Transmetuar më 17-11-2023, 09:33

Lionel Messi nuk mundi ta ndihmonte Argjentinën të zgjaste serinë e saj të pamposhtmërisë që nga titulli i Kupës së Botës 2022. Uruguaji i mundi argjentasit 2-0 në stadiumin “Bombonera” në Buenos Aires, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës. Kjo ishte fitorja më e madhe deri më tani e uruguajanëve nën drejtimin e trajnerit të ri Marcelo Bielsa.

Argjentina nuk kishte humbur një ndeshje konkurruese që nga hapja e fazës së grupeve kundër Arabisë Saudite, gjatë Kupës së Botës 2022. Po kështu, nuk kishte humbur në shtëpi që nga 1-0 ndaj Paraguajit në vitin 2016, gjithashtu gjatë kualifikimeve të Kupës së Botës.

Brazili vazhdoi fushatën e tij të dobët kualifikuese me humbje 2-1 ndaj Kolumbisë, disfata e dytë radhazi kjo e pesë herë kampionëve të botës. Sulmuesi Luiz Diaz shënoi dy gola me kokë për të udhëhequr përmbysjen mbresëlënëse në stadiumin “Metropolitano” të Barranquilla, me babain e tij që festonte në tribuna vetëm disa ditë pasi u lirua nga pengmarrësit.

Kjo ishte fitorja e parë e Kolumbisë ndaj Brazilit në kualifikueset e Kupës së Botës, në 15 ndeshje. Argjentina ende kryeson grupin kualifikues të Amerikës së Jugut me 10 ekipe, me 12 pikë në 5 ndeshje. Uruguaji është i dyti me 10 pikë. Kolumbia ka 9 pikë dhe Venezuela 8 pikë.

https://www.youtube.com/watch?v=kCOeYkKm9pI

Brazili do të presë kampionët e botës në stadiumin “Maracana”, në Rio de Zhaneiro, teksa ndodhet në vendin e pestë, me 7 pikë. Ekuadori, Paraguaji dhe Kili kanë nga 5 pikë. Bolivia ka 3 pikë dhe Peruja një pikë.

Kupa e Botës 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada do të përfshijë 48 ekipe finaliste, që do të thotë kualifikim direkt për 6 ekipet më të mira nga Amerika e Jugut. Skuadra e vendit të shtatë mund të kualifikohet përmes “play off”-it ndërkontinental.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd