Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ka njoftuar sot mbarimin e mandatit të saj.
Zaçaj e ka njoftuar përfundimin e mandatit në një mbledhje të organizuar me gjyqtarët. Ajo është shprehur se mandati i saj, sipas Kushtetutës, përfundon në vitin 2025 dhe se ka patur një mandat 9 vjeçar.
Ajo njoftoi gjithashtu se mbledhja e Gjykatës Kushtetuese nuk arriti në një vendim dhe u shty.
Zaçaj gjithashtu tha se “Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë nga presioni politik dhe mediatik”, duke theksuar se "siguria e mandatit kushtetues është me rëndësi, sepse “pa një Gjykatë Kushtetuese cënohet dhe rrezikohet siguria”.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
"Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese thërret Mbledhjen e Gjyqtarëve për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj “Gjykata Kushtetuese duhet te jete e lirë nga presioni politik dhe mediatik që funksioni i saj si mbrojtes i parimeve kushtetuese të jetë i fortë dhe i besueshëm”.
Nisur nga sulmet e paprecedente në media drejtuar mua personalisht si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, jap këtë njoftim për shtyp për të sqaruar opinionin publik në lidhje me afatin e qëndrimit tim në detyrë, bazuar në përgjegjshmërinë time në rolin si rojtare e Kushtetutës mbi të cilën jam betuar dhe përgjigjem.
Sqaroj se me vendimin nr. 19, datë 10.03.2017 Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtares Vitore Tusha, çka ka përbërë bazën ligjore për organin e emërtesës për të shpallur procedurat e kandidimit për zgjedhjen e gjyqtarit pasues.
Për shkak të shpalljes dhe rishpalljes së thirrjes për kandidatë nga Gjykata e Lartë, në cilësinë e organit të emërtesës përfundimisht, pas përfundimit të procedurave të vlerësimit dhe renditjes së kandidatëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka përcjellë Gjykatës së Lartë listën e renditjes së kandidatëve, së bashku me raportin dhe dokumentacionin përkatës.
Mbledhja e Posaçme e Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, me vendimin nr. 2, datë 16.01.2023, vendosi: “Zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj anëtare të Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm, deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”.
Në datën 25.01.2023 unë kam filluar të ushtroj detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese pasi kam bërë betimin përpara Presidentit të Republikës. Sqaroj se unë nuk jam gjyqtare zëvendësuese e gjyqtares Vitore Tusha, pra nuk jam zgjedhur brenda mandatit 9-vjeçar të kësaj të fundit, të cilin e ajo ka kryer dhe e ka përfunduar për të gjithë kohën e parashikuar nga norma kushtetuese (pra për 9 vjet). Edhe pse ajo gjyqtare ka zgjedhur, në vijim, që të qëndrojë në detyrë deri në pritjen e pasardhësit të saj, kjo është e lejueshme për gjyqtarin kushtetues sipas parashikimeve të nenit 125, pika 7, të Kushtetutës për të mos penguar funksionimin e kësaj Gjykate.
Unë jam zgjedhur në detyrë në një mandat të ri kushtetues që për arsye objektive, për shkak të vonesave në procedura, filloi të ushtrohej me vonesë por që në mënyrë përjashtimore nga rregulli i zakonshëm i kohëzgjatjes së detyrës për 9 vjet, ishte përcaktuar si i kufizuar për shkak të parashikimit të posaçëm të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës.
Kujtoj se neni 125 i Kushtetutës ka sanksionuar se gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese qëndron në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi, përveçse kur Kushtetuta vetë ka përcaktuar një datë të ndryshme apo një kufizim të mandatit kushtetues, siç është rasti i mandateve të kufizuara nga Kushtetuta sipas parashikimit të paragrafit të tretë të nenit 179 të Kushtetutës. Është pikërisht ky rasti i mandatit tim i cili është kufizuar nga kjo dispozitë tranzitore sipas së cilës “Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025”.
Pra kufizimi në kohë i mandatit tim vjen nga vetë Kushtetuta dhe jo nga ndërprerja hipotetike në mes e mandatit të anëtares Vitore Tusha, siç po anatemohet në media. Është mandati i asaj gjyqtareje që ka mbaruar në 10 mars 2017. Kjo datë nuk përcakton as fillimin dhe as mbarimin e mandatit të pasuesit të saj, që parimisht është një mandat kushtetues që përfundon në vitin 2025 (si me sipër neni 179, pika 3).
Dua të sjell në vëmendje se vetë organi i emërtesës, pavarësisht mënyrës se si ka shpallur vakancën e plotë për mandatin pasues, në vendimin e saj për zgjedhjen time si gjyqtare kushtetuese deklaron se mandati është i pjesshëm “deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025”.
Fakti që ky mandat është i pjesshëm nuk nënkupton se ai është “zëvendësues” por se ky mandat, në përjashtim nga rregulli kushtetues, ishte e pamundur të ushtrohej për një kohëzgjatje të plotë prej 9 vitesh, edhe në rastin më të mirë, pra edhe nëse unë do të isha zgjedhur menjëherë pas mbarimit të mandatit të znj. Tusha, pra brenda vitit 2017. Deklaroj se në momentin e kandidimit unë kam qenë në dijeni dhe kam pranuar se po konkurroja në një mandat jo të plotë që sipas normës kushtetuese përfundonte në vitin 2025.
Një qëndrim i ndryshëm do të bënte të pazbatueshme vetë pikën 3 të nenit 125 të Kushtetutës, i cili nuk shprehet për “mandat” por për “qëndrim në detyrë”, pra për kohën efektive gjatë të cilës gjyqtari kushtetues ushtron këtë funksion kushtetues, dhe do të nënkuptonte se në çdo rast fillimi i qëndrimit në detyrë të gjyqtarit pasues është i lidhur më atë të përfundimit të gjyqtarit paraardhës, që nuk rezulton nga përmbajtja dhe fryma e dispozitave kushtetuese (neni 125, pika 3 dhe neni 129 të Kushtetutës), nga praktika e kësaj Gjykate që prej vitit 1998 dhe as nga vetë mënyra e ushtrimit dhe përllogaritja e mandatit të vetë gjyqtares Vitore Tusha.
Një qëndrim i ndryshëm do të nënkuptonte zbatimin e datave fikse të fillimit dhe mbarimit të detyrës, pra se gjyqtari kushtetues e ka të përcaktuar apriori fillimin dhe mbarimin e kohës së ushtrimit të detyrës së tij, edhe pse ajo është e përcaktuar sipas normës kushtetuese nga një ngjarje juridike e përcaktuar. Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen time në detyrë, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat i mbarimit të ushtrimit të detyrës është fundi i vitit 2025. Neni 148 i Kodit të Procedurës Civile të cilit i referohemi edhe sipas rregullimeve specifike të ligjit organik dhe Rregullores së Gjykatës Kushtetuese, parashikon se “Kur afati është caktuar me ditë dhe me orë, përjashtohet dita dhe ora në të cilën ka filluar ngjarja ose koha nga e cila duhet të fillojë afati. Afati që është caktuar në javë, në muaj ose në vite mbaron me kalimin e asaj dite të javës së fundit ose të muajit të fundit që ka të njëjtin emër ose numër me atë të ditës që ka filluar afati. Kur një ditë e tillë mungon në muajin e fundit afati mbaron me kalimin e ditës së fundit të këtij muaji”.
Gjendur në kushtet e qëndrimit publik të Gjykatës së Lartë, të datës 6 Dhjetor 2024, bazuar në faktin që dispozita kushtetuese dhe vendimi i zgjedhjes time si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nuk kishin një datë të përcaktuar, por vetëm vitin në të cilin përfundonte koha e qëndrimit në detyrë, vendosa që në datën 10 Dhjetor 2024 t`i drejtohem Komisionit të Venecias për të kërkuar një opinion amicus curiae duke pasur parasysh jo vetëm se në rastin konkret shtrohen për diskutim dhe interpretim çështje që kanë të bëjnë me parime kushtetuese, të cilat janë vënë edhe më parë në diskutim nga Komisioni i Venecias, të cilat mbartin interes publik dhe do i shërbejnë kësaj Gjykate edhe në të ardhmen, ashtu edhe për të shmangur mosmarrëveshje kushtetuese që mund të shkaktohen nga interpretime të normave kushtetues që mund të bien ndesh me parimet dhe kompetencat e sanksionuara në ligjin themelor.
Gjej rastin t`ju bëj me dije, duke marrë shkas nga publikimi i letrës së aplikimit tim të datës 25 shkurt 2022, se ajo i referohet termave të njoftimit të vakancave të shpallura nga Gjykata e Lartë, e cila në atë kohë kishte shpallur 3 të tilla me datë mbarimi, nga të cilat 2 vakanca të pjesshme dhe 1 vakancë të plotë.
Dua të theksoj se në lidhje me këtë vakancë të fundit data e përcaktuar në shpallje nuk përputhet me datën e mbarimit të këtij mandati, pasi betimi i anëtarit kushtetues është bërë në shtator 2022, për rrjedhojë, sipas përmbajtjes së neneve 125, pika 3 dhe 129 të Kushtetutës, koha e qëndrimit në detyrë të këtij gjyqtari mbaron në shtator 2031, pra në një datë të ndryshme nga ajo e caktuar në njoftim. E sjell këtë shembull për të treguar që datat e përcaktuara në shpalljet e vendeve vakante dhe të përdorura në aplikim nuk janë përcaktuese për mbarimin e mandatit, llogaritja e të cilit bazohet në dispozitat kushtetuese dhe ngjarjes juridike të betimit.
Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë, nuk ka treguar se cila është baza ligjore që përcakton se data e përfundimit të mandatit të gjyqtarit paraardhës është data referuese (dita dhe muaji) në të cilën përfundon edhe mandati i gjyqtarit pasardhës.
Ndërkohë, duket se data 10 mars 2025, si datë e përfundimit të mandatit tim, marrë si referencë nga Gjykata e Lartë në shpalljen e vakancës së datës 11.12.2024, është e njëjta ditë/muaj me ditën dhe muajin e mbarimit të kohës së qëndrimit në detyrë të znj. Vitore Tusha (10 mars 2017). Sqaroj publikun se në asnjë rast në 32 vite të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ka pasur një praktikë në të cilën afati i mbarimit të mandatit të gjyqtarit pasues të ishte data (dita dhe muaji) i përfundimit të gjyqtarit paraardhës.
Sa më sipër, është qartësisht e lexueshme se Gjykata Kushtetuese nuk është lejuar të ushtrojë kompetencën e saj dhe Gjykata e Lartë ka vepruar në kundërshtim të hapur me dispozitat e nenit 127, pika 2, të Kushtetutës sipas të cilit “Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetues deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese”. Shpallja e vendit vakant nga Gjykata e Lartë, pa një vendim të Gjykatës Kushtetuese e ka zhveshur këtë të fundit nga kompetenca kushtetuese, veprim ky i paprecedent dhe i marrë me një urgjencë të pajustifikuar nga interesi publik apo forcë madhore, për të cilën të kërkohej ndërhyrje e menjëhershme.
Për më tepër, gjendur në kushtet e një mandati atipik, ku do të zbatohet për herë të parë një kufizim mandati që vjen nga dispozitat e reja kushtetuese, në rast se ka dilema apo pikëpyetjeve, është vetëm Gjykata Kushtetuese që mund të interpretojë Kushtetutën, kompetencë kjo që në rastin konkret u përdor nga Gjykata e Lartë në tejkalim të kompetencave të saj dhe në ushtrim të kompetencave të organit që sipas Kushtetutës bën edhe interpretimin përfundimtar të saj, Gjykatës Kushtetuese.
Nga sa më sipër, në emër të interesit publik, në mbrojtje të institucionit që drejtoj, dhe për të shmangur mosmarrëveshje kushtetuese, sot në datën 12 dhjetor 2024 vendosa që t`i drejtohem Mbledhje së Gjyqtarëve në ushtrim të përgjegjësive të mia si anëtare e kësaj Gjykate, për deklarimin e mbarimit të mandatit tim si gjyqtare kushtetuese. Trupa e Gjykatës Kushtetuese u mblodh sot pa arritur në një vendimmarrje duke e shtyrë seancën për ditët në vijim.
Në mbyllje të kësaj deklarate, të cilën kërkoj ta pasqyroni drejt me të gjithë faktet e paraqitura, më lejoni që si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese t’ju rikujtoj juve dhe të gjithë institucioneve të këtij vendi se:
Siguria e mandatit kushtetues është thelbësore për vetë demokracinë. Pa një organ të pavarur siç është Gjykata Kushtetuese, e cila kontrollon legjitimitetin e ligjeve dhe të akteve të shtetit, ekziston rreziku i cenimit të balancimit të pushteteve.
Kur Gjykata Kushtetuese është e lirë nga presioni politik, mediatik dhe ekonomik, funksioni i saj si rojtare e parimeve kushtetuese është më i fortë dhe më i besueshëm. Kjo jo vetëm mbron individin, por ruan edhe besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.
Për më tepër, siguria e mandatit, garanton që çdo vendim i marrë nga Gjykata të bazohet në ligj, pa frikë nga pasojat politike dhe mediatike. Ky është një parim themelor për një sistem ligjor që dëshiron të jetë i drejtë dhe i barabartë për të gjithë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd