Transmetuar më 21-01-2025, 08:16

Pas fitores kundër Milanit në kampionat, Juventusi rikthehet në Champions League dhe kërkon pikë të rëndësishme ndaj Club Bruges për të siguruar “play off”-et, duke pasur parasysh edhe objektivin për të arritur në ‘top 8”.

Trajneri Thiago Motta u shpreh optimist në konferencën për shtyp: "Do të bëjmë një ndeshje të madhe kundër një skuadre që po performon mirë si në Champions, ashtu edhe në kampionat. Pothuajse të gjithë lojtarët janë të gatshëm, ndihemi mjaft mirë të përgatitur".

A do të jetë Vlahovic titullar?

Nuk mund ta them. Dusan ishte në stol kundër Milanit për zgjedhje teknike. Megjithatë, ai sapo është rikthyer nga shqetësimi në fleksor. Tani kemi shumë alternativa, nuk është e rëndësishme sasia e minutave, por cilësia. Mund të bësh diferencën edhe në pak minuta. Përbërja e sulmit tonë varet nga ndeshja dhe momenti i lojtarëve. Jemi në rritje, jo vetëm në ndeshjet e fundit, fitorja në kampionat na jep më shumë energji.

Keni bollëk lojtarësh në skuadër…

Jam i lumtur që kam alternativa, jo vetëm për formacionin fillestar, por edhe zëvendësimet gjatë ndeshjes. Duhet të kemi vazhdimësi në performanca.

Çfarë duhet shmangur kundër Bruges?

Është një skuadër e vështirë për t’u përballur, sidomos në fushën e vet. Jemi të përgatitur për gjithçka. Duhet të bëjmë një paraqitje të madhe për të arritur objektivin tonë, që është fitorja. Bruges është shumë i organizuar dhe energjik, ndaj duhet të jemi në nivelin më të lartë për të dalë me rezultat pozitiv.

Një mendim për fitoren kundër Milanit…

Jemi të kënaqur, sepse arritëm objektivin tonë, që ishte fitorja. Kemi luajtur mirë edhe në ndeshje të tjera. Jam i kënaqur me përmirësimet tona.

Një vlerësim për Mbangula dhe të rinjtë…

Mbangula, sezonin e kaluar luante për ‘Next Gen’, ndaj duhet t’iu bëjmë komplimente atyre që kanë punuar me të. Ai bëri shumë mirë kur zbriti në fushë.

A po mendoni për transfertën ndaj Napolit në kampionat?

Të gjitha energjitë tona janë fokusuar te Bruges, pastaj do të mendojmë për ndeshjen tjetër. Nuk është momenti të mendojmë për Napolin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit