Transmetuar më 09-02-2017, 20:03

Policia ka arrestuar pesë punonjësit e policisë private, të cilët shoqëronin paratë e bankës BKT, të cilat u grabiten sot në Rinas. Pesë punonjësit e policisë private janë arrestuar për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Policia dyshon se ata nuk kanë vepruar sipas procedurave standarde në momentin e grabitjes, edhe pse kanë qenë të armatosur. Policia ka dhënë edhe detaje për atë që ka ndodhur sot për herë të parë.

Njoftimi i policisë- Kronologjia e ngjarjes

Në orën 13:10 njofton patrulla e policisë se mjetet e blinduara të Shoqërisë Private sigurisë fizike kanë kaluar në drejtim të Rinasit.

Në orën 13:24, ka ardhur telefonatë te numri i emergjencave 112, se në afërsi të Universitetit “Epoka”, ka të shtëna me armë.

Me marrjen e njoftimit patrulla e policisë është nisur në drejtim të vendit ku është marrë   telefonata.

Sqarojmë se në mes të rrugës është konstatuar trafik nga patrulla dhe janë detyruar të lënë makinën dhe të shkojnë më këmbë në drejtim të Universitetit.

Në orën 13:29 shkon shefi i Komisariatit Vorë në vendin e njoftuar lidhur me ngjarjen.

Në orën 13:34 ka ardhur një tjetër telefonatë, nga punonjësi i firmës private i cili ka kërkuar ndihmë policore.

Në orën 13:35 patrulla e policisë mbërrin në vendngjarje dhe ka marrë kontakt me drejtuesin e mjetit të shoqërisë fizike.

Ata i kanë shpjeguar oficerit të patrullës së përgjithshme lidhur me ngjarjen.

Sqarojmë se nga Salla Operative e shoqerisë përkatëse nuk eëhtë dhënë asnjë njoftim  mbi ngjarjen e ndodhur në sallën operative të Drejtorisë Vendore Policisë Tiranës.

Në vendngjarje janë konstatuar dy automjete të përshtatura si të blinduara të një shoqërie private, që po transportonin në drejtim të Rinasit vlera monetare.

Në këtë aks rrugor këtyre mjeteve u është ndërprerë rruga nga një automjet tip fuoristradë duke e goditur fugonin e blinduar të shoqërisë private dhe prej tij kanë dalë dy persona të paidentifikuar të cilët dyshohen të kenë qëlluar me armë gomën e përparme të makinës së parë dhe me anë të një sendi të fortë kanë thyer xhamat e automjetit të blinduar duke zbritur me forcë punonjësit e policisë private dhe duke i shtrirë në tokë.

Në të njëjtën kohë një tjetër automjet i dyshuar i autorëve  kanë sulmuar makinën e shoqëruese të dytë të shoqërisë private duke neutralizuar punonjësit  e shoqërisë private të cilët ndodheshin në  të.

Pasi kanë marrë sasinë e parave, ata janë larguar me të dy automjetet e tyre.

Sqarojmë se automjetet e shoqërisë fizike të përshtatur si mjet i blinduar janë dëmtuar nga autorët në pjesën e pasme duke përdorur mjet prerëse të dyshuar motosharrë dhe marrë më pas shumën e parave.

Gjithashtu është konstatuar se kamerat e mjeteve të përshtatura si blind kanë qenë të fikura dhe GPS nuk ka qenë i vendosur në thasët e parave por në një thes i cili u gjet i vendosur poshtë sediljes së shoferit.

Në vendngjarje janë fiksuar gëzhoja.

Nga shërbimet policore, janë konstatuar/gjetur dy mjete që po digjeshin pranë disa banesave, në vendin e quajtur "Rruga e Hajdutëve” në Fushë Prezë.

Nga verifikimi i kryer dyshohet se këto mjete të jenë të autorëve, të përdorura në vendngjarje.

Shumat monetare që po transportoheshin në drejtim të Rinasit ishin të një banke të nivelit të dytë, shumë e cila ende e papërcaktuar.

Si rrjedhojë janë arrestuar shtetasit: Xhelil Metaj, 43 vjeç punonjës SHPSF, Gentian Dedja, 31 vjeç  punonjës SHPSF, Përparim Logu, 39 vjeç, punonjës SHPSF, Endrit Daçi, 31 vjeç, shofer i shoqërisë, Dashamir Balla, 42 vjeç shofer i shoqërisë. Vazhdojnë hetimet per dokumentimin e plote te ngjarjes.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd