Transmetuar më 09-02-2017, 16:10

Lidhur me grabitjen e ndodhur mesditën e sotme, në rrugën drejt Rinasit, arrihet të sigurohet dëshmia e një personi i cili filmoi momentin e plotë të grabitjes së dy automjeteve që transportonin para të një banke të nivelit të dytë drejt Rinasit. Nga vendi ku ndodhi grabitja, dëshmitari, identiteti i të cilit për shkaqe sigurie nuk publikohet, ka qenë vetëm 50 metra larg.

Ai pohon për “BalkanWeb” se ka parë 5 persona të veshur me kamuflazh të cilët dolën nga një fuoristradë dhe një makinë tjetër dhe nën kërcënimin e armëve kanë marrë 7 thasë me para. Sipas tij autorët kanë qëlluar edhe me armë në ajër për të trembur punonjësit e kompanisë private të sigurisë.

“Dëshmitari ka qenë 50 metra larg autoblindin. Ka parë një fuoristradë. Ka dëgjuar një shpërthim. Në ato momente, fuoristrada ka goditur në pjesën ballore blindën, e më pas kanë dalë nga mjeti punonjësit e sigurisë. Sipas dëshmitarit, grabitja është kryer nga 5 persona, të armatosur.

Njëri ishte me trup të shkurtër dhe të tjerët ishin më të gjatë. Duke hasur kundërshtimin e punonjësve, ata e kanë pasur të vështirë që të kryenin grabitjen. Autorët kanë marrë 7 thasë me para, të zeza dhe bezhë. Goditja ballore është hera e parë e një skenari”, pohoi gazetarja Klodjana Lala, duke iu referuar dëshmisë së personit që u gjend shumë pranë vendit ku ndodhi grabitja, në Qafën e Kasharit, pranë rrugës së Rinasit.

Mësohet se autorët kanë qenë me dy makina. Ata kanë ndjekur makinën e blinduar që kishte me vete paratë e bankës dhe në afërsi të një universiteti që ndodhet në këtë segment rrugor, e kanë përplasur makinën e blinduar.

Nuk është e qartësuar ende nëse automjeti i blinduar ishte duke lëvizur drejt Rinasit apo jo. Por ajo që thuhet paraprakisht, është që pasi e kanë aksidentuar qëllimisht blindin, autorët nën kërcënimin e armëve kanë marrë paratë, shumë ende e pasaktësuar, dhe janë larguar.

 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd