Magazinë
Transmetuar më 02-04-2025, 18:54

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, por edhe Shqipërinë, këtë të mërkurë. Ilaria Sula, një 22-vjeçare shqiptare, është vrarë në mënyrë makabre nga i dashuri i saj, i cili është identifikuar nga autoritetet italiane si Mark Samson, 23 vjeç.

Dinamika e krimit

E reja shqiptare ishte një studente, e cila ndante banesën ku jetonte me të tjera vajza. Ajo ishte larguar nga shtëpia më 25 mars, por trupi i saj u gjet këtë të mërkurë. Pasi ishte vrarë, viktima ishte futur në një valixhe e më pas ishte hedhur në një zonë të pyllëzuar.

Si ra policia në gjurmët e autorit

Autori dyshohet të ketë përdorur një thikë për të vrarë të renë, të cilën më pas e futi në valixhe dhe e hodhi në zonën e pyllëzuar. Pas humbjes së kontakteve, familja e vajzës është alarmuar dhe ka kërkuar ndihmën e policisë për ta gjetur atë.

Ngjarja u zbardh falë tabulateve të telefonit të viktimës, i cili ishte mbajtur nga autori. Ky i fundit postonte herë pas here në rrjete sociale, duke u shtirur sikur ishte viktima. Po ashtu, ai i ka nisur edhe familjarëve të viktimës disa mesazhe sikur ishte ajo, në mënyrë që të mos dyshonin. Më tej, ai mësohet se e ka hedhur telefonin në një pusetë.

Ndonëse familjarët e denoncuan rastin që mbrëmjen e 25 marsit, ku e reja nuk u kthye më në shtëpi, policia mundi të gjente trupin vetëm 8 ditë më pas. Pas gjetjes së trupit, policia ka bërë të mundur, me ndihmën edhe të tabulateve telefonike, identifikimin dhe arrestimin e autorit.

Të gjitha detajet/ Vrasja e 22-vjeçares shqiptare në Itali: Dëshmia e autorit

Autori po merret në pyetje nga hetuesit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motiveve të këtij krimi makabër.

Megjithatë, nga dëshmitë e para ai ka zbuluar dinamikën e krimit.

“E hodha telefonin e saj në një pusetë në Romë, trupin e ngarkova në makinën time dhe e çova në Poli”, ka treguar i riu.

Nga ana tjetër, mediat vendase raportojnë se shkak mund të jetë bërë kërkesa e të resë shqiptarë për ndarje, gjë e cila nuk është pranuar nga autori.

Dëshmitë e familjarëve

E ëma e viktimës, Gëzime Sula, ka dhënë dëshminë e saj, ku nënvizon se e kuptoi që diçka nuk shkonte, pasi e bija nuk po i përgjigjej në telefon, por vetëm po i dërgonte mesazhe.

“Menjëherë e kuptova se diçka nuk shkonte. Më pas fola me miqtë që jetonin me të dhe së bashku me bashkëshortin vendosëm të denoncojmë menjëherë zhdukjen e saj, falë edhe inspektorit Moreno Fernandez që më rekomandoi një mik nga Terni. E di që hetimet çuan menjëherë te djali me të cilin Ilaria kishte dalë në të kaluarën, por ne dimë pak për të”, ka thënë nëna, raporton Il Messagero.

Nga ana tjetër, vëllai i viktimës është shprehur se e reja dhe autori ishin ndarë prej kohësh.

“Me Ilaria-n fola për herë të fundit dy javë më parë, sepse ajo erdhi të na vizitojë në Terni. Ajo ishte e qetë dhe nuk më tregoi për asnjë problem, pastaj vetëm mesazhe, por nuk jam e sigurt që i kishte shkruar. E njihja, ishin bashkë prej një viti, por ishin ndarë prej kohësh”, ka rrëfyer 20-vjeçari.

Akuzat që rëndojnë ndaj autorit

Ngjarja është ende nën hetim, pasi ende nuk është gjetur telefoni i të resë, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur dinamikës e plotë të krimit. Megjithatë, deri më tani, autori akuzohet për veprat penale “vrasje me dashje” dhe “fshehje e kufomës”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit