Magazinë
Transmetuar më 14-03-2025, 15:26

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp tha se lista e PD në Qarkun e Elbasanit ku në vendet e sigurta u lanë pa përfaqësim 6 bashki të qarkut, u diktua nga rrethanat dhe marrëveshja e koalicionit.

Ish-kryeministri tha se kandidatët e PD në Elbasan janë figura të shkëlqyra, ndërsa e krahasoi listën me një ansambël përfaqësimi të larmishëm.

Sali Berisha: Këto zgjedhje janë konceptuar si betejë. Rrethanat ngushtuese, koalicioni etj, kanë diktuar në këto qëndrime. Kishim mbledhje pune me ata kandidatë të shkëlqyer. Pashë aty një ansambël, nuk mbaj mend ndonjëherë të ketë patur para qytetarëve të atij qarku një ansambël të atillë nga forca natyrale në fushata tek një prej zërave dhe këngëtarëve më virtuozë të Shqipërisë, siç është zoti Kllogjeri etj. Zonja të nderuara të gatshme për të sakrifikuar në pozicionin që janë emëruar. Unë u largova nga Elbasani me kënaqësi të veçantë nga takimet që e pata në rrugë me burra dhe gra fisnikë, por edhe përfaqësuesit e tyre që do të jenë në Parlamentin e Shqipërisë.

Pyetje: A shpërbleu lista e PD besnikët apo është një ekip fitues në 11 maj?

Sali Berisha: Po të ndalesh si politolog s’do të gjesh ndonjëherë në 34 vite në skenën politike shqiptare një njeri si Sali Berisha që jo vetëm e pranon por e parapëlqen diversitetin. Absolutisht ta them këtë me bindjen më të thellë, asnjë njeri nuk është hequr dhe nuk mund të hiqet se Sali Berisha nuk mund ta toleronte atë nga mendimet e tij ndryshe nga unë. Nuk ndodh. Ata që e mendojnë këtë, ndonjë që e ka menduar se nuk është në listë për këtë arsye, e garantoj se është i gabuar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit