Transmetuar më 01-06-2024, 09:40

TIRANË- Numri i vizitorëve të huaj shënoi rritje vjetore me 43.4% në tremujorin e parë 2024, por në të njëjtën periudhë, eksportet ranë me 22% dhe importet e ushqimeve u rritën në të njëjtën masë.

Zhvillimi i vrullshëm i turizmit nuk po lidhet me sektorin e prodhimit, duke bërë që një pjesë e madhe fitimeve të industrisë të rikthehen jashtë për importin e mallrave.

Ekspertët pohojnë se përfitimet e ekonomisë zbehen nëse nuk nxitet bujqësia dhe sektorët të tjerë të prodhimit.

Shembujt se si mund të nxisë turizmi sektorët e tjerë, që nga bujqësia, agro-përpunimi dhe prodhimi i detergjentëve dhe mobilieve

Rritja me shpejtësi e numrit të vizitorëve të huaj në vendin tonë është një mundësi e artë për të nxitur më tej ekonominë dhe mirëqenien në vend.

Përvojat e vendeve të tjera mesdhetare (Italia, Greqia, Turqia, Spanja etj.) na tregojnë se, nga turistët nuk përfitojnë vetëm hotelet dhe restorantet, por shumë sektorë që lidhen me prodhimin dhe sidomos bujqësia dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit që i nevojitet turizmit.

Kjo lidhje e bën turizmin gjithëpërfshirës dhe zgjeron përfitimet te më shumë njerëz. A po ecën në këtë trajektore Shqipëria? Të dhënat tregojnë një prirje të kundërt. Teksa numri i turistëve është duke u rritur në rekorde, sektori i prodhimit, bujqësia, industria dhe eksportet në përgjithësi po bien me shpejtësi.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e parë të vitit, numri i të huajve në territorin shqiptar ka kaluar 1.5 milionë, me një rritje 43.4%, pasi shënuan rekordin e 10 milionëve në 2023.

Në kontrast, sektori i bujqësisë në vitin 2023 shënoi rënien më të madhe që nga viti 1997, prirje që ka vijuar edhe në vitin 2024. Mungesa e lidhjes me sektorët e tjerë po bën që një pjesë e madhe e fitimeve që vijnë turizmi të dalin jashtë për importin e mallrave që na duhen për turistët.

Në tremujorin e parë, artikujt që lidheshin me furnizimet e hoteleve shënuan rritje në sasi nga 20-80%, duke ndikuar negativisht deficitin tregtar. Në janar-mars 2023, raporti i mbulimit të importeve me eksporte ishte 45,6% nga 58,9% në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Fatmir B., me përvojë 30-vjeçare në prodhimin e mobilieve, tha se nuk është duke përfituar as nga zhvillimi i turizmit dhe as nga ndërtimi. Ai tha se sektori i përpunimit të drurit po vuan mungesën e punonjësve dhe e ka të pamundur të plotësojë kërkesat voluminoze të hoteleve. Shumë prej mobilieve të hoteleve po vijnë nga Kina e largët për shkak edhe të kostos më të lirë.

Të dhënat tregojnë se prodhimi vendas, në vend që të rritet me ardhjen e turistëve, po ulet më tej. Për ekspertët e ekonomisë dhe ata të biznesit, rritja e turizmit dhe rënia e prodhimit ka pasoja. Alban Zusi, i cili operon në sektorin e industrisë përpunuese, thotë se falimenti i njësive të prodhimit jep pasoja zinxhir që nga arsimi, taksat, punësimi, shkatërron industritë mbështetëse dhe rrënon punën 20-vjeçare që ka bërë vendi në krijimin e “Made in Albania”.

Për ekonomistin Panajot Soko, ekonomia shqiptare duhet të bazohet te prodhimi shqiptar. Tregu i prodhimeve është i qëndrueshëm, me normë shumë të lartë vlerësimi, ndërsa tregu i shërbimeve, edhe për shkak të avancimit teknologjik e shoqëror është i paqëndrueshëm, me norma shumë të larta zhvlerësimi.

Prodhimi në krizë, rënia e eksporteve më 2024, më e madhja në 20 vjet

Ecuria e eksporteve në tremujorin e parë të vitit 2024 tregoi gropën ku po rrokullisen prodhuesit shqiptarë, të cilët të dërrmuar nga rënia e Euros, rënia e kërkesës nga jashtë dhe mungesa e punonjësve tani po falimentojnë masivisht.

Në tremujorin e parë të vitit, eksportet në vlerë pësuan rënie vjetore me 22.3%. Kjo ishte rënia më e madhe që nga viti 2005, kur INSTAT nisi të raportojë të dhënat e tregtisë së jashtme me baza mujore.

Madje ritmet e rënies ishin edhe më të larta se sa gjatë vitit pandemik 2020, kur bota ishte në masa të rrepta të kufizimit në lëvizje për të penguar përhapjen e koronavirusit. Ka disa vite kur eksportet kanë pësuar rënie, por faktorët kanë qenë momentalë dhe ringritja ka ardhur shumë shpejt.

Këtë herë, bizneset nuk kanë shumë shpresa, pasi tashmë Shqipëria ka humbur avantazhet si një treg i lirë prodhimi. Florian Zekja, nga shoqata Pro-Eksport, thotë se çmimet e prodhimit u rritën ndjeshëm pas vitit 2023, me rritjen e pagës minimale, ndërsa eksportuesit pësuan humbje dyshifrore nga zhvlerësimi i Euros.

Këto ngjarje rritën çmimet e prodhimit dhe kjo i ka zhvendosur klientët europianë të veshjeve dhe këpucëve nga Shqipëria në vende të tjera të Azisë, ku kostot janë më të lira. Ndryshe nga vitet e tjera, në tre muajt e parë të këtij viti, eksportet shënuan rënie për të gjitha kategoritë. Rënia ishte dyshifrore për shumicën e gupeve, ku industria e përpunimit pati rënie mbi 20% të vlerës së mallrave të shitura jashtë.

Zekja tha se shpresat për rikuperim janë të pakta, për shkak se klientët potencialë kanë braktisur Shqipërinë. Rënia e Euros ka qenë faktor kryesor që ka dëmtuar eksportin. Një euro aktualisht kushton 100.8 lekë, teksa në vitin 2022, 1 euro kushtoi mesatarisht me 122,4 lekë.

Në dy vitet e fundit, Euro është zhvlerësuar me rreth 22 pikë për qind, duke ulur në një mënyrë të ngjashme fitimet e eksportuesve. Kjo situatë po bëhet shkak për uljen e konkurrencës së prodhimit vendas në të gjithë sektorët dhe industritë, thotë Alban Zusi.

Rënia e vlerës së Euros po dëmton eksportet dhe po nxit importet. Importet me çmime të lira po godasin prodhimin vendas. P.sh., një kilogram fasule dhe patate nga importi këtë vit u shit me çmime gati 30% më të lira se prodhimi vendas, duke dekurajuar gjithnjë e më shumë bujqit të mbjellin tokat.

Si po rikthehen jashtë vendit fitimet nga turizmi

Vlera e ushqimeve të importuara jashtë vendit në tremujorin e parë të vitit ishte mbi 2,2 miliardë lekë, ose mbi 20 milionë euro më e madhe se një vit më parë në të njëjtën periudhë.

Importet e grupit të ushqimeve shënuan rritje me 22%, dhe në disa grupe si zarzavatet dhe frutat, rritja ishte mbi 60%. Të dhënat mbi tregtinë e jashtme në tremujorin e parë të këtij viti tregojnë se importet e çadrave të diellit në sasi u rritën me 61% në janar-mars 2024, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Zhvillimi i turizmit po nxit edhe shërbimet e lundrimit me varka dhe anije të vogla, të cilat po bëhen të zakonshme në turizmin detar dhe liqenor.

Të dhënat tregojnë se sasitë e importeve të varkave dhe mjeteve të lundrimit shënuan rritje me 79% në tremujorin e parë të vitit. Importet e produkteve prej kashte shënuan gjithashtu rritje me mbi 45%. Rritje me mbi 15% pati edhe grupi “Mobilieri, krevate, dyshekë, llamba etj.”. Të dhënat nga tregtia e jashtme tregojnë se, zhvillimi i turizmit është duke nxitur rritjen e importeve në produkte kryesore të konsumit në vend dhe sidomos tek ushqimet.

Përveç lëndës së parë, hotelet në vendin tonë po nxiten të importojnë gjithnjë e më shumë punonjës jashtë vendit, për shkak se tashmë, fuqia punëtore shqiptare ka emigruar. Alban Zusi, i cili operon në sektorin e prodhimit, por me formim profesional në turizëm, tha se mbi 75% e fitimeve të turizmit kthehet sërish në import. Ekspertët e sektorit analizojnë se pjesa dërrmuese fitimeve të sektorit të turizmit ikën sërish jashtë vendit për importet e lëndës së parë që u duhen hoteleve dhe restoranteve.

Nëse turizmi nuk lidhet me sektorë të tjerë të ekonomisë dhe sidomos me prodhimin, do të mungojnë përftimet me bazë të gjerë. Ekspertët sugjerojnë se prodhuesit duhet të përshtaten me kërkesat e turizmit, por të dhënat tregojnë se sektorët përballen me vështirësi që lidhen me njëri-tjetrin. P.sh., në vitin 2022, teksa u pa një rritje fortë e njësive të akomodimit, kishte një rënie të fortë të bizneseve të mobilieve. /Monitor

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd