Transmetuar më 20-01-2025, 09:49

Zbardhen dëshmitë e dy vëllezërve Klisman dhe Arjon Hasaj të arrestuar për vrasjen e Ramazan Mataj në Shkodër, ngjarje e cila ndodhur në 5 janar 2025 në fshatin Dragoç. Tashmë janë siguruar dëshmitë e plota të dy vllezërve, ku njëri prej tyre Klismani, ka dhënë deklarime të detajuara duke treguar se armën e kishte siguruar ai, pasi e mbante të fshehur prej vitesh në tavanin e një shtëpie të vjetër.

Ndërsa vëllai tjetër Arjon Hasaj, ka pohuar se menjëherë pas vrasjes së Ramazan Mataj, ai telefonin me të cilin e ka futur në kurth përmes profilit falso “Majli 544”, e ka thyer dhe hedhur në lumin “Kir”. Sipas dokumenteve të siguruara, rezulton se Klisman Hasaj, ndër të tjera ka deklaruar se, viktima ka pasur shumë vite marrëdhënie me motrën e tyre të vogël dhe nuk pranonte të hiqte dorë, megjithëse i ishte kërkuar një gjë e tillë.

Klismani sqaron se, megjithëse janë munduar të merren vesh me viktimën Ramazan Mataj, ky i fundit largohej duke mos pranuar të flasë për këtë pjesë. Nisur nga ky fakt, me vëllain e tij Arjonin, deklaron se, kanë menduar që ta vrisnin duke u shprehur se i kishin turpëruar para të gjithë fisit, fshatit dhe personave që i njihnin

Sipas thënieve të Klismanit, është Arjoni personi që ka hapur një faqe në internet me qëllim kapjen e Ramazanit. Ndërsa armën e kishte gjetur Klismani para disa viteve dhe e kishte mbajtur të fshehur në tavanin e shtëpisë. Natën e ngjarjes, deklaron Klismani, armën ia ka dhënë Arjonit, i cili ia ka sjellë rreth orës 21:00 të mbrëmjes pasi i ka thënë se e kishte vrarë Ramazanin.

Armën deklaron se, e ka mbajtur të një shtëpi e vjetër afër banesës dhe në mbrëmjen e datës 6 janar e ka groposur në qoshe të shtëpisë mbrapa. Deklarime për faktin e vrasjes ka dhënë dhe vëllai tjetër Arjon Hasaj, i cili fillimisht është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale dhe në vazhdim me cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, duke u shprehur se u qëndron deklarimeve.

Ai ka dhënë shpjegimet e tij duke sqaruar se krimin e ka kryer i vetëm, telefonin që ka përdorur për komunikim e ka thyer dhe e ka hedhur në lumin Kir. Në përfundim të deklarimit, ai shprehet se, ndjehet i penduar për krimin, por se, gjithashtu ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale. Arjon Hasaj, fillimisht u zbulua nga numri person i telefonit me të cilin kishte hapur profilin e rremë “Majli 544”, me anën e të cilit u shtir sikur ishte femër dhe futi në kurth Ramazan Mataj, të cilin më pas e vrau në periferi të fshatit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit