Lautaro Martinez është një flamur i Interit, ndoshta me zikaltrit për gjithë jetën. “Toro” është simboli i kësaj skuadre, kapiteni, sulmuesi, idhulli i tifozëve. Vitet e fundit, Milano është bërë shtëpia e tij, ashtu siç ishte bërë e Javier Zanettit, i cili në fakt ishte i rëndësishëm për ta sjellë në Itali në vitin 2018.
Sulmuesi argjentinas ka demonstruar një lidhje gjithnjë në rritje me fanellën dhe dëshira e tij, e përsëritur në çdo mënyrë, është të qëndrojë te zikaltrit për një kohë të gjatë. Prandaj, shkruan “Gazzetta dello Sport”, projekti i klubit zikaltër do të ishte për të rinovuar kontratën e tij deri në vitin 2028.
Kontrata aktuale e sulmuesit në fjalë skadon në vitin 2026, kështu që nuk ka nxitim. Sigurisht që fillimisht klubi do të dëshirojë të diskutojë rinovimet e Mkhitaryan, Dimarco dhe Dumfries, të cilat kanë afate më të afërta, por ekziston edhe dëshira për të mbyllur zgjatjen e marrëveshjes me Lautaro, i cili pas ndeshjes në fushën e Real Sociedad tregoi se tashmë po mendon për të ardhmen: "Rinovimi është një temë që më intereson".
Më pas janë deklaratat verore të agjentit të argjentinasit, Alejandro Camano, i cili pa e nxituar Interin, i kërkoi në disa raste Lautaros “njohjen që meriton”, që do të thotë një rregullim ekonomik në rritje krahasuar me marrëveshjen e fundit të nënshkruar në tetor të dy viteve më parë (6 milionë euro, plus bonuse).
Tani është ende herët për të folur me shifra, por pas afrimeve të para pozitive me agjentin në muajt në vijim, Interi do të hyjë në detaje rreth negociatave, do të flitet edhe për zgjatjen e afatit, i cili duhet të vendoset më 2028. Nëse ky rinovim bëhet realitet, do të bëheshin 10 vite tek Interi, ashtu si kapiteni i fundit zikaltër para “Toro”, Samir Handanovic.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd