Muzikë, top dhe gola. Kur flet Leao, nuk është kurrë i mërzitshëm. Në një intervistë për edicionin portugez të GQ, numri 10 i Milanit foli në 360 gradë për karrierën e tij dhe atë që do të dëshironte të arrinte me fanellën kuqezi: "Duhet të vazhdojmë të rritemi. Jam i sigurt se Milani do të jetë në gjendje për ta fituar Champions League. Po flas për veten time, jam i ri dhe e synoj atë”.
Milani ka një moshë mesatare rreth 26 vjeç. Disa sezone më parë kjo shifër ishte dukshëm më e ulët. Lojtarët u rritën së bashku: "Ne kemi luajtur tashmë shumë ndeshje në Serie A dhe më shumë se 20 në Ligën e Kampionëve, kështu që përvoja është aty. Pra, mund të arrijmë qëllime të rëndësishme".
Ashtu si gjysmëfinalja e Champions-it sezonin e kaluar, të humbur kundër Interit: "Zikaltrit ishin superiorë. Ata kanë një skuadër të kompletuar, si në formacionin startues, ashtu edhe në stol. Kjo bëri diferencën në ndeshje, pastaj ne kishim disa mungesa".
Leao foli edhe për të ardhmen: "Milani më priti mirë, nëse do të kisha menduar të largohesha nuk do të rinovoja. Jam i fokusuar të bëj gjëra të mëdha në dy ose tri vite te Milani".
Deklarata e fundit është për Arabinë Saudite, e cila po i josh yjet europianë me kontrata faraonike financiare: "Nuk kam arritur ende rezultate të mëdha për të shkuar në një kampionat të tillë. Një Champions League vlen më shumë se rroga 10 milionë euro…"
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd