

Berisha-protestuesve: E nderuat 22 marsin! Edi Rama, jep dorëheqjen ose do përfundosh ashtu siç s’ta pret mendja

Tiranë, 22 mars 2026, 20:55 – Është mbyllur protesta kombëtare e Partisë Demokratike, ndërsa kreu i saj, Sali Berisha, ka dalë para mbështetësve nga selia demokrate duke falënderuar pjesëmarrësit dhe duke e cilësuar tubimin si një nga më të rëndësishmit.
Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se protestuesit “nderuan 22 marsin”, duke iu referuar përmbysjes së diktaturës komuniste 34 vite më parë, ndërsa e cilësoi protestën si një goditje ndaj asaj që ai e quajti “diktatura e sotme”.
“Me guximin, trimërinë dhe qëndresën tuaj e nderuat këtë datë historike dhe i dhatë goditjen më të merituar diktaturës së sotme. Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe tjetra do të jetë edhe më e fuqishme”, deklaroi Berisha.
Ai paralajmëroi vazhdimin e protestave, duke theksuar se nuk do të ketë “paqe” deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. “Edi Rama, jep dorëheqjen sa më shpejt, përndryshe do të përfundosh siç nuk ta pret mendja”, u shpreh ai.
Gjatë deklaratës, Berisha foli edhe për incidentin që ndodhi gjatë protestës, duke e cilësuar si një akt që vetëm sa shton vendosmërinë e opozitës. “Ajo që ndodhi ishte një akt i shëmtuar, por vetëm sa rrit vendosmërinë e qytetarëve për të vazhduar këtë betejë”, tha ai.
Kreu i PD theksoi se protesta e sotme ishte një “demonstratë e shkëlqyer”, duke shtuar se tubimet e ardhshme do të jenë edhe më të mëdha. Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të njoftohen hapat e radhës të opozitës.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me formatin e protestës, e cila u zhvillua pa podium dhe pa fjalime në shesh, Berisha u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë të përshtasë format e saj të reagimit, por theksoi se objektivi kryesor mbetet largimi i qeverisë.
“PD ka marrë përsipër misionin për përmbysjen e këtij regjimi. Agjenda jonë do të pasurohet vazhdimisht, por ajo që është jetike është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij nga pushteti”, deklaroi ai.
MINUTË PAS MINUTE
20:45
Protesta drejt mbylljes, Berisha dhe ndjekësit e tij i drejtohen selisë së PD, pas një marshimi që zgjati 2 orë.
20:38
Dy efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” janë dëmtuar si pasojë e hedhjes së bombave molotov nga protestuesit në drejtim të punonjësve të Policisë.
Aktualisht, të dy efektivët po transportohen drejt Spitalit Ushtarak, për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, njofton Policia e Shtetit.
Berisha nuk heq dorë! Pasi u ndje keq dhe shkoi në shtëpi, rikthehet në protestë
20:23
Tension te rruga e Elbasanit jo larg xhamisë së re, protestuesit hedhin shumë flakadanë. Ka reagim energjik nga policia, hidhet ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
20:16
Kryedemokrati Sali Berisha është larguar nga protesta pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore pas hedhjes së gazit lotsjellës.
Përplasje pranë Kryeministrisë, Berisha largohet pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore
Pak minuta më pas ai iu ribashkua protestës.
20:15
Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e para të protestuesve të Partisë Demokratike.
Tensione pranë AKSHI-t gjatë protestës së PD, përdoret gaz lotsjellës ndërsa hidhen flakadanë
20:00
Reagon deputeti i PS, Taulant Balla:
"Deputetët e një partie që paguhen nga taksat e qytetarëve dhe që i vënë zjarrin makinave të Policisë së Shtetit do duhet ta paguajnë dëmin nga pagat e tyre!"

Reagim nga Taulant Balla:
"Ndërsa anëtarët e Parlamentit Europian apo të Bundestagut gjerman bëjnë thirrje se “protestat e dhunshme s’kanë vend në demokraci”, Partia Demokratike i hedh molotovët me flamujt e BE dhe gjermanë në duar."

19.45
Kur ka kaluar një orë nga nisja e marshimit protestë, kanë ndodhur disa incidente. Disa protestues kanë hedhur flakadanë në drejtim të institucioneve dhe në rrugë.
Policia e mirëpajisur ka reaguar me shpejtësi duke përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës.
‘Parti e krimit’! Hidhet molotov edhe drejt selisë së PS-së; ndërhyrje e policisë
19:31
Tensione në protestë, incidente pranë institucioneve – dëmtohet një automjet policie
Vijojnë tensionet në protestë: molotovë drejt Ministrisë së Brendshme, policia përdor gaz lotsjellës
Situata gjatë protestës së Partisë Demokratike është tensionuar, ndërsa janë regjistruar incidente pranë disa institucioneve qendrore. Sipas informacioneve nga vendngjarja, protestues kanë hedhur mjete piroteknike dhe janë shënuar përplasje në disa zona të kryeqytetit.
Një automjet i Policisë së Shtetit është dëmtuar dhe ka marrë flakë pranë zonës së Bankës së Shqipërisë. Fillimisht incidentet janë raportuar pranë Kryeministrisë, ndërsa më pas janë shtrirë edhe në drejtim të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Infrastrukturës dhe selisë së Partisë Socialiste.
Protesta, e paralajmëruar prej ditësh, po zhvillohet këtë të diel para Kryeministrisë, me pjesëmarrje të qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës. Autoritetet ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa pritet një pasqyrë më e plotë mbi zhvillimet në vijim.
19:00
Përshkallëzohet protesta, pak minuta pasi nisi, flakë me shishka benzine dhe shpërthime para Kryeministrisë. Ka reagim të shpejtë nga policia duke hedhur ujë me presion. Gazetari i noa.al ndodhet pranë Kryesisë së Kuvendit dhe njofton se po ndjek ecurinë e protestës dhe marshimin e pjesëmarrësve. Ai njofton se sapo u përdor edhe gaz lotsjellës.
Protesta e opozitës në Tiranë, nis me incidente dhe hedhje molotovësh
18:45
Nis zyrtarisht protesta e PD, me 45 minuta vonesë.
18:44
Protesta po drejtohet nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka, të cilët janë në krye të turmës së protestuesve. Me ta janë dhe Agron Gjekmarkaj e Luciano Boçi. Më herët ishte raportuar se deputetët e PD nuk do t’i prinin protestuesve.
18:31
Protesta po zhvillohet në formën e një marshimi, me lëvizje të vazhdueshme të qytetarëve dhe jo me përqendrim në një pikë të vetme. Itinerari i saktë ende nuk është përcaktuar përfundimisht dhe mbetet në diskutim nga organizatorët, të cilët theksojnë se aktiviteti nuk do të ketë një drejtim apo organizim qendror.
Protesta e opozitës në Tiranë: ‘Blindohet’ me gardh metalik edhe xhamia e Namazgjasë
18:25
Bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit‘ mes piramidës dhe kryeministrisë ka nisur të mbushet me qytetarë që vijojnë të vijnë nga të gjitha akset hyrëse për t’iu bashkuar protestës marshim.
Policia blindon edhe vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha pas incidenteve të protestës së kaluar
18:16
Protesta kombëtare e PD, një numër qytetarësh i bashkohen opozitës para Kryeministrisë
PËRMBLEDHJE – Tiranë, 22 mars 2026 – Ashtu siç ishte paralajmëruar prej ditësh, Partia Demokratike nis këtë të diel protestën e saj kombëtare para Kryeministrisë. E thirrur në orën 18, ajo ende nuk ka filluar.
Kreu i PD, Sali Berisha, ka mbërritur në selinë blu i veshur sportiv, ndërsa qytetarët kanë nisur të grumbullohen përpara nisjes së tubimit. Vetë Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në shesh, duke e cilësuar këtë ditë si një moment të rëndësishëm për demokracinë në vend.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, tubimi i sotëm nuk pritet të ketë fjalime, pasi në shesh vërehet mungesa e një podiumi.
Ndërkohë, si çdo herë para protestave të opozitës, godina e Kryeministrisë është rrethuar me gardhe metalike sigurie. Policia e Shtetit ka njoftuar gjithashtu për bllokimin e disa rrugëve kryesore gjatë zhvillimit të protestës.
Një ditë më parë, Berisha bëri me dije se deputetët e Partisë Demokratike do t’i bashkohen protestuesve në zonat e tyre, duke forcuar pjesëmarrjen në këtë tubim.
Protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe të zhvillohet nën masa të shtuara sigurie.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





