Transmetuar më 10-02-2017, 14:00

Tiranë, 10 shkurt 2017, NOA.al- Policia e Shtetit bën përgjegjëse policinë private për grabitjen e ndodhur ditën e djeshme në zonën e Qafë Kasharit, kur u mor një shumë e konsiderueshme parash nga një bankë e nivelit të dytë teksa po transportohej drejt aeroportit të Rinasit.

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato në një dalje të sotme për mediat, renditi shkeljet e konstatuara nga kompania private e sigurisë “Jaguar”, të cilës i’u hoq dhe licenca.

Nga analiza paraprake e ngjarjes ai informoi se rezulton se subjekti Shoqëria Private e Sigurisë Fizike “Jaguar”, i cili ka kontratë shërbimi për shoqërimin e vlerave monetare me BKT nga 1 maji 2015 me afat dy vjeçar, ka shkelur rregullat e mëposhtme:

-Mjetet për transportimin e vlerave monetare ishin të modifikuara dhe nuk plotësonin kriteret, pavarësisht se në lejen e qarkullimit të lëshuara nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit të Transportit Rrugor janë shënuar “automjet i prodhimit të veçantë”.

-Kamerat e instaluara në mjetin e blinduar nuk ishin të aktivizuara në momentin e ndodhjes së ngjarjes.

-Njëri nga drejtuesit e mjetit të blinduar nuk kishte autorizim për të qarkulluar me këtë mjet.

-Punonjësit e shërbimit ishin të pajisur me armë zjarri, por nuk kanë reaguar në përputhje me ligjin “Për përdorimin e armëve”.

-Mjetet e gjurmimit nuk ishin vendosur sipas procedurave standarde për shoqërimin e vlerave monetare.

-Të dy automjetet e shoqërimit të vlerave monetare nuk kishin logon dhe stemën e Shoqërisë Private të Sigurisë Fizike.

-Punonjësit e shërbimit të eskortës nuk kanë njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit, dhe nuk kanë bashkëpunuar me to në momentin e ndodhjes së ngjarjes sipas procedurave standarde.

-Qendra e kontrollit të SHPSF “JAGUAR” nuk funksionoi për menaxhimin e këtij shërbimi.

Bazuar në shkeljet e kryera, Komisioni i Shqyrtimit të Kërkesave për Licencim dhe Certifikim, në Drejtorinë e Përgjithshme për Sigurinë Publike, gjatë paradites së sotme, ka vendosur “heqjen e certifikatës të titullarit dhe drejtuesit teknik i subjektit të SHPSF “Jaguar” shpk, nënkategorisë 1.3 B, me seli ne Tiranë.

Po ashtu ai tha se Drejtoria e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar nga subjektet SHPSF, në takimet e zhvilluara me ta, respektimin e ligjit “Për Shërbimin Privat të Sigurisë Publike” dhe akteve të tjera normative, që synojnë në rritjen e performancës së këtij shërbimi dhe parametrave të sigurisë.

“Edhe gjatë takimit të fundit të datës 8 Shkurt 2017, i organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, u ngritën problematika serioze, që kanë të bëjnë me trajtimin e ulët financiar të personelit dhe pajisjen me mjetet e duhura bashkëkohore të sigurisë fizike. Ruajtja dhe sigurimi i 469 degëve dhe filialeve të Bankave të Nivelit të Dytë në të gjithë vendin, bëhet nga  92 SHPSF, me 469 punonjës të cilat kryejnë shërbim vetëm turni i parë dhe për kohën tjetër, ruhen dhe sigurohen me anë të sistemeve të alarmit.

Sigurimi dhe shoqërimi i vlerave monetare bëhet nga 23 SHPSF, me 501 punonjës shërbimi të certifikuar, të pajisur me 336 armë, dhe me 103 mjete të blinduara”, u shpreh Qato.

Ai ngriti si shqetësim faktin se bankat nuk investojnë sa duhet për sigurinë fizike të tyre dhe të sigurimit të vlerave monetare gjatë transportit.

Po ashtu, tha ai, bankat lidhin kontrata abuzive me SHPSF-të respektive, me çmime jashtë kritereve ligjore dhe nuk marrin për bazë rritjen e parametrave të sigurisë, por vetëm anën ekonomike duke ulur koston e tyre, e cila ndikon në uljen e parametrave të sigurisë.

“Sot në datën 10 Shkurt 2017, me gjithë ngjarjen e ndodhur dje, përsëri BKT ka shoqëruar vlera monetare me shoqërinë SHPSF “Jaguar”, e cila nuk plotëson kriteret dhe i është hequr certifikata. Policia e Shtetit, menjëherë ka marrë masa për bllokimin e kësaj eskorte dhe kthimin përsëri të Bankë. Me miratimin dhe hyrjen ne fuqi edhe të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë”, Bankat dhe SHPSF-të duhet t’i përgjigjen detyrimeve të përcaktuara në ligj dhe aktet normative në zbatim të tij”, deklaroi Qato.

Ai tha po ashtu se Policia e Shtetit në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave, po punojnë për përmirësimin e kuadrit ligjor ekzistues, në lidhje me sigurimin e objekteve bankare, kategorizimin e niveleve të mjeteve të blinduara, trajnimin e personelit të shërbimit SHPSF dhe detyrat dhe përgjegjësitë e gjithë subjekteve të përfshira.

Me Urdhër të Drejtorit të Policisë së Shtetit është ngritur një grup pune, me qëllim inspektimin dhe kontrollin e veprimtarisë së gjithë SHPSF-ve që veprojnë në Republikën e Shqipërisë. Për ato shoqëri që do të kenë mangësi dhe shkelje, do të propozohet heqja e licencës së tyre.

“Policia e Shtetit i kujton publikut se SHPSF janë subjekte që ruajnë sigurinë publike dhe si të tilla duhet të marrin të gjitha masat që të zbatojnë detyrimet që u njeh ligji. Mospërmbushja e këtyre detyrimeve do të sjellë si pasojë heqjen e licencës dhe deri në ndjekjen penale të atyre që abuzojnë me sigurinë e qytetarëve”, tha në mbyllje Altin Qato.

Ai nënvizoi se Policia e Shtetit po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive dhe autorëve para ligjit.

Grabitja e parave, ministri Tahiri: BKT dhe policia private dështuan

Shkon në 6 numri i të arrestuarve për grabitjen pranë Rinasit, policisë private i hiqet licenca

Grabitja pranë Rinasit, deputeti i PS kërkesë Tahirit: Policia të padisë bankën

Grabitja rrugës për në Rinas, cila është siguria e detyrueshme në transportin e parave

Skema 3D, si u grabit shuma marramendëse e bankës në makinat e blinduara

Policia jep detaje për grabitjen në Rinas: Grabitësit prenë me motosharrë blindat

Grabitja në afërsi të Rinasit, arrestohen policët privatë që shoqëronin paratë

Aksion nga ajri dhe toka për kapjen e grabitësve, flet roja: Si na plaçkitën maskat

Grabitja afër Rinasit, rrëfehet dëshmitari: Ishin pesë persona, qëlluan me armë

Pamjet nga grabitja e makinës që transportonte paratë e bankës drejt Rinasit

Grabitet rrugës për në Rinas, makina që transportonte paratë e një banke

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd