën.

Exit-polli i Klan Kosovës gjithashtu e ka nxjerrë LVV-në të parën, por me rënie të madhe të votave nga zgjedhjet e 2021 – me 38.2%.

E dyta parashihet të jetë PDK-ja me 22.4%.

LDK e treta me 20.1%.

AAK me 7.6%, si e katërta në renditje.

Koalicioni për Familjen projektohet të shkojnë në 1.03%.

Çfarë duhet të dini

Sipas Listës Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda Kosovës është: 1,970,944 votues, të cilët janë të shpërndarë në 903 qendra votimi me gjithsej 2,533 vendvotime.

Përveç votimit të rregullt në këto qendra, KQZ ka caktuar dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime.

Numri i subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje është 28, prej të cilave 20 janë parti politike, 5 koalicione, 2 nisma qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.

Numri i kandidatëve për deputetë, të certifikuar nga KQZ dhe që u takojnë këtyre subjekteve politike është 1,279 kandidatë.

LIVE nga Euronews:

Çfarë duhet të dini deri tani:

Rezultatet e para zyrtare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë priten pas orës 21:00.

Mbyllja e vendvotimeve nisi në orën 19:00.

Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime ishte 1 milion e 970 mijë e 944 votues.

Për herë të parë votën e tyre u ftuan ta hedhin 125 mijë e 852 votues të rinj.

Votuesit vendosën për përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh qeverinë e re të Kosovës.

Në zgjedhjet e së dielës u votua edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ku më parë, disa herë janë bojkotuar zgjedhjet.

Kësaj radhe marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb. Lista Serbe, deri tani partia më e madhe e serbëve, si edhe Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, si dhe Nisma Qytetare, Drejtësia Popullore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit