Magazinë
Transmetuar më 09-09-2024, 20:15

QIPRO – Përfaqësuesja e Kosovës zgjohet pas disfatës me Rumaninë dhe merr fitoren e parë në këtë edicion të Nations League. Dardanët këtë të hënë fituan në transfertë ndaj Qipros me rezultatin e thellë 4-0 në një ndeshje ku ishte pa 3 prej titullarëve të saj.

Në prag të kësaj përballjeje, trajneri Foda largoi nga grumbullimi për thyerje te disiplinës Muric, Zhegrovën dhe Muslijan, por mungesa e tyre nuk u ndje në fushën e lojës, teksa ai që mori përdore ekipin ishte Vedat Muriqi autori i 2 prej golave të kësaj ndeshjeje. Vetëm 9 minuta i mjaftuan Kosovës për të marrë avantazhin pikërisht me sulmuesin e Mallorcas që ekzekutoi saktë një 11 metërsh.

‘Pirati’ u bë protagonist për përfaqësuesen Dardane sërish 12 minuta më vonë teksa shënoi sërish në portën e Qipros duke e cuar në 2-0 rezultatin dhe pikërisht me këtë rezultat skuadrat iu drejtuan dhomave të zhveshjes.

Edhe pjesa e dytë nisi me gol dhe ishte sërish Kosova që e gjeti rrugën e rrjetës këtë radhë me anë të Albion Rrahmanit i cili i coi shifrat në 3-0.

Të besuarit e Franko Fodës nuk e lanë me kaq, teksa në minutën e 55 plotësuan pokerin e golave teksa Lumbardh Dellova shënoi golin e katërt.

Në minutat e mbetura historitë e kësaj ndeshjeje nuk ndryshuan dhe rezultati mbeti 4-0 në favor të Kosovës që pas dy ndeshjeve e sheh veten në vendin e dytë me 3 pikë duke e parakaluar Qipron që vinte pas fitores me Lituaninë në transfertë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit