Transmetuar më 01-06-2023, 20:48

SHKODËR- Një punonjës i Policisë së Shtetit po hetohet pasi akuzohet se i ka vjedhur një zarf me para nga makina e një qytetari. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme të siguruara nga "JOQ", efektivi i Policisë së Shtetit, i identifikuar me inicialet Sh.Gj., ka hyrë në ambientin ku mjeti po pastrohej, e është afruar tek dera ku ka gjetur dhe ka marrë zarfin me para. Por nuk ka vënë re kamerat. Ndaj dhe është pezulluar nga detyra, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet ndaj tij.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër:

Në lidhje me një video të publikuar në portalin JOQ në të cilën shfaqet një punonjës policie në shkelje të procedurave standarte të punës, ju sqarojmë se: Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, si dhe është njoftuar edhe AMP në lidhje me rastin.

Ndërkohë Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë. Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me detyrën apo të cenimit të imazhit të Policisë dhe të besimit të qytetarëve të Policia e Shtetit.