

SERBI – Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Serbi, në shtëpinë e të moshuarve në Veliki Bork afër Barajevës. Një i moshuar në rrethana ende të paqarta dyshohet se i ka vënë flakën dyshekut ku flinte dhe si pasojë zjarri ka përfshirë gjithë katin e godinës.
Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, dhe sipas mediave serbe si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 8 persona dhe janë plagosur shtatë të tjerë, ndërsa janë evakuar personat e tjerë që ndodheshin në godinë.
Sipas raportimeve zjarri është shuar, ndërsa në shuarje kanë marrë pjesë një numër i madh i zjarrfikësve dhe makinave zjarrfikëse.
Ministri i Punës, Veteranëve dhe Çështjeve Sociale Nemanja Staroviç tha për mediat vendase, se sipas të dhënave të para paraprake, ka indikacione se zjarri ishte zjarrvënie e qëllimshme nga i moshuari, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Siç shtoi ai, Shtëpia e të Moshuarve “Ivanoviç” kishte licencë të vlefshme dhe të gjitha kushtet e nevojshme për mbrojtje nga zjarri. Ai theksoi se është siguruar strehim urgjent për të evakuuarit. Staroviç shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd