Transmetuar më 05-03-2024, 08:31

Tiranë, 5 Mars 2024 /noa.al- Katër djem nga Elbasani janë përfshirë në plaçkitjen e një biznesi në Tiranë duke marrë shuma parash dhe sende të tjera nga një kasafortë të cilën më pas e flakën në lumin Shkumbin, raporton noa.al.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, të Tiranës finalizuan operacionin e koduar "River" duke zbardhur dhe dokumentuar so me prova ligjore, vjedhjen e kasafortës së biznesit në Sauk, ndodhur më 4 mars 2024.

Ndërsa janë kapur 3 të dyshuar dhe kërkohet një i katërt, është arritur të nxirret nga lumi Shkumbin edhe kasaforta e bastisur.

Aksioni policor erdhi pas kallëzimit të depozituar nga një person se shtetas të paidentifikuar i kishin vjedhur kasafortën me një shumë parash, në biznesin e tij, në Sauk.

Bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, forcat policore kanë organizuar punën në kuadër të operacionit të koduar "River", për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim me policinë Elbasan, u bë arrestimi i shtetasve: B. S., 53 vjeç, E. K., 37 vjeç dhe A. Ç., 40 vjeç, të tre banues në Elbasan.

Gjithashtu, po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e shtetasit E. Gj., 27 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 4 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më 1 mars 2024, kanë vjedhur në një biznes në Sauk, një kasafortë me 4000 euro dhe 100 000 lekë, dhe më pas, kasafortën e kanë hedhur në lumin Shkumbin, në Elbasan.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kasaforta e vjedhur, e cila u gjet në lumin Shkumbin, 5 celularë, 1 automjet dhe një shumë parash e dyshuar e vjedhur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd