Magazinë
Transmetuar më 07-04-2025, 08:31

Pas suksesit në debutim ndaj Genoa, Igor Tudor arrin një tjetër rezultat pozitiv në krye të Juventusit të tij. Edhe pse këtë herë bëhet fjalë për një barazim në “Olimpico”, ku Shomurodov barazoi golin e Locatellit. Pra, transferta ndaj Romës përfundoi 1-1.

Një rezultat që nuk ndryshon shumë në garën për Champions League dhe i lejon Juventusit të kapë, ndoshta përkohësisht, pasi sot emilianët luajnë me Napolin, Bolognën në vendin e katërt të renditjes.

Asnjë lojtar nuk dështoi vërtet në formacionin bardhezi, përveç vlerësimit 5.5 për Renato Veiga. Vlahovic mori një notë kaluese, por problemi mbetet: topat që i vijnë drejt tij janë shumë të paktë.

Në intervistën për DAZN, trajneri kroat zbuloi se ka udhëtuar 10 orë me makinë nga Kroacia për të arritur në Torino dhe për të firmosur me Juventusin. Në konferencën për shtyp, foli kështu për garën drejt Champions League:

"Sipas mendimit tim, është e pamundur të bësh parashikime. Është e vështirë të bësh llogari, pastaj sinqerisht nuk më pëlqen as t’i bëj. Duhet t’i marrësh ndeshjet njëra pas tjetrës, t’i përgatitësh në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nuk ka ndeshje të lehta, të gjithë duan të arrijnë diçka, të gjithë luftojnë për një objektiv. Çdo kundërshtar mund të ta vështirësojë misionin që ken ë Serie A. Pikërisht për këtë duhet të qëndrojmë të përqendruar dhe të ecim përpara, ndeshje pas ndeshjeje".

Barazim, pas avantazhit fillestar të arritur nga Locatelli: "Kapiteni ynë shënoi një gol të madh, me cilësi. Më pëlqyen qasja dhe mentaliteti i treguar në fillim të ndeshjes, nuk ishte diçka e vetëkuptueshme duke parë momentin nga i cili vinim (i referohet ndërrimit të stafit teknik).

Shtymë përpara dhe bëmë gjëra interesante, pastaj në pjesën e dytë Roma ndryshoi sistemin e lojës. Pësuam gol nga një goditje standarde, që është një detaj jo i parëndësishëm. Në fund treguam se ne e donim më shumë fitoren. Gjithsesi, është një barazim që na jep besim, i arritur në fushën e një skuadre që vinte nga 7 fitore radhazi. Jemi në rrugën e duhur".

Goli i Romës erdhi nga një goditje nga këndi: "Në ato situata duhet përqendrim, por duhet thënë se shumëçka varet edhe nga struktura fizike e lojtarëve. Ne na mungojnë Gatti, Bremer dhe gjithashtu Cabal. Sigurisht që në të ardhmen do të duhet të përmirësohemi në këtë aspekt".

Trajneri kroat tregon qasjen taktike të të tijve në këtë transfertë delikate: "Donim të shtynim përpara me mbrojtësit anësorë pa lënë hapësira për kundërsulme, pasi është një veçori shumë e rrezikshme e Romës. Për këtë arsye punojmë shumë në markimet parandaluese".

Tudor shpjegoi përzierjen e emocioneve dhe tensionit që ka përjetuar, që kur mori drejtimin e bardhezinjve, ku ka qenë edhe futbollist e ndihmës trajner më parë: "Udhëtova 10 orë me makinë për të mbërritur në Torino, sepse nuk doja të merrja avionin. Edhe në vitin 1998, kur erdha si lojtar te Juventusi, udhëtova për orë të tëra me makinë.

Tani kam rreth 10 ditë këtu, emocionet po bien dalëngadalë. Po mendoj për punën dhe objektivin; vendin e katërt në renditjen finale të kampionatit. Nga jashtë duket një punë ku mund t’i shijosh shumë gjërat, por nga brenda nuk është aspak kështu…"

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit