Magazinë
Transmetuar më 08-02-2025, 21:30

KOSOVË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës.

Sipas raportimeve, pas përfundimit të procesit të votimit, në 941 qendra të votimit, do të nisë numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, gjë që mundëson publikimin e shpejtë të rezultateve paraprake.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress, tha se materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e para të mëngjesit të nesërm, do të shpërndahen në qendrat e votimit.

“Sipas planifikimeve, është bërë shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë dhe fletëvotimet, për në komunat e Republikës së Kosovës. Materialet janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahet në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote, emrat e të cilëve janë të shpërndarë ne 903 qendra të votimit apo në 2,533 vendvotimet e tyre, pra për votimin brenda në Kosovë, është: 1,970,944”, tha Elezi.

Ai ka dhënë detaje se cilat vota do të numërohen nesër pas mbylljes së vendvotimeve. Zëdhënësi i KQZ-së bën me dije se nesër në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike.

“Sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 1,752,650 fletëvotime, prej të cilave 1,664, 100 për votimin në vendvotime të rregullta, 28,450 për votimin me kusht, 38,650 për votimin e personave me nevoja të veçanta dhe si fletëvotime rezervë dhe 21,450 për votimin në përfaqësi diplomatike. Andaj, sipas vendimit të KQZ-së, janë shtypur 323,218 apo 15.57% fletëvotime më pak se numri i votuesve… Në ditën e zgjedhjeve, në vendvotime do të numërohet vetëm pjesa e fletëvotimit ku qytetarët kanë votuar për subjektet politike. Kjo ia mundëson KQZ-së, që brenda një kohe të shpejt të publikojë rezultatet preliminare për subjektet politike. Një ditë më pas, për dallim nga zgjedhjet e kaluara, ne Qendra Komunale të Numërimit, do të fillojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimit, pra vota për kandidatët për deputetë”, shtoi Elezi.

Ai ka folur edhe lidhur me vënien e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit. Siç deklaroi dhe KQZ më herët kjo bëhet me qëllim garantimin e sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në qendrën e votimit.

“Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qellim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, me përjashtim të atyre nga vendvotimet ku evidentohen parregullsi me qellim që t’iu ofrohen institucioneve ligj zbatuese. Në ditën e zgjedhjeve, KQZ nuk do t’i monitoroje këto kamera, pra regjistrimi nga ana e tyre do të behet në mënyrë pasive dhe se qasja në videoregjistrime mund të sigurohet vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligj zbatuese”, u shpreh ai.

Për zgjedhjet e nesërme parlamentare, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues. Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit