Magazinë
Transmetuar më 04-04-2025, 08:59

Përballjet mes Fenerbahçe dhe Galatasaray nuk janë kurrë të zakonshme. Sfida e së mërkurës mbrëma në çerekfinalet e Kupës së Turqisë e vërtetoi edhe një herë këtë. Protagonist absolut, si për mirë, ashtu edhe për keq, ishte José Mourinho, i cili ndezi një tjetër përleshje në fushë me një gjest që pritet të shkaktojë shumë polemika.

Trajneri portugez i kapi hundën kolegut të tij kundërshtar, Okan Buruk, veprim që i kushtoi kartonin e kuq. Tensionet mes dy klubeve kanë qenë të larta prej javësh, veçanërisht pas akuzave për komente raciste ndaj një lojtari të Galatasaray, çka i kushtoi Mourinhos pezullimin me 4 ndeshje. Aktualisht ky rast është në shqyrtim nga gjykatat turke.

Sipas raportimeve të medias vendase, ky episod i ri mund të ketë pasoja serioze disiplinore për “Special One”. Komisioni Disiplinor, tashmë i informuar për ngjarjen, duhet të vendosë nëse sjellja e trajnerit luzitan do të klasifikohet si "jo sportive", çka do të sillte pezullim nga një deri në 3 ndeshje dhe gjobë nga 1200 deri në 12000 euro, apo si "agresion", skenar që do të nënkuptonte pezullim shumë më të rëndë, nga 5 deri në 10 ndeshje.

Tashmë pritet verdikti i komisionit në fjalë, por një gjë është e sigurt: Mourinho ishte sërish në qendër të polemikave në një derbi të zjarrtë.

Reagimi tallës i Galatasaray ndaj "Special One"

Pas fitores në derbin e Kupës së Turqisë (2-1) kundër Fenerbahçe së Mourinhos, i cili në kaosin e fundit të ndeshjes kapi për hunde dhe rrëzoi trajnerin kundërshtar, Galatasaray publikoi në rrjetet e veta sociale një video që pritet të shkaktojë shumë diskutime.

Me mbishkrimin "Galatasaray të çmend", videoja tregon Mourinhon në një version të animuar, duke folur në një konferencë për shtyp dhe duke shqiptuar qartë fjalët "Galatasaray" dhe "Okan Buruk".

Më pas, trajneri portugez shfaqet në shtrat, duke lexuar lajmet mbi fitoren e “Gallatës”, ndërsa ëndërron festimet e Osimhen dhe shokëve të tij, duartrokitjet e Buruk dhe Icardi, teksa bën gjestin e gjumit. Në fund, ai zgjohet nga makthi, por e gjen veten në një çmendinë, i veshur me këmishë force… Një provokim i hapur, që sigurisht nuk do të kalojë pa reagime nga Mourinho dhe Fenerbahçe.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit