Gjatë një interviste këngëtarja Eneda Tarifa zbuloi se edhe ajo ka pasur momente kur është ndier e dobët dhe madje ka kaluar edhe depresion, por nuk e ka kuptuar. Megjithatë, ajo pranoi se nuk ka shkuar asnjëherë te psikologu.
“Te psikologu nuk kam qenë asnjëherë. Kam tentuar disa herë. Kam lënë edhe orare dhe pastaj më është ndërruar mendja gjithmonë në moment të fundit. Madje, ka pasur edhe një moment kur unë mund të kem kaluar në depresion dhe nuk e dija që po kaloja një depresion. Mirëpo, më vonë e kam kuptuar që të gjitha ato shenja dhe simptoma që unë kisha, kishin të bënin me depresionin. Sigurisht, depresion i lehtë. Edhe momente ankthi kam pasur. Edhe momente kur ti thua “pse jam, pse ekzistoj”… frikë për jetën, ankth se dikush është aty dhe të duket si e pamundur jetesa të nesërmen… Por besoj se këto janë ndjesi të çdo njeriu në momente të caktuara”, -tha këngëtarja për emisionin “Natën me Aulonën”,
Eneda shtoi se këtë periudhë e ka kaluar me terapi muzikore. E pyetur për arsye se pse nuk ka shkuar te psikologu, ajo tha:
“Sepse nuk kam qenë gati të pranoj që dikush tjetër duhet të dëgjojë çfarë kam brenda meje, disa gjëra që ti do t’i kalosh dhe t’i ruash me veten tënde. Ky ka qenë hezitimi, se jemi në Shqipëri, psikologu nuk është si të shkosh te dentisti, akoma. Është akoma një tabu që edhe pse unë e predikoj dhe them se duhet shkuar, vetë nuk e kam bërë ndonjëherë. Por kush ka nevojë ta bëjë, duhet ta bëjë.”
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd