
Pesë punonjësit e kompanisë private të sigurisë që po shoqëronin paratë e një banke të nivelit të dytë drejt Rinasit, kur u grabitën, u arrestuan.
Arrestimi i tyre u bë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi sipas rregullores, ata duhej të reagonin në momentin e sulmit të grabitësve dhe të qëllonin drejt tyre.
burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit: Xhelil Metaj, 43 vjeç punonjës SHPSF, Gentian Dedja, 31 vjeç punonjës SHPSF, Përparim Logu, 39 vjeç, punonjës SHPSF, Endrit Daçi, 31 vjeç, shofer i shoqërisë, Dashamir Balla, 42 vjeç shofer i shoqërisë.
Ndërkohë, aksioni për gjetjen e autorëve të grabitjes vazhdon dhe në të janë përfshirë edhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
Autorët kanë djegur mjetet me të cilat kanë lëvizur në zonën e Tapizës. Megjithëse të djegura, grupi hetimor shpreson që me anë të ekspertizës të gjejë gjurmë gishtërinjsh të njërit prej autorëve, që dyshohet se janë pesë të tillë.
Po ashtu, ekspertiza do të kryhet edhe tek mjetet e kompanisë private të sigurisë për gjetjen e provave që mund të çojnë drejt identifikimit të autorëve.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi sot në Qafë-Kashari, pranë rrugës për në Rinas. Pesë persona të armatosur dhe të veshur me kamuflazh nën kërcënimin e armëve arritën të merrnin një shumë nga 100 mijë euro deri në 2 milionë euro, por asgjë e konfirmuar zyrtarisht.
Pesë autorët pasi goditën një prej blindave, thyen me mjete të forta një prej xhamave të makinës dhe nën kërcënimin armëve kanë marrë thasët me para. Më pas ata kanë djegur makinat e tyre pranë urës së Limuthit, afër Qafë Kasharit.
Edhe në dhjetor të vitit 2015, në të njëjtin aks rrugor u grabitën 3.5 milionë euro. Kjo dosje u mbyll me gjashtë policë privatë të dënuar për shpërdorim detyre, ndërsa dosja u veçua për pesë grabitësit, të cilët ende nuk janë identifikuar.
Grabitja tjetër është edhe ajo e 900 mijë eurove brenda ambienteve të Aeroportit të Rinasit. Edhe për këtë dosje u arrestuan dhe janë nën hetim një pjesë e madhe e policisë private dhe ata të ruajtjes së sigurisë së aeroportit./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





