Magazinë
Transmetuar më 11-09-2024, 00:15

Si sot 23 vjet më parë, atë pasdite të 11 Shtatorit 2001, Nju Jorku dhe mbarë bota u tronditën nga një ngjarje shokuese: avionë të mbushur me pasagjerë dhe ekuipazh, devijuar drejt dy kullave binjake duke i hedhur në erë ato. Për pasojë, vdiqën 2.979 njerëz, shumica prej tyre qytetarë të Nju Jorkut.

Hetimet zbardhen më pas se ishin 19 anëtarë të rrjetit Al Kaeda të cilët rrëmbyen 4 avionë linjash ajrore në bregun lindor të SHBA-së, për të goditur Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork si dhe Pentagonin në Uashington.

Ora 08.38:

Administrata Federale e Aviacionit alarmon NORAD e cila kujdesohet për mbikëqyrjen ajrore, se avioni i linjës American Airlines Fluturimi 11 nga Bostoni në Los Angeles, është rrëmbyer.

Ora 08.46:

Fluturimi AA 11, një Boeing 767 me 92 pasagjerë, godet kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Katet e sipërme përfshihen nga flakët pas goditjes, në fasadë duket një vrimë e madhe nga çarja që krijoi depërtimi i avionit. Shumë njerëz mbetën të bllokuar, qindra punonjës të ekipeve të shpëtimit nxitonin në kompleksin e ndërtesave në jug të Manhattan-it.

Ora 09.03:

Një avion i dytë nga "United Airlines" me 65 pasagjerë, i cili kishte drejtimin nga Bostoni për në Los Angeles, godet kullën jugore të Qendrës Botërore Tregtare në Nju Jork. Goditja monitorohet nga e gjitha bota drejtpërdrejt në media.

Ora 09.30:

Presidenti Amerikan George W. Bush, i cili vizitoi një shkollë në Sarasota, Florida, para shtypit tha se: SHBA ishte nën sulm nga terroristët.

Ora 09.37:

Një Boeing 757 i American Airlines, që udhëtonte me 64 pasagjerë nga Uashingtoni për në Los Angeles, godet Pentagonin dhe bën që një pjesë e krahut perëndimor të Departamentit të Mbrojtjes të rrëzohet plotësisht.

Ora 09.45:

Administrata Federale e Aviacionit FAA mbyll hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara, të gjithë aeroplanët ulen në aeroportet më të afërta. Në Uashington, Shtëpia e Bardhë evakuohet.

Ora 09.59:

Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet nën një re pluhuri. Qindra civilë dhe punëtorë të shpëtimit janë varrosur nën rrënojat e kullës.

Ora 10.03:

Një Boeing 757 nga United Airlines me 44 pasagjerë në avion, i cili ishte në fluturim nga Nju Jorku për në San Francisko, rrëzohet pranë Pitsburgut, Pensilvani, në një fushë. Pasagjerët kishin mësuar për sulmet, nëpërmjet linjës telefonike dhe kishin ngritur krye kundër rrëmbyesve, duke u shuar edhe vetë.

Ora 10.28:

Kulla veriore e Qendrës Botërore Tregtare, rrëzohet. Në Jug të Manhattan-it shtrihet një shtresë e trashë pluhuri dhe mbeturina të kullës veriore.

Ora 12.39:

Presidenti Bush deklaron se autorët do të mbanin përgjegjësi. Forcat e armatosura amerikane janë futur në gatishmëri më të lartë. Pas deklaratës Presidenti u izolua në Bazën e Forcave Ajrore Offutt në Nebraska.

Ora 13.50:

Kryetari i bashkisë së Uashingtonit, Anthony Williams, shpall gjendjen e jashtëzakonshme.

Ora 15.35:

Një përfaqësues i qeverisë amerikane, thotë se rrjeti terrorist i Osama bin Ladenit "Al Kaeda", dyshohet të jetë pas sulmeve.

Ora 17.20:

Një ndërtesë afër kullave binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet. Ndërtesa ishte dëmtuar rëndë nga rrëzimi i Kullave Binjake.

Ora 20.30:

Presidenti Bush u kthye në Shtëpinë e Bardhë dhe mban një fjalim televiziv për popullin e SHBA-së. Ai thotë se do të merren në përgjegjësi të gjithë ato që ishin kryesues të sulmit po edhe ato të cilët u japin strehim atyre.

***

Që atëherë, do të niste aksioni ndërkombëtar i luftës anti-terrorizëm, iniciuar nga kabineti i ish-presidentit amerikan, Xhorxh Bush, që drejtonte administratën e SHBA-ve në atë periudhë.

Ngjarjet e këtyre viteve pasuan me një sensibilizim të lartë të opinionit ndërkombëtar për luftën që duhej zhvilluar kundër terrorizmit që cënonte botën, pasuar me sulme direkte ndaj vendeve për të cilat administrata amerikane dhe aleatët e saj në tërësi ishin të mendimin se nxisnin terrorizmin, si Afganistani apo Iraku.

Në vitet e para të kësaj lufte, entuziazmi i administratës ishte i lartë, për misionin që po kryente, në kuadrin e zhdukjes së terrorizmit, por ai duket se nisi të bjerë më pas, pas viktimave të shumta amerikane që u shkaktuan në luftrat në Lindjen e Mesme.

Për këtë arsye, administrata e presidentit të ri amerikan, Barak Obama, vendosi nisjen e procesit të largimit të trupave amerikane nja Iraku si edhe një sërë masash të tjera si ajo e mbylljes së burgut të Guantanamnos, ku mbaheshin të mbyllur të dyshuarit për terrorizëm, etj.

n.e/NOA

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit