

Finalja e fundit e kampionatit brazilian (“Paulista”), e zhvilluar mes Corinthians dhe Palmeiras, solli një skenë aq ikonike, sa edhe polemike. Në minutën e 90-të të ndeshjes së kthimit, me avantazhin total 1-0 për ‘Timão’, një veprim i Memphis Depay pranë flamurit të këndit ndezi gjithçka dhe shkaktoi përleshje masive me tension të lartë.
Sulmuesi holandez u ngjit mbi top me të dyja këmbët, në një gjest mes ‘jogo bonito’ dhe provokimit të pastër, bërë dikur edhe nga Neymar. Aksioni përfundoi me një faull nga mbrojtësi i Palmeiras, kur Memphis zbriti nga topi dhe u përpoq ta mbronte me trup për të fituar kohë në këndin e fushës.
Veprimi i ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Atlético Madridit nuk u prit mirë as në fushë, as në zyrat e federatës së futbollit brazilian, deri në atë pikë sa u njoftuan sanksione për lojtarët që do ta imitojnë këtë gjest.
“Arbitrat që identifikojnë këtë sjellje duhet ta ndëshkojnë me goditje të lirë indirekte në favor të ekipit kundërshtar dhe karton të verdhë për shkelësin”, – thuhet në komunikatën zyrtare të Komisionit të Arbitrimit të CBF.
Reagimi i lojtarit holandez erdhi brenda pak orësh, përmes një mesazhi në profilet e tij zyrtare në rrjetet sociale, ku vuri në dyshim mënyrën e menaxhimit nga instancat më të larta të futbollit brazilian:
“Erdha në Brazil për të përjetuar ‘jogo bonito’ nga afër, por tani CBF ka njoftuar karton të verdhë për këdo që qëndron mbi top, siç bëra unë për disa sekonda në ndeshjen e fundit të ‘Paulista’. Nuk shoh ndonjë problem këtu. Futbolli brazilian është në rritje dhe meriton vëmendje globale. Ka shumë talent këtu.
Gëzimi dhe pasioni për t’u shprehur në fushë nuk duhet të kufizohen. Kush vendos për të ardhmen e këtij vendi të mrekullueshëm të futbollit? Le të përqendrohemi te rregullat që përmirësojnë sportin dhe tek aspekti tregtar i futbollit, që iu sjell përfitime klubeve, tifozëve dhe lojtarëve, në vend të këtyre njoftimeve absurde”.
Holandezi e shoqëroi deklaratën në fjalë me një foto me cilësi të lartë të gjestit të tij polemik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd