Transmetuar më 12-04-2025, 13:17

Tiranë – Partia Socialiste hapi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me një mesazh të qartë dhe simbolik: Shqipëria drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, vetëm me PS dhe kryeministrin Edi Rama.

Data e nisjes së fushatës, 12 prilli, u zgjodh si simbol i 12 yjeve në flamurin e BE-së dhe i 12 qarqeve të vendit, raporton noa.al e cila po monitoron nga afër mitingun socialist.

Në një atmosferë të dekoruar me ngjyrat e Evropës dhe rreth 5 mijë pjesëmarrës, drejtuesit politikë të qarqeve ndanë mesazhet e tyre dhe pritshmëritë për rezultatin elektoral.

Në një skenografi të ndërtuar me simbolikë të qartë evropiane, ku në qendër qëndronin 12 yje – përfaqësuese si të flamurit të Bashkimit Evropian ashtu edhe të 12 qarqeve të Shqipërisë – mitingu elektoral u hap me prezantimin e kandidatëve për deputetë nga të gjitha qarqet, i shoqëruar me një atmosferë festive, këngë dhe valle tradicionale që sollën shpirtin e vendit në një ngjyrë evropiane.

Edi Rama: Zgjedhjet e 11 majit, mundësia historike për ta bërë Shqipërinë anëtare të familjes evropiane

Fotot: NOA/LSA

Në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, kryesocialisti Edi Rama i cilësoi zgjedhjet parlamentare të 11 majit si një “mundësi historike” për Shqipërinë dhe si çelësin për përmbushjen e ëndrrës shumëvjeçare të integrimit në Bashkimin Evropian.

Duke kërkuar një mandat të katërt qeverisës, Rama u shpreh se ky proces nuk është më vetëm një premtim politik, por një thirrje kombëtare. Sipas tij, shqiptarët kanë në dorë fatin e vendit dhe rrugëtimin e tij drejt një pozicioni të barabartë në tryezën evropiane.

“Një mundësi historike për Shqipërinë që në vetëm 4 vjet mund të bëhet zonjë anëtare e familjes së bashkuar evropiane. Ne dhe vetëm ne kemi në dorë fatin evropian të Shqipërisë. Kemi 30 ditë përpara për t’u lidhur dorë për dore me çdo shqiptar që e do zonjën Shqipëri në sallonin e BE-së,” deklaroi ai.

Rama e ndërlidhi vizionin për integrimin me rrugëtimin historik të shqiptarëve, duke theksuar se askush në rajon nuk ka një ndjenjë më të thellë përkatësie me Evropën sesa populli shqiptar.

“Nuk ka në Ballkan një popull tjetër si shqiptari, që në shekuj ka mbijetuar si asket në majë të shkëmbit për t’i qëndruar besnik ëndrrës së lirisë dhe drejtësisë. Dhe sot, ky popull ka në dorë të japë shtysën e fundit për ta vendosur Shqipërinë njëherë e mirë në themelet e ndërtesës evropiane,” theksoi Rama, duke përmendur si simbolikë edhe ngjitjen e flamurit shqiptar në kulmin e kësaj ndërmarrjeje.

Ai i ftoi qytetarët që më 11 maj të mos votojnë thjesht për një mandat të ri, por për një qëllim shumë më të madh: për Shqipërinë si anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

“Shkodra, porta e Evropës” – Benet Beci: 5 mandate me punë dhe besim

Në nisjen zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, drejtuesi politik i PS-së për qarkun Shkodër dhe njëkohësisht kryetari i bashkisë, Benet Beci, dha një mesazh të qartë: bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe qendror është çelësi i suksesit të deritanishëm dhe garancia për fitore të reja.

Në sheshin "Skënderbej", Beci nënvizoi transformimin që ka pësuar Shkodra në vitet e fundit, duke e cilësuar atë “një kantier të hapur ndërtimi” dhe “portën reale të Europës në Shqipëri”.

“Me premtimet që kemi dhënë dhe punën që po bëhet, kemi treguar se kur pushteti vendor dhe ai qendror punojnë bashkë, rezultatet nuk mungojnë. Rruga e Dukagjinit, hyrja e re e qytetit, autostradat që po përfundojnë, kthimi i Shkodrës në një qendër të rëndësishme rajonale – të gjitha këto na japin bindjen që këtë herë do të dalim me së paku 5 mandate,” u shpreh Beci.

Duke falënderuar qytetarët për besimin që i është dhënë PS-së në këto dy vitet e fundit, ai theksoi se koha për të çuar përpara projektet madhore për Shkodrën është tani. Përfaqësimi me 5 mandate konsiderohet një objektiv realist, por edhe një përgjegjësi për të thelluar zhvillimin dhe afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.

Ervin Demo: 11 maji, një udhëkryq për integrimin dhe transformimin e Jugut

Në hapjen zyrtare të fushatës elektorale të Partisë Socialiste në sheshin "Skënderbej" oër qarkun e Beratit, drejtuesi politik dhe kryebashkiaku i qytetit, Ervin Demo, e cilësoi datën 11 maj si një moment vendimtar, jo vetëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, por edhe për zhvillimin strategjik të qarkut që përfaqëson.

Duke e cilësuar Beratin si “zemra e Jugut”, Demo u ndal te ndryshimet e prekshme që kanë ndodhur në qark në vitet e fundit dhe te projektet transformuese që pritet të kthejnë zonën në një nyje zhvillimi rajonal.

“Ne jemi evropianë sepse jemi krenarë që jemi shqiptarë. Nuk ka rrugë drejt integrimit në Bashkimin Evropian nëse nuk jemi në paqe me kulturën dhe identitetin tonë,” tha Demo, duke theksuar se transformimi i Beratit është prova më e mirë e kësaj harmonie.

Ai shtoi se zgjedhjet e 11 majit përbëjnë një udhëkryq të rëndësishëm për të gjithë qarkun dhe u ndal veçanërisht te projekti i rrugës Berat–Skrapar, të cilën e cilësoi “një ëndërr të jashtëzakonshme për banorët” dhe një lidhje strategjike që do ta shndërrojë Beratin në motorin zhvillimor të Jugut.

“Lidhja me Korçën, Përmetin dhe Gjirokastrën i jep Beratit një dimension krejtësisht të ri. Kjo është një rrugë drejt një Shqipërie më të bashkuar dhe më të zhvilluar,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për mbështetje të gjerë ndaj Partisë Socialiste për të çuar përpara këtë vizion.

Arbjan Mazniku: Elbasani me 9 mandate, i qartë drejt Evropës

Drejtuesi politik i PS për qarkun e Elbasanit, Arbjan Mazniku, theksoi se ky qark është gati për t’u përfaqësuar me 9 mandate. “Elbasani e ka ndarë mendjen, me PS dhe Edi Ramën drejt Europës,” u shpreh ai, duke e cilësuar integrimin si sfidën më të madhe të Shqipërisë.

Ulsi Manja nga Lezha: Më 11 maj, Europa flet shqip

Në një fjalim të mbushur me nota patriotike dhe evropiane, drejtuesi politik i Lezhës, Ulsi Manja, kërkoi 4 mandate nga 7 të qarkut, duke u shprehur: “Më 11 maj, ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip.” Manja theksoi nevojën për një Shqipëri të barabartë me vendet e tjera të BE-së.

Eduard Shalsi: Nga Kukësi filloi transformimi

Shalsi, përfaqësues i qarkut Kukës, rikujtoi transformimin e zonës dhe mikpritjen historike të saj. Ai nënvizoi zhvillimet e fundit në infrastrukturë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në qytete si Tropoja dhe Hasi. “Kukësi nuk është vetëm një krahinë – është zemër dhe histori,” tha ai.

Balluku: Është koha për në tryezën e BE-së

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, që drejton listën e Fierit, kërkoi 10 deri në 11 mandate për këtë qark. Ajo e konsideroi mandatin e katërt si përmbushje të një marrëveshjeje me popullin: “Për ta çuar Shqipërinë përfundimisht në BE.” Balluku renditi edhe projekte madhore të realizuara dhe objektiva për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor.

Blendi Klosi: Të votojmë masivisht PS-në

Duke përmendur sfidat e mirëqenies sociale, Klosi kërkoi një votë të madhe për PS-në në të gjithë Shqipërinë. “Kjo është një forcë që e ka frymën, organizimin dhe një lider që e mban fjalën,” tha ai.

Emirjana Sako, Durrës: Mandati i katërt për një dekadë evropiane

Kryebashkiakja e Durrësit dhe drejtuesja politike e qarkut, Emirjana Sako, nënvizoi mbështetjen popullore për PS-në në Durrës, Krujë dhe Shijak. Ajo theksoi projekte si Marina e Durrësit, porti i Porto-Romanos dhe akademia e Manchester City si pjesë e vizionit për një Shqipëri moderne dhe europiane.

***

Slogani i fushatës: “Shqipëria 2030 në BE – Vetëm me Edin dhe PS”

Me këtë slogan dhe me fokus të pandërprerë te integrimi në BE, Partia Socialiste synon të bindë shqiptarët për të besuar sërish në rrugën e nisur në vitin 2013.

Në qendër të fushatës qëndron jo vetëm premtimi politik, por edhe ndjesia e një misioni kombëtar: të bëhet realitet ëndrra shekullore e shqiptarëve për të qenë pjesë e Europës së bashkuar.

Vijon…

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit