Transmetuar më 08-09-2023, 12:00

Pas vitesh pa qenë në gjendje ta shijojë statusin e titullarit të Gjermanisë, pavarësisht paraqitjes së tij të shkëlqyer me Barçën, portieri Marc ter Stegen dëshiron të tregojë se ka ardhur koha për të qenë i padiskutueshëm me kombëtaren e tij. Këtë e deklaroi në konferencën për shtyp para miqësores kundër Japonisë, e planifikuar për të shtunën, 9 shtator.

"Po, unë jam numri një. E kam pritur prej kohësh këtë moment. Do të bëj gjithçka për ta ruajtur statusin", nënvizoi Ter Stegen, i cili nuk hezitoi të tregonte se "në 2017 apo 2018, Neuer ishte padyshim numri një”, por që tani “situata ka ndryshuar”.

Ai ka besim se do të ketë shansin e tij në Kampionatin Evropian, verën e ardhshme, që do të luhet pikërisht në Gjermani. Pavarësisht deklaratës së tij të fortë, duke pretenduar pronësinë e portës së Gjermanisë, Ter Stegen e inkurajoi Neuer në procesin e rikuperimit nga dëmtimi i rëndë, por e bëri të qartë se është i fokusuar të ketë një paraqitje të mirë në miqësoret e ardhshme kundër Japonisë dhe Francës për të fituar besimin e trajnerit Hansi Flick.

"Nuk e di se në cilën fazë të karrierës së tij është Manu. Pas një dëmtimi kaq të rëndë, më e rëndësishmja është që ai të kthehet në fushë. Shpresoj që ta shijojë sërish futbollin, nuk mund të ndikoj në këto çështje. Unë nuk mund t’i them trajnerit se çfarë të bëjë. Fokusi im është se çfarë mund të tregoj në dy ndeshjet e ardhshme".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd