Gjakmarrja vijon të mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri. Ndërsa Shkodra është rajoni kryesor në vend për ngujimit, pas nuk mbetet dhe Lezha fqinje.
Të paktën 30 familje të ngujuara numërohen vetëm në Lezhë.
Janë familje kryesisht të ardhura nga zonat verilindore, për të ikur sa më larg vendit ku ka ndodhur ngjarja që i ka zhytur në ngujim.
Drama thellohet me çështjen e fëmijëve që duhet të arsimohen dhe këtu është futur në "lojë" një shoqatë për pajtim të gjaqeve.
Pjetër Gjoka nga kjo shoqatë thotë se është arritur që fëmijët të nxirren nga ngujimi, me qëllim ndjekjen e shkollës, por shton se diçka e tillë është arritur pas shumë përpjekjesh.
“Ka 2-3 vjet që nnuki kemi fëmijët të ngujuar edhe pse kemi 30 familje të ngujuara. Për fëmijët kemi ndërmjetësuar dhe sensibilizuar të gjithë opinionin”, thotë Pjeter Gjoka misionar i pajtimit të gjaqeve.
E ndërsa fëmijët po arrijnë të shkojnë në shkollë, telashet nuk mbarojnë këtu për këto familje që janë përfshirë në vrasje.
Problem mbeten vështirësitë ekonomike të këtyre familjeve për të përballuar jetesën, çka po reflektohet edhe tek fëmijët të cilët ndjekin shkollën.
“Ajo që kemi problem aktualisht është që mundësia ekonomia e këtyre familjeve është e vështirë për të përballuar edhe shpenzimet e fillimit të vitit të ri shkollor”, thotë Pjetër Gjoka.
Përse deri në gjakmarrje?
Pronat mbeten shkaktari kryesor i konflikteve që çojnë në gjakmarrje, një plagë e vjetër për shoqërinë shqiptare, ku edhe pse autorët vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia, kanuni vijon të merret në konsideratë edhe në ditët e sotme.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd