Transmetuar më 21-01-2024, 16:04

Tiranë, 21 Janar 2024 /noa.al – Përdoruesit e telefonave celularë në Shqipëri po përballen shpesh me mesazhe që ofrojnë shuma të mëdha parash, por janë mashtrim me qëllime përfitimi.

Kjo situatë ka vënë në lëvizje edhe policinë shqiptare. Nga monitorimi i vazhdueshëm i hapësirave virtuale, telefona dhe rrjete sociale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme, kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Tiranë, kanë konstatuar se në mënyrë të përsëritur, se më së shumti, përdoruesve që përdorin pajisje komunikimi "Apple", u dërgohen me iMessage, mesazhe nga adresa ndryshme iCloud.

Personave marrës të këtyre mesazheve, iu premtohen të ardhura të konsiderueshme në valuta të huaja, duke pasur si kriter vetëm përdorimin e aparatit të tyre celular, dhe personat e interesuar (autorët), i ftojnë të komunikojnë nëpërmjet aplikacionit "Telegram".

Ja shembuj mesazhesh që kanë mbërritur:

Duke marrë në konsideratë se ky aktivitet, dinamika e të cilit nuk është ende e qartë plotesisht, nëpërmjet joshjes financiare, mund të marrë në posedim të dhënat personale të shtetasve shqiptarë, apeli është që të bëni kujdes me të dhënat tuaja.

Nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë, dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale, apo jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, provoni të paraqiteni pranë zyrave policore të Krimeve Kompjuterike dhe Kibernetike në Drejtoritë Vendore të Policisë në Tiranë dhe rrethe.

Policia e Shtetit, në një përditësim të hënën 22 janar tha se autorët që dërgojnë këto mesazhe, për të fituar besueshmëri, përdorin emërtimet e institucioneve të ndryshme shqiptare, siç është rasti i fundit i konstatuar, nga një adresë joreale e Postës Shqiptare.

Në asnjë rast mos klikoni dhe mos plotësoni formularë, pa u siguruar që faqja nga e cila jeni kontaktuar, është faqja zyrtare e institucionit.

Nëse ju ka ardhur një mesazh i tillë dhe ju keni shpërndarë të dhënat tuaja personale apo nëse jeni mashtruar nga një aktivitet i tillë, ju ftojmë të paraqiteni pranë zyrave policore./noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd