Magazinë
Transmetuar më 07-03-2025, 07:44

Tiranë, 7 mars 2025 – Sot, më 7 mars, në të gjithë Shqipërinë festohet Dita e Mësuesit, një ditë e veçantë për të nderuar dhe falënderuar mësuesit për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në edukimin e brezit të ri. Ky ditë shënohet në të gjitha shkollat e vendit, ku realizohen aktivitete të ndryshme për të shprehur mirënjohjen për punën e palodhur të mësuesve.

Nxënësit përcjellin mesazhe falenderimi, kartolina, lule dhe dhurata për mësuesit, si një shenjë e vlerësimit për punën e tyre të jashtzakonshme. Ky është një moment reflektimi për arritjet e shënuara në fushën e edukimit dhe përkushtimin që mësuesit kanë treguar për të formuar dhe udhëhequr brezat që do të përcaktojnë të ardhmen e vendit.

Dita e Mësuesit shënon një ngjarje të rëndësishme historike që ka ndodhur më 7 mars të vitit 1887, kur u hap mësonjëtorja e parë shqipe në qytetin e Korçës. Mësuesi dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri, një figurë e shquar e Rilindjes Shqiptare. Kjo ngjarje ishte një fitore e madhe për popullin shqiptar, pasi deri atëherë, mësimi i gjuhës shqipe zhvillohej në kushte shumë të vështira, në fshehtësi, për shkak të pushtimit osman.

Megjithë vështirësitë, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për gati 20 vjet dhe u udhëhoq nga emra të njohur të Rilindjes si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami dhe të tjerë. Kontributi i tyre është i paçmuar për edukimin dhe zhvillimin e popullit shqiptar. Ata krijuan tekste shkollore dhe mundësuan përhapjen e dijes në një periudhë kur mësimi ishte i ndaluar dhe i rrezikshëm.

Dita e Mësuesit është një përkujtim i këtyre figurave historike dhe i sakrificave të bëra për përhapjen e dijes dhe edukimin e brezave të ardhshëm. Puna e mësuesve vazhdon të ketë një rëndësi të jashtëzakonshme, duke formuar qytetarët e nesërm dhe duke kontribuar në zhvillimin e shoqërisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit