Magazinë
Transmetuar më 07-04-2025, 09:20

Tiranë, 7 Prill 2025 – Si rezultat i bashkëpunimit me strukturat homologe në Policinë gjermane dhe atë italiane, u kapën dhe u ekstraduan në Shqipëri dy shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht.

Ekstradohet nga Gjermania Flavio Merkuri, 18 vjeç, i dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim. Në vijim të bashkëpunimit me strukturat homologe të Policisë gjermane për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në drejtimin e Drejtorisë së Interpolit, u kryen procedurat për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit Flavio Merkuri, 18 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. Flavio Merkuri, në bashkëpunim me vëllanë e tij dhe dy shtetas të tjerë (të gjithë të mitur), kanë tentuar t’i vjedhin një shumë parash një shtetasi të mitur, në rrugë, duke e kanosur me thikë.

Ekstradohet nga Italia Ilia Ndoka, 50 vjeç, pasi GJKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në Burg” Po si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, në drejtimin e Drejtorisë së Interpolit, u ekstradua nga Italia shtetasi shqiptar Ilia Ndoka, 50 vjeç. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit