Sherri publik mes dy kryeministrave shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës ka nxitur mediat serbe të fërkojnë duart dhe të aludojnë se shqiptarët po ndahen mes tyre dhe madje janë kapur nga paniku.
Portali serb Alo ka dalë me titullin: "Shqiptarët janë në panik, BE po përgatit masa të reja ndaj Prishtinës!"
Ndërsa B92 ka dalë me titullin "Ndarje në rragjën shqiptare, Kurti refuzoi të takohej me Ramën, filloi shantazhi".
"Danas", evidenton tjetër paradoks në titullin e saj: "Nënkryetari i PDK-së: Kurti e kushtëzon takimin me Ramën, por me Vuçiqin është gati të takohet pa kushte".
Nga ana tjetër, mediat serbe po bëjnë dhe viktimën. Gazeta "Politika" del me titullin: "Vuçiq: E paralajmërova Lajçakun se populli serb është i ekspozuar ndaj torturave më të rënda".
Kurse "Kurir" shkon edhe më larg teksa aludon se ish presidenti amerikan është "hakmarrë" ndaj kryeministrit aktual të Kosovës:
"BILL CLINTON DËNON KURTIN DHE POLITIKËN E TIJ: Ish-presidenti amerikan, të cilit Prishtina i ngriti një monument, befasoi publikun".
"Ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton, në një deklaratë befasuese ka kritikuar ashpër veprimet e kryeministrit të …Kosovës, Albin Kurti", thuhet në artikull dhe vijohet me citimin e Klinton:
"Është e lehtë për shqiptarët që tani janë në shumicë, të përpiqen të shfrytëzojnë momentin për të arritur qëllimin. Por tani është e rëndësishme që të ndalojmë këtë marrëzi. Në Kosovë po ndodh një mosmarrëveshje që do të doja të mos kishte ndodhur kurrë. Nuk është më vendimi im, por kosovarët i krijuan ato katër qytete për të mirën e serbëve, kështu që tani duhet t’u japin katër kryetarë komunash. Unë mendoj se nuk duhej të kishte zgjedhje në veri…
Nëse mendoni për këto katër qytete në veri, ato drejtohen nga njerëz që preferojnë dominimin sesa bashkëpunimin. Shpresoj se shqiptarët do të mund t’i tregojnë botës se si duket një e ardhme gjithëpërfshirëse".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd