Transmetuar më 15-05-2024, 14:34

Ambasadori i Serbisë, Slobodan Vukçeviç është thirrur dje në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu kërkuan sqarime në lidhje me deklaratat që zv. Kryeministri Vulin ka bërë, referuar vizitës dhe takimit të Kryeministrit Rama me diasporën shqiptare në Greqi.

Pas takimit Vulin u shpreh se ‘vetëm bota serbe e ndal Shqipërinë e Madhe dhe ndaj kërkohet aleancë me Athinën’.

Deklarata provokuese e zyrtarit serb është në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit.

Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe kjo është në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë.

MEPJ pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd