Transmetuar më 11-04-2024, 11:15

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imazhi 1”, në zbatim të planit të posaçëm operacional policor, kundër kultivimit të bimëve narkotike

Tre persona janë arrestuar sot në Lezhë, e mes tyre janë vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Eduard Ndreca dhe kunati tij.

Ata janë nën akuzë për trafik droge përmes kultivimit të marihuanës.

Zbulimi i plantacionit me drogë që shihni në pamjet që ju sjell noa.al erdhi gjatë një operacioni antidrogë të zhvilluar në fshatin Kashnjet të Lezhës.

Në stan ishin mbjellë gati 3 mijë fidanë kanabis që rritej me llamba elektrike. Stani shërbente pra jo për bagëti të imta, por për të rritur drogën e cila për më tepër, përgatitej duke viedhur energjinë elektrike.

Zyrtarisht bëhet e ditur se u arrestuan Armel Nikdukaj, 27 vjeç dhe Elvis Shpellzai, 28 vjeç, të dy banues në Koplik, si dhe Armando Ndreca, 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Çfarë thotë policia

Zyrtarët e policisë së Lezhës thanë se vala e arresteve erdhi pasi të dyshuarit kishin përshtatur një ambient (stan), në pyjet e fshatit Kashnjet, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.

Më tej, në banesat e 2 të arrestuarve në flagrancë, policia gjeti 3 armë të ftohta dhe 1 maskë.

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë, për të zbatuar planin e posaçëm operacional policor që ka si objektiv parandalimin, evidentimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për të kultivuar bimë narkotike në ambiente të hapura ose të mbyllura, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Lezhë, me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Imazhi 1”.

Gjatë operacionit, në pyjet e fshatit Kashnjet, u zbulua një ambient (stan) i përshtatur me llamba që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, u bënë të mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të dyshuar të këtij rasti, shtetasve A. N., 27 vjeç dhe E. Sh., 28 vjeç, të dy banues në Koplik. Më tej, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale për këtë rast u ndalua dhe shtetasi A. N., 32 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Nga ky ambient, Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd