


Pas grabitjes së ndodhur mesditën e sotme të një banke të nivelit të dytë janë marrë në pyetje punonjësit e firmës private të sigurisë që po transportonin shumën monetare drejt aeroportit të Rinasit.
Një nga punonjësit e policisë private ka deklaruar se u qëlluan direkt me armë zjarri nga grabitësit, ndërsa shtoi ai se fillimisht rezistuan, por më pas e hapëm derën.
"Ne ishim 5 punonjës policie, dy ishim te blindi i parë, ndërsa tre ishim te i dyti. Grabitësit erdhën dhe na qëlluan direkt me armë zjarri. U trembëm. Nuk e hapëm derën fillimisht, pastaj e hapëm. Grabitësit ishin 4 dhe na thanë shtrihuni në tokë dhe mos lëvizni", ka deklaruar ai para grupit hetimor.
Grabitja ndodhi mesditën e sotme rreth orës 14:00, ndërsa shuma monetare ishte në dy makina të blinduara. Ndërkohë grabitja e shtatë thasëve me lekë ka ngritur në “këmbë” Policinë e Shtetit.
Mësohet se një helikopter është bërë pjesë e aksionit për kapjen e grabitësve, i cili po bën kërkime nga ajri për lokalizimin dhe më pas kapjen e tyre.
Sipas “News24” mësohet se policia ka siguruar informacione mbi vendndodhjen e grabitësve, të cilët u larguan në drejtim të paditur pasi dogjën mjetin e tyre në Urën e Limuthit, ndërsa dyshohet se ata fshihen në Domje.
Po ashtu ekspertët bëjnë të ditur se mjetet që transportonin paratë e bankës nuk kanë plotësuar kushtet e sigurisë. Mësohet se dy mjetet kanë pasur kamera sigurie, ndërsa ato nuk kanë pasur një server qendror.
Pra nëse, kamerat e sigurisë nuk kanë qenë të ndezura, nga vendngjarja nuk ka asnjë provë. Sakaq, në vendin e ngjarjes është gjendur vetëm një shenjë e vogël gjaku, por nuk dihet se kujt i përket, ndërsa do i nënshtrohet analizave.
Ndërkohë përveç nga ajri, policia vijon aksionin dhe nga toka në fshatin Budullë, por dhe në të gjitha rrethinat e kryeqytetit. Raportohet se janë ngritur postoblloqe në të gjitha pikat hyrëse dhe dalëse të Tiranës. Po kontrollohen të gjitha mjetet.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





