

Kryeministri Edi Rama, sot në ditën kur 14 vjet më parë i priu demonstratës së 21 janarit gjatë të cilës u vranë katër pjesëmarrës, akuzon pa emra, persona të caktuar se po e vonojnë drejtësinë për çka ndodhi atë ditë dhe fajtorët e asaj ngjarjeje.
Për më tepër Rama bën edhe një paralajmërim kur thotë se fëmijët e atyre që vdiqën po rriten…
“Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…", është qëndrimi i z.Rama publikuar këtë mëngjes.
Duket se z.Rama po i drejtohet në mënyrë indirekte SPAK-ut me këtë deklaratë. Në Prokurorinë e Posaçme thuhet se po hetohet sërish kjo ngjarje, por zhvillime që lidhen me këtë hetim, deri tani nuk ka patur.
Më 21 janar 2011, gjatë protestës përpara Kryeministrisë të thirrur nga kryesocialisti Edi Rama, humbën jetën protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Hetimet arritën në përfundimin se nga Garda u hap zjarr dhe gjykata disa kohë më vonë burgosi disa zyrtarë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





