Transmetuar më 06-06-2024, 13:44

SHBA- Udhëtimi me safari i një familjeje në një park të kafshëve të egra në Teksas mori një kthesë të tmerrshme kur një gjirafë reagoi papritur ndaj një vajze të vogël. Videoja e publikuar nga babai i vajzës Jason Totten, tregon vajzën 2-vjeçare të ulur në prehrin e nënës së saj në pjesën e pasme të një kamioni gjatë një turneu në Fossil Rim Park.

Nëna e Paisley zgjatet për t’i ofruar ushqim gjirafës që i është afruar kamionit, kur papritmas kafsha kap vogëlushen me gojë dhe e ngre lart. Në atë moment dëgjohet klithma e nënës.

Një video tjetër e marrë nga pasagjerët e një automjeti pas kamionit zbulon se fatmirësisht gjirafa e ngriti vajzën e vogël vetëm disa centimetra dhe më pas e hodhi pothuajse menjëherë në krahët e nënës së saj.

Në një deklaratë për mediat amerikane, shefi i marketingut i Qendrës Fossil Rim Wildlife në Glen Rose tha se menaxhmenti i qendrës u informua për incidentin dhe menjëherë ndërmori hapa për të parandaluar që diçka e tillë të përsëritej. Një nga këto masa është ndalimi i vizitorëve të parkut që të marrin pjesë në turin "safari" të ulur në pjesën e pasme të një kamioni.

“Ishte një aksident, gjirafa nuk donte. Ishte thjesht diçka që ndodhi. Ne nuk kemi inat as me kafshën dhe as me parkun” tha babai i vajzës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd