Transmetuar më 04-11-2020, 00:04

Zgjedhjet në Amerikë, Trump, akuza për vjedhje votash. Biden: Kur të gjitha votat të numërohen, ne do të jemi fitues

Amerikanët votuan dhe tani presin që të shpallet fituesi i zgjedhjeve presidenciale për të kuptuar se kush do të jetë kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, apo Joe Biden.

Duket se të gjitha shifrat avantazhojnë Joe Biden, 77 vjeçarin ish nënpresident në administratën Obama.

Biden, i cili gjendet në politikë prej 47 vjetësh, nëse merr 270 nga 538 votat elektorale, do të jetë i katërti kandidat që fiton përballë një presidenti në detyrë.

Nëse Trump humb, do të jetë i pari pas Bushit, Klintonit dhe Obamës që nuk fiton mandatin e dytë dhe të fundit presidencial pasi që të tre, Bush, Klinton dhe Obama, fituan nga dy mandate.

Vëmendja tek presidenti, por u votua edhe për një të tretën e Senatit dhe për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve.

Më poshtë noa.al ju sjell një maratonë minutë pas minute me zhvillimet në kohë reale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

LIVE

Rezultatet live

Click the map to create your own at 270toWin.com

MINUTË PAS MINUTE

22:06 | Rezultatet e numërimit të votave deri në mbrëmje 

PENSILVANI

Biden: 49.5% 3,311,673 vota

Trump: 49.3% 3,298,011 vota

XHORXHIA

Biden: 49.4% 2,450,381 vota

Trump: 49.4% 2,448,778 vota

ARIZONA

Biden: 49.9% 1,562,200 vota

Trump: 48.6% 1,521,246 vota

NEVADA

Biden: 49.7% 627,104 vota

Trump: 48.1% 606,967 vota

KAROLINA E VERIUT

Trump: 50.0% 2,732,120 vota

Biden: 48.6% 2,655,383 vota

18:14 | Biden, më afër shpalljes së fitores, merr epërsi në Pensilvani dhe Xhorxhia

Kandidati demokrat Joe Biden i është afruar më shumë shpalljes së fitores në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në shtetin përcaktues të Pensilvanisë, ai ka tani merr kryesimin me 49.4% kundrejt 49.3% të Presidentit Donald Trump, ose 5,594 vota më shumë. Pensilvania ka 20 vota elektorale dhe e sjell zotin Biden më pranë shpalljes së fitores. Në Pensilvani janë numëruar 95% të votave.

Në orët e mëngjesit të së premtes, kandidati Biden doli gjithashtu në epërsi në shtetin e Xhorxhias i cili ka 16 vota elektorale. Gara është shumë e ngushtë dhe zoti Biden udhëheq me rreth një mijë vota në këtë shtet ku janë numëruar 99 për qind e votave.

Numërimi i votave vazhdon edhe në dy shtete të tjera: Arizona dhe Nevada, ku zoti Biden ka epërsinë.

Presidenti Trump publikoi disa komente në Twitter në orët e para të mëngjesit të premten, ku përsëriti disa nga ankesat që kishte bërë para një dite nga Shtëpia e Bardhë.

"Unë e FITOJ lehtësisht presidencën e Shteteve të Bashkuara me VOTAT E LIGJSHME TË HEDHURA,” tha ai në Twitter, pa ofruar ndonjë provë se janë hedhur vota të paligjshme.

Twitter i vuri një etiketë postimit si “ndoshta i pasaktë”, siç ka vepruar edhe me postime të tjera të shumta të Presidentit Trump që nga dita e zgjedhjeve.

Zoti Biden aktualisht kryeson në votën popullore si dhe në shifrat e Kolegjit Zgjedhor, 253-214. Për të fituar presidencën, një kandidati i duhet shumica prej 270 votash elektorale.

Në sistemin e Kolegjit Zgjedhor amerikan fituesi i votës popullore në secilin shtet – me dy përjashtime, Mejn dhe Nebraska – merr të gjitha votat elektorale të atij shteti, të cilat ndahen në bazë të popullsisë.

18:10 | Hetohen dyshime për një komplot 

Policia e Filadelfias tha të premten se po heton një komplot të pretenduar për të sulmuar Qendrën e Konferencave të Pensilvanisë, ku po vazhdon numërimi i votave. Policia tha se mori një informacion në lidhje me një kamion me njerëz të armatosur që po shkonte drejt vendit të numërimit të enjten. Ajo tha se kishte arrestuar dy persona dhe u kishte konfiskuar armët.

17:26 | Biden rrit epërsinë në Pensilvani

Në shtetin "fushëbetejë" të Pensilvanisë kandidati demokrat Joe Biden po e shton epërsinë ndaj Presidentit Donald Trump duke arritur në 9,027 vota më shumë. Në shtetin e Arizonës, epërsia e tij është 43,569 me vota, sipas Edison Research.

16:59 | Zyrtarët presin rinumërim votash në Xhorxhia

Sekretari i Shtetit i Xhorxhias, Brad Raffensperger, tha të premten se ai pret që në këtë shtet të ketë një rinumërim votash për shkak të diferencës së vogël mes kandidatëve. Në këtë shtet “fushëbetejë”, demokrati Joe Biden ka një epërsi të vogël mbi Presidentin Donald Trump me pak më shumë se 1.000 vota. Zoti Raffensperger tha se në Xhorxhia mbeten edhe 4,169 vota për t’u numëruar.

16:14 | Ekipi elektoral i Presidentit Trump: Zgjedhjet nuk kanë përfunduar ende

Avokati i ekipit elektoral të presidentit Trump, u shpreh përmes një postimi në Twitter se "parashikimi fals i fitores së Joe Biden-it, bazohet në rezultatet e katër shteteve ku shifrat janë larg së qëni përfundimtare". "Në Xhorxhia", thotë ai, "do të ketë rinumërim", duke shprehur besimin se do të gjenden pasaktësi që do t’ia japin fitoren Presidentit Trump. Në Nevada, shton më tej avokati i ekipit elektoral, "ka dyshime se mijëra vota me postë janë të paligjshme". Presidenti, përfundon avokati Matt Morgan, do të fitojë në Arizona, përkundër parashikimeve të gabuara të rrjetit Fox News dhe agjencisë së lajmeve Associated Press, që ia kanë dhënë këtë shtet zotit Biden.

Deri në këtë moment, Biden kryeson në Arizona me 47052 vota, në Xhorxhia me 1098, në Nevada me 11438 dhe në Pensilvani me 6826.

11:19 | Biden në epërsi në Xhorxhia

Në orët e mëngjesit të së premtes, kandidati demokrat Joe Biden doli në epërsi në shtetin e Xhorxhias me16 vota elektorale. Gara është shumë e ngushtë dhe zoti Biden udhëheq me një mijë vota në këtë shtet ku janë numëruar 99 për qind e votave.

Numërimi i votave po vazhdon edhe në tri shtete të tjera që mund të jenë vendimtare: në Arizona dhe Nevada, ku zoti Biden është në përparësi dhe në Pensilvani, ku epërsia e presidentit Trump ka rënë në 18 mijë vota.

06:56 | Tkurret sërish Trump

Në Xhorxhia, me 16 vota elektorale, avantazhi i Presidentit Trump prej 9 mijë votash para deklaratës së tij në Shtëpinë e Bardhë u pakësua në vetëm 3 mijë vota.

Edhe në Pensilvani, avantazhi i Presidentit Trump ra në vetëm 64 mijë vota, ndërsa sasi të mëdha votash vazhdojnë të numërohen.

00:30 | Tkurret Trump, flet Biden

Ndërkohë që avantazhi i presidentit Donald Trump po zvogëlohet orë pas ore në shtetin kyç të Pensilvanisë, që do t’i jepte automatikisht fitoren Joe Biden, kandidati demokrat doli pak minuta më parë në një prononcim të shkurtër për mediat, ku rekomandon durim dhe bindje që nuk duhet pritur shumë për rezultatin, që e sheh tashmë dukshëm në rolin e favoritit.

“Çdo votë duhet të numërohet, demokracia shpesh herë është e rrëmujshme, por sistemi i qeverisjes tonë ka qenë gjithmonë dhe është e admiruar nga e gjithë bota. Ju kërkoj të gjithëve të rrini të qetë, dhe do të mësojmë së shpejti rezultatet”, ishin fjalët e Joe Biden.

Në Pensilvani, diferenca e votave në favor të Trump është tkurrur gjatë 24 orëve të fundit, dhe tani është rreth 98 mijë vota, kur mungojnë ende disa qindra mijë vota që vijnë nga zona elektorale të cilësuara si demokrate.

Një tjetër shtet i nxehtë është Xheorxhia, ku Trump kryeson me rreth 13 mijë vota, por tashmë sytë e amerikanëve dhe jo vetëm, i drejtohen kryesisht Pensilvanisë.

00:16 | Joe Biden: Kam fituar, sistemin tonë e ka zili bota

Kandidati demokrat për president, Joe Biden në një deklaratë për gazetarët në Uilmington të Delauerit të ejten tha se ai është njoftuar nga zyrtarët mbi zhvillimet e fundit në lidhje me pandeminë e koronavirusit dhe gjendjen ekonomike të vendit. Ai gjithashtu bëri thirrje për durim, qetësi dhe për numërimin e çdo vote. "Çdo votë duhet të numërohet dhe këtë do ta shohim ne tani. Kështu duhet të jetë. Demokracia nganjëherë është e ngatërruar, nganjëherë ajo kërkon durim. Por ky durim është shpërblyer për 200 vjet. Ky sistem i qeverisjes ka qenë zilia e botës", tha ai. Zoti Biden theksoi se ai nuk ka dyshim se ai dhe senatorja Harris do të shpallen fitues të zgjedhjeve pas përfundimit të numërimit të votave.

23:04 | Çfarë zgjedhjesh janë këto?

Thuajse të gjithë analistët besonin se gara do të ndahej në Pensilvani, por askush nuk qëlloi në shenjë.

Të gjithë shpërfillën Nevadën, shtetin ku ndodhet i famshmi Las Vegas, duke thënë se nuk ka peshë të madhe.

Por ja që nuk qenka kështu, sepse ky shtet që ka veç 6 vota elektorale në 538, duket se do të përcaktojë fatin e dy rivalëve.

Kështu, rrezikon shumë që 3 a 4 mijë vota të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve ku u thirrën më shumë se 150 milionë votues.

23:01 | Paralajmërim nga Trump

Presidenti Donald Trump ka reaguar sërish, ndërsa votat po numërohen në 6 shtete amerikane, rezultati i të cilave do të tregonte dhe fituesin e garës për Shtëpinë e Bardhë.

"Nëse numërohen votat e ligjshme, unë i fitoj me lehtësi zgjedhjet! Nëse numërohen votat e paligjshme dhe votat me vonesë, ata mund t’i vjedhin zgjedhjet!”, ka thënë Presidenti Trump.

23:00 | Dita e tretë, ende nuk ka një fitues në presidencialet amerikane 

Edhe e enjtja pa fitues në zgjedhjet presidenciale me kandidatin demokrat Joe Biden që i është afruar shumicës së votave të Kolegjit Elektoral dhe Presidentin Trump që po kërkon ndërprerjen e numërimit, ndërsa republikanët po ngrejnë padi gjyqësore për parregullsi në numërimin e votave.

Zoti Biden kryeson 253 me 214, për 270 votat e Kolegjit Elektoral, që i duhen fituesit. Numërimi vazhdon në katër shtete që do të përcaktojnë fituesin: Xhorxhia dhe Pensilvania në lindje dhe Arizona e Nevada në perëndim.

Zoti Trump kryeson në Xhorxhia e Pensilvani, ndërsa zoti Biden në dy të tjerat, por kryesimet janë në shifra të ulta, që i bën këto shtete ende të pavendosura.

Nëse kryesimi i zotit Biden në Arizona (11 vota elektorale) dhe Nevada (6 vota elektorale) mbetet deri në fund, ai do të siguronte 270 votat e duhura elektorale dhe do të bëhej presidenti i 46 i Shteteve të Bashkuara në janar, pavarësisht rezultatit në Pensilvani ose Xhorxhia.

Zoti Trump do të duhet të ruajë kryesimin në Pensilvani (20 vota elektorale) dhe Xhorxhia (16 vota elektorale) dhe të marrë veç tyre Arizonën, ose Nevadën, që të fitojë zgjedhjet.

Rezultati është i ngushtë në të katër shtetet. Në Xhorxhia, zoti Trump kryeson me rreth 14 mijë vota, ndërsa ka edhe 50 mijë fletë-votime ende të panumëruara.

Në Pensilvani, zoti Trump kryeson me 108 mijë vota, por numri i votave të panumëruara është rreth 500 mijë.

Zoti Biden kryeson me 12 mijë vota në Nevada dhe me 68 mijë në Arizona. Por ka ende shumjë vota pa u numëruar në të dyja shtetet.

Zoti Trump ka ende mundësi të fitojë në shtetet ku kryeson rivali Biden, si dhe të fitojë në Xhorxhia dhe Pensilvani.

Zoti Biden kryeson në votën popullore 71.8 milionë me 68.1 milionë. Por është Kolegji Elektoral ai që përcakton fituesin dhe jo vota popullore.

Përmes një postimi në Twitter zoti Trump kërkoi ndërprerjen e numërimit, por nëse shifrat do të ishin këto të tanishmet, Trump do të humbiste, duke u bërë presidenti i tretë, në katër dekadat e fundit, që nuk arrin të rizgjidhet pas mandatit të parë.

21:09 | Miçigan, gjyqtarja hedh poshtë padinë e fushatës së Presidentit Trump

Një gjyqtare në Miçigan refuzoi të pranonte një padi gjyqësore të ngritur nga fushata e Presidentit Donald Trump, që synonte ndalimin e numërimit të votave në këtë shtet “fushëbetejë”.

Mediat kanë parashikues kandidatin demokrat Joe Biden si fitues në Michigan, një shtet të cilin republikani Trump e fitoi në vitin 2016.

Gjyqtarja e Gjykatës së Ankimimit në Miçigan Cynthia Stephens e mori vendimin gjatë një seance të enjten. Ajo tha se do të publikonte një vendim me shkrim të premten.

Zyrtarët e fushatës së zotit Trump thanë se e kishin ngritur padinë për të ndalur numërimin në Miçigan dhe për të patur qasje më të madhe në procesin e numërimit.

19:00 | Deklaratë e re nga Presidenti Trump

"Nëse numërohen votat e ligjshme, unë i fitoj me lehtësi zgjedhjet! Nëse numërohen votat e paligjshme dhe votat me vonesë, ata mund t’i vjedhin zgjedhjet!

17:09 | Padi ligjore nga ekipi i Presidentit Trump

Presidenti Donald Trump ndërmerr hapin e parë që mund të çojë në një betejë të zgjatur ligjore.

Në tre shtete kyçe të betejës elektorale për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve, në Xhorxhia, Miçigan dhe Pensilvani, zyrtarët e fushatës elektorale të zotit Trump paraqitën të mërkurën padi gjyqësore për menaxhimin e votave me postë, ndërsa në Uiskonsin ekipi elektoral i Presidentit Trump ka kërkuar rinumërimin.

Synimi është të pezullohet numërimi i votave të shumta të dërguara nëpërmjet postës, për të cilat Presidenti Trump ka deklaruar, pa paraqitur prova, se janë të manipuluara dhe se po shtojnë shanset e sfiduesit demokrat Joe Biden për të fituar zgjedhjet.

Ish-Nënpresidenti Biden është shpallur fitues në Miçigan dhe Uiskonsin, por ende nuk është shpallur rezultati në Xhorxhia dhe Pensilvani.

“Kërkojmë të shohim votat që u hapën dhe u numëruan ndërkohë që ne nuk patëm qasje të mjaftueshme”, tha menaxheri i fushatës Trump, Bill Stepien, në një deklaratë ku njoftoi padinë në Miçigan. Paditë u paraqitën pasi Presidenti Trump sinjalizoi më herët të mërkurën në mëngjes se do t’i drejtohet drejtpërdrejt Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin e miliona votave me postë.

Ekspertët ligjorë thonë se nuk ekziston mekanizmi që Presidenti Trump t’i drejtohet për ndihmë Gjykatës së Lartë për të ndalur numërimin në një proces zgjedhor të ligjshëm. Megjithatë, kërcënimi sugjeron se zoti Trump po përgatitet për një betejë ligjore paszgjedhore në këtë cikël nga më të ankimuarit në historinë amerikane.

“Ekipi i zotit Trump ka ndjekur të njëtat taktika për një vit, kështu që nuk imagjinoj dot ndonjë arsye pse të ndalen pa provuar të gjitha opsionet”, tha James Gardner, profesor i jurisprudencës dhe ekspert zgjedhor në Universitetin e Buffalos.

Ndërsa Gjykata e Lartë mund të ndërhyjë për të zgjidhur një mosmarrëveshje zgjedhore, ashtu siç veproi në betejën elektorale të vitit 2000 mes republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore, pala paditëse duhet të kalojë përmes disa etapave ligjore.

14:49 | Protesta në disa qytete amerikane ndërsa rezultatet e zgjedhjeve mbeten të paqarta

Protestuesit dolën në rrugë në disa qytete amerikane të mërkurën, duke bërë thirrje për një numërim të plotë të votave, ndërsa grupe më të vogla mbështetëse të presidentit Trump u mblodhën para qendrave të numërimit të votave në Miçigan dhe në Arizona.

Policia në New York arrestoi dhjetëra njerëz të mërkurën mbrëma pas asaj që kishte qenë një demonstratë paqësore. Zyrtarët thanë se një grup i vogël njerëzish "u përpoqën të rrëmbenin" protestën duke u vënë zjarrin plehrave dhe duke u përleshur me oficerët e policisë.

Protestuesit marshuan gjithashtu në Çikago, Los Anxhelos, Seattle, Hjuston, Pittsburgh, Minneapolis dhe San Diego. Përveç thirrjes për numërimin e votave, demonstruesit theksuan gjithashtu pabarazinë racore, subjekt i protestave të shumta gjithandej Shteteve të Bashkuara këtë vit.

Në shtetin veriperëndimor të Oregonit, Guvernatorja. Kate Broën aktivizoi Gardën Kombëtare ndërsa policia në Portland i cilësoi si trazira protestat e atjeshme duke kryer edhe arrestime.

Mbështetësit e Presidentit Donald Trump shkuan në një qendër të numërimit të votave në Detroit, Miçigan, për të kërkuar ndërprerjen e numërimit. Ata në një tubim të mëvonshëm në Phoenix të Arizonaa, brohoritën "Ndalni vjedhjen".

Demonstratat e ndryshme shpërthyen ndërsa rezultati i zgjedhjeve të së martës mbeti i paqartë dhe presidenti bëri pretendime të pambështetura për mashtrim, ndërsa republikanët ngritën padi të shumta zgjedhore.

06:06 | Cilat shtete priten?

Deri më tani janë edhe pesë shtete ku akoma pritet një fitues.

Alaska: Ky është një shtet që tradicionalisht pritet të fitohet nga republikani Donald Trump, por rezultatet duken se duan dhe shumë kohë që të shpallen. Votat me postë dhe ato që mundojnë mund të mos numërohen deri javën tjetër.

Xhorxhia: Joe Biden dhe Donald Trump kanë një diferencë me vetëm 1% të votave në këtë shtet, i cili papritur është kthyer në konkurrues. Numërimi do të vazhdojë në mbrëmje.

Karolina e Veriut: Donlad Trump ka një epërsi të ngushtë. Shumë nga votat e mbetura pritet të favorizojnë demokratët, por edhe në këtë shtet rezultatet priten në javën e ardhshme.

Nevada: Numërimi në shtetin perëndimor nuk ka ndalur dhe vazhdon edhe gjatë mbrëmjes, megjithatë zyrtarët kanë njoftuar se rezultatet do të shpallen të nesërmen në drekë. (Ditën e enjte në mbrëmje në Europë).

Pensilvania: Gjatë të mërkurës, votat favorizuese ndaj Donald Trump u zvogëluan në mënyrë të vazhdueshme, pas numërimit në zonat urbane dhe periferike. Megjithatë Trump kryeson, por si në Karolinën e Veriut, pritet që Demokratët ta përmbysin rezultatin e deritanishëm.

Një fitore e Biden në cilindo prej këtyre shteteve (përveç Alaskës) do t’i siguronte demokratëve presidencën. Ndërsa presidenti Trump duhet t’i fitojë të gjithë.

01:34 | Demokrati Biden fiton Miçiganin

Sipas parashikimeve kandidati demokrat Joe Biden ka fituar në shtetin e Miçiganit, duke siguruar 16 vota elektorale të këtij shteti. Miçigani që tradicionalisht voton për demokratët, ishte një nga shtetet që Presidenti Donald Trump e fitoi në vitin 2016.

00:50 | Biden në avantazh të thellë ndaj Trump

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden duket më afër fitores së zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai ka deri tani, ora e parë e të enjtes 5 nëntor, 264 vota elektorale, kurse Trump vetëm 214. Tani Bajdenit i mjaftojnë edhe 6 vota elektorale që të jetë fitues.

22:36 | Trump fut në lojë gjykatën

Fushata e presidentit amerikan, Donald Trump, tha se ka nisur procese gjyqësore në shtetet kyçe të Miçigenit dhe Pensilvanisë, për të ndaluar numërimin e fletëvotimeve nga zgjedhjet e 3 nëntorit.

Fushata pretendoi se ka mungesë të qasjes dhe të transparencës sa u përket hapjes së fletëvotimeve.

“Kemi ngritur padi në Gjykatën e Kërkesave në Miçigen për të ndaluar numërimin, derisa të jepet qasje kuptimplote”, tha përmes një deklarate fushata e Trumpit.

Në Pensilvani, fushata i akuzoi zyrtarët zgjedhorë për moslejimin e “vëzhguesve” të saj që të jenë më afër se 8 metra nga kutitë e votimit.

“Po padisim edhe për të ndaluar përkohësisht numërimin, derisa të ketë një transparencë kuptimplote dhe republikanët të sigurohen se numërimi bëhet sipas ligjit”, tha një zyrtar i fushatës.

Paditë vijnë edhe pse nuk ka asnjë provë të keqbërjes nga ana e zyrtarëve zgjedhorë.

Nga pesë shtetet kyçe ku gara është ende tejet e ngushtë, Trump prin në Xhorxhia dhe Pensilvani, ndërsa rivali i tij demokrat, Joe Biden, në Arizonë, Miçigen dhe Nevada.

22:28 | Biden: Është e qartë që kam fituar 

Ish-nënpresidenti Joe Biden bëri një deklaratë ku tha se ndihet shumë mirë për pozicionin e fushatës së tij në Pensilvani dhe shtoi se “është e qartë se ne po fitojmë mjaftueshëm shtete për të fituar presidencën”.

“Miçigani mbyllet sot dhe jemi shumë optimistë me Pensilvaninë, ku 75% i votave me postë janë demokrate. Në votën popullore jemi përpara me 3 milionë”, deklaroi kandidati demokrat, optimist pas fitores në Uiskonsin.

“Unë dhe Kamala Harris do të kemi fituar më shumë vota sesa çdo president tjetër demokrat”, shtoi Biden duke pranuar se “ka qenë një fushatë e vështirë në një kohë të vështirë, por kur këto zgjedhje të përfundojnë, duhet të lejmë pas retoriken, të ulim tonet dhe të dëgjojmë sërish njeri-tjetrin, me respekt, për të bashkuar kombin. Nuk do të jetë e lehtë, por kjo është fitore për të gjithë”, tha kandidati demokrat të mërkurën pasdite.

21:38 | Fushata e Presidentit Trump kërkon ndaljen e numërimit të votave në Miçigan

Fushata e Presidentit Trump tha të mërkurën pasdite se kishte ngritur padi gjyqësore që kërkon të ndalë numërimin e votave në Miçigan, pasi sipas saj nuk i ishte dhënë qasje e mjaftueshme në vendet e numërimit të votave për të vëzhguar hapjen e kutive të votimit. Kandidati Biden kryeson me 45,000 vota nga më shumë se 5 milion të hedhura në Miçigan.

20:16 | Ekipi i Presidentit Trump kërkon rinumërim të votave në Uiskonsin

Kryetari i i ekipit elektoral të Presidentit Trump tha se do të kërkojë rinumërimin e votave në Uiskonsin. "Presidenti është brenda kufirit të lejueshëm për të kërkuar rinumërimin dhe do ta bëjmë këtë menjëherë. Ka patur njoftime për parregullsi në disa zona të shtetit që ngrejnë dyshime serioze për vlefshmërinë e votave", u shpreh zëdhënësi Bill Stepien.

20:07 | Biden fiton në Uiskonsin

Agjencia e lajmeve AP raporton se kandidati demokrat, Joe Biden, ka fituar shtetin e Uiskonsinit.

Uiskonsini i siguron atij dhjetë vota elektorale

19:37 | Pse nuk ka ende fitues të zgjedhjeve në SHBA?

Pse duhet kaq shumë kohë për të mësuar se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së?

Njëzet vjet më parë, rreth një orë pasi vendvotimet u mbyllën në Bregun Lindor të SHBA-së, përfshirë këtu shtetin jashtëzakonisht të rëndësishëm të Floridës, televizionet raportuan: Fitoi demokrati Al Gore, duke e mundur republikanin George W. Bush.

Ky ishte nëntori i vitit 2000 dhe vota e ngushtë popullore e bënte të vështirë shpalljen përfundimtare të fituesit.

Megjithatë, disa orë më vonë, rrjetet televizive bënë diçka të paparë: derisa numëroheshin votat shtesë, përfshirë votat me postë, ato e tërhoqën deklaratën e tyre për fitoren e Gore dhe shpallën fitoren e Bushit.

Pastaj, diferenca u ngushtua deri në atë pikë saqë u urdhërua rinumërimi.

Për 36 ditët e ardhshme, avokatët vëzhgonin dhe luftonin për votimet në Florida.

Bush nuk u shpall fitues deri më 12 dhjetor, 2000, pasi Gjykata Supreme e SHBA-së ndërhyri dhe urdhëroi t’i jepej fund rinumërimit në Florida.

Nëntori i 2020-ës

Disa orë pas mbylljes së vendvotimeve më 4 nëntor të këtij viti ishte e paqartë se kush fitoi: Donald Trump, presidenti aktual, apo rivali i tij demokrat, Joe Biden.

Pse duhet kaq shumë kohë për të mësuar se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së?

Marzhet e gabimit 

Për disa arsye, elektorati amerikan është bërë gjithnjë e më i polarizuar gjatë 20 vjetëve të fundit apo më shumë.

Kjo do të thotë se, të paktën kur bëhet fjalë për zgjedhjet kombëtare, margjinat e fitores së një kandidati janë shumë më të ngushta se në vitet e kaluara.

Kjo po ashtu do të thotë më pak fitore të mëdha dhe më shumë kohë përpara se rezultati të jetë i qartë.

Fitorja e fundit e madhe ndodhi në vitin 1984, kur presidenti i atëhershëm republikan, Ronald Reagan, fitoi kundërshtarin e tij demokrat, Walter Mondale, duke fituar çdo shtet të SHBA-së, përveç Minesotës, shtetit të lindjes së Mondale.

Që nga ajo kohë, garat janë bërë gjithnjë e më të ngushta, duke e bërë më të vështirë shpalljen e shpejtë të fitores.

Gjëja tjetër për t’u kujtuar është se kur shpallet një fitues – natën e zgjedhjeve ose në orët pas – një gjë e tillë nuk bëhet nga një agjenci qeveritare.

Shpallja është jozyrtare: bëhet nga mediat amerikane – rrjetet kryesore televizive dhe kanalet kabllore, Associated Press dhe nga organizata të tjera të mëdha të lajmeve – duke u mbështetur në një algoritëm të modeleve historike të votimit, në rezultatet e exit-polleve dhe në trendët e drejtpërdrejtë gjatë numërimit të votave.

Çfarë ndryshon këtë vit?

Ashtu si në shumicën e zgjedhjeve demokratike në të gjithë botën, shumica dërrmuese e votave hidhen personalisht.

Këtë vit, është pak më ndryshe, kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit, e cila ka bërë që shtetet t’i zgjerojnë mundësitë e votuesve për të votuar me postë.

Sipas Projektit të Zgjedhjeve në SHBA, i cili mbledh statistikat zgjedhore, amerikanët kanë votuar me postë më shumë se në të gjitha zgjedhjet e mëparshme. Rreth 64 milionë vota janë hedhur me postë – pothuajse dyfishi i numrit më 2016.

Numërimi i votave me postë, i cili bëhet në nivel të secilit shtet, është një proces për të cilin nevojitet më shumë kohë sesa për numërimin e fletëvotimeve direkte.

Ky proces përfshin krahasimin e regjistrimit të votuesve dhe gjithashtu kërkon që të sigurohet se nënshkrimi në zarfin shoqërues është i saktë.

Po ashtu duhet të sigurohet që vula postare në zarfin e votës me postë ka datën e duhur dhe plotëson afatin ligjor, që është gati gjithmonë para ditës së zgjedhjeve.

Gjithashtu, shtete të ndryshme kanë rregulla të ndryshme se kur ato mund të merren nga autoritetet lokale të zgjedhjeve. Dhe, shtete të ndryshme kanë rregulla të ndryshme për numërimin e fletëvotimeve me postë.

Në Karolinën e Veriut, për shembull, zyrtarët e zgjedhjeve kanë numëruar fletëvotimet me postë për javë të tëra; rezultatet do të publikohen së bashku me votat personale, me gjasë më 4 nëntor.

Në Pensilvani, megjithatë, zyrtarët e zgjedhjeve u bllokuan nga legjislatura e kontrolluar nga republikanët, për numërimin e fletëvotimeve të marra para ditës së zgjedhjeve.

Kjo do të thotë se zyrtarët nuk kanë mundur ta fillojnë kontrollimin dhe numërimin derisa janë mbyllur votimet më 3 nëntor.

Miçigeni dhe Uiskonsini janë dy shtete të tjera, ku zyrtarëve të zgjedhjeve u është ndaluar të fillojnë procesin e përpunimit të fletëvotimeve deri në ose pak para ditës së zgjedhjeve.

Në Pensilvani, republikanët kanë bërë padi për t’i parandaluar zyrtarët të numërojnë disa fletëvotime me postë, që kanë mbërritur tre ditë pas ditës së zgjedhjeve. Çështja arriti në Gjykatën Supreme, e cila e refuzoi padinë, dhe kjo do të thotë se ato fletëvotime mund të numërohen.

Pensilvania nuk është thjesht një shtet. Këtë vit, ky shtet konsiderohet si vendimtar në përcaktimin e fituesit të përgjithshëm.

Mos harroni fletëvotimet me kusht!

Fletëvotimet me kusht janë diçka tjetër për t’u marrë parasysh. Ato mundësojnë që personat, që nuk janë fizikisht të pranishëm në shtetin e tyre të lindjes – ku ata janë të regjistruar – të votojnë.

Kjo mundësi zakonisht përdoret nga pjesëtarët e ushtrisë që janë jashtë shtetit, ose diplomatët, ose thjesht njerëz të thjeshtë që e dinë se nuk do të jenë në rrethet e tyre në ditën e zgjedhjeve.

Dallimi kryesor është se, në të kaluarën, një person duhej të jepte arsye se përse do të mungojë.

Për shkak të koronavirusit, shumë shtete i rishikuan rregullat, në mënyrë që njerëzit të mos kishin nevojë të jepnin arsye dhe, thjesht, t’i përdornin fletëvotimet me postë.

Votat me kusht ishin vendimtare në numërimin e Floridës në garën e vitit 2000.

Republikanët luftuan shumë për t’i detyruar zyrtarët lokalë të zgjedhjeve t’i pranojnë këto fletëvotime, të cilat mund të ishin refuzuar për shkak të gjërave si: mungesa e vulave postare, mungesa e nënshkrimeve të dëshmitarëve, apo edhe fletëvotimet nga votuesit që votuan dy herë.

Këto fletëvotime u bënë kryesore në Florida dhe diferenca përfundimtare e Bushit në rezultatin zyrtar ishte vetëm 537 vota.

17:30 | Rezultati në shtetet kyçe deri në orën 17:30: Arizona (11 vota elektorale) Biden 51.0%, Trump 47.6%

Edhe pse garë e ngushtë këtë vit, Arizona ka votuar për kandidatin republikan në çdo zgjedhje presidenciale – përveç vitit 1996 – që nga viti 1952. Donald Trump ka fituar me rreth 4 për qind në vitin 2016. Xhorxhia (16 vota elektorale) Trump 50.5%, Biden 48.3%

Xhorxhia ka votuar për kandidatin republikan në nëntë nga dhjetë zgjedhjet e kaluara presidenciale. Donald Trump ka fituar me rreth 5 për qind në vitin 2016. Miçigen (16 vota elektorale) Biden 49.5%, Trump 48.9%

Miçigeni ka votuar për kandidatin demokrat qysh në vitin 1992, derisa Donald Trump ua ka kthyer republikanëve atë, më 2016. Trump e ka fituar para katër vjetësh me 0.2 për qind. Nevada (6 vota elektorale) Biden 49.3%, Trump 48.7%

Nevada është shtet i lëkundur prej kohësh. Ajo ka votuar për fituesin e zgjedhjeve, përveç në dy raste, qysh në vitin 1912. Një nga këto raste ka qenë më 2016, kur kandidatja që i ka humbur zgjedhjet, Hillary Clinton, e ka fituar Nevadën me 2 për qind. Pensilvania (20 vota elektorale) Trump 54.2%, Biden 44.7%

Pensilvania ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1992, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.7 për qind. Uiskonsin (10 vota elektorale) Biden 49.6%, Trump 48.9%

Uiskonsini ka votuar për kandidatin demokrat qysh më 1988, deri më 2016, kur ka fituar Donald Trump. Trump e ka fituar atëbotë me 0.8 për qind.

16:26 | Vazhdon numërimi i votave, garë e ngushtë

Gara mes Presidentit Trump dhe rivalit Biden vazhdon të jetë e ngushtë dhe është ende e paqartë se kush do të jetë fitues. Në disa shtete kyçe mund të duhet disa ditë për të numëruar të gjitha votat.

Janë 9 shtete që ende është vështirë të përcaktohet fituesi, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Pensilvania, Miçigan, Uiskonsin, Mejn, Arizona, Nevada dhe Alaska.

Presidenti ka siguruar tashmë fitore në Ohajo, Ajova, Teksas dhe në shtetin e rëndësishëm të Floridës me 29 vota elektorale, ndërsa zoti Biden kryeson në shtetin e Arizonës. Disa rrjete televizive në Amerikë parashikojnë fitoren e zotit Bajden në Arizona. Zëri i Amerikës nuk e ka nxjerrë ende parashikimin për këtë shtet për shkak të afërsisë së numrit të votave. Në se rezultati në Arizona qëndron, do të ishte hera e parë që nga 1996 që fitohet nga demokratët. Zoti Biden ndërkohë ka fituar edhe një votë elektorale në Nebraska, që në 2016 kishte shkuar për zotin Trump.

Shtetet kyçe që pritet të përcaktojnë garën, janë ato të Pensilvanisë, Miçiganit dhe Uiskonsinit. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, një numër rekord votash u hodhën me postë dhe numërmi i tyre ka bërë që procesi të zgjatet në kohë.

11:00 | Trump fiton Floridën

Presidenti Trump fiton shtetin e Floridës me 29 vota elektorale. Dy kandidatët e shihnin Floridën si shumë të rëndësishme në këtë garë dhe e kanë vizituar shumë shpesh këtë shtet gjatë fushatës.

10:46 | Shtetet që përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve presidenciale

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të përcaktohet nga një pjesë e shteteve, të cilat do t’i fitojë ose presidenti amerikan, Donald Trump, ose sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden.

Ato luajnë rol kritik në mbledhjen e 279 votave elektorale që duhen për të fituar Shtëpinë e Bardhë.

Nga 13 shtete kritike, në shtatë ende nuk dihen rezultatet, katër i ka fituar Trump, ndërsa dy Biden.

Për shkak të rritjes së numrit të votave përmes postës, pas shpërthimit të pandemisë me koronavirus, publikimi i rezultateve përfundimtare mund të marrë disa ditë.

Akuza për vjedhje votash, stafi i Biden: Fjalët e Trumpit, skandaloze! 10:20

Bleona Qerreti publikon foto nga hoteli i Donald Trump 09:05

“Vota në 4 të mëngjesit”! Trump: Kemi fituar, por duan të na mashtrojnë 08:54

USA 2020, ylli i hip-hopit voton… për veten e tij! 08:45

Twitter censuron postimin e Trump për “zgjedhjet e vjedhura” 08:15

Zgjedhjet në SHBA, kush kryeson mes dy rivalëve për president 08:07

USA 2020/Votimi me postë, vendimtar për zgjedhjen e presidentit të ri 07:57

Biden: Jemi në rrugën e duhur. Trump akuzon: Po na vjedhin votat 07:45

Joe Biden, kush është 70-vjeçari që prej 47 vjetësh gjendet në politikën e lartë amerikane 05:33

Kush është Donald Trump, nga bizneset dhe dështimet, tek Presidenca e 45-të e SHBA-ve 04:17

03:10 | Biden po kryeson dhe në bastionin republikan, Teksas

Janë numëruar afro gjysma e votave në Teksas dhe po prin kandidati demokrat, Joe Biden.

Teksas njihet si shteti që historikisht i takon republikanëve dhe në të gjitha zgjedhjet e dekadave të fundit, kanë fituar ata.

03:06 | Biden fiton edhe Merilënd

Kandidati demokrat për Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, ka fituar edhe Maryland, duke siguruar 10 vota elektorale.

Shteti Merilend ndodhet pranë Uashingtonit, distriktin i Kolumbisë.

Maryland është një shtet në rajonin Mid-Atlantik të Shteteve të Bashkuara Juglindore, në kufi me Virxhininë, Virxhininë Perëndimore dhe Distriktin e Kolumbisë në jug dhe perëndim të tij; Pensilvania në veri të saj; dhe Delaware dhe Oqeani Atlantik në lindje të saj.

02:54 | Trump dhe Biden, fitore të tjera

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka fituar edhe Alabamën, Misisipin, Arkansasin dhe Oklahomën.

Ndërsa sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka fituar në Konektikat, Dellauer dhe Illinois.

02:24 | Biden fiton edhe katër shtete

Agjencia e lajmeve AP raporton se kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden, ka fituar zgjedhjet në Merillend, Masaçusets, Nju Xhërsi, Rod Ajllënd.

Më herët është raportuar për fitoren e Bidenit edhe në Virxhinia dhe në Vermont.

02:19 | Trump fiton Karolinën e Jugut dhe në Tenezi

Presidenti Donald Trump ka fituar në Karolinën e Jugut dhe në Tenezi, raporton agjencia e lajmeve AP.

Karolina e Jugut i jep atij nëntë vota elektorale, ndërsa Tenezi 11.

Trump e ka fituar me lehtësi Karolinën e Jugut edhe në zgjedhjet e vitit 2016, kundrejt kandidates së atëhershme demokrate, Hillary Clinton.

02:16 | Shpallen të tjera rezultate

Trump ka fituar shtetin e Virxhinian Perëndimore me 69% dhe Karolinën e Jugut me 65.6%

Ndërsa Biden ka fituar Xhorxhian me 61.8% dhe New Hampshire, me 72.2%.

02:06 | Vota e popullit, Biden kalon në avantazh

Teksa janë numëruar gati 5 milionë vota, kandidati demokrat Joe Biden ka kaluar në avantazh në bazë të votave popullore, mirëpo vazhdon të humbasë në gazë të votave elektorale, ato që në fund zgjedhin presidentin.

Biden deri tani, sipas projeksionit të CNN-it ka marrë 2,393,491 vota, kurse Trumpi 2,373,445 vota.

Trump, ka fituar 11 votat e para elektorale, kurse Bideni deri tani vetëm 3 të tilla nga 540 që janë gjithsej dhe 270 që duhen për të fituar.

01:56 | Rezultatet e para, Trump dhe Biden ndajnë fitoren në Virxhinia

Agjencia e lajmeve AP raporton se presidenti Donald Trump ka fituar në Uest Virxhinia, ndërsa sfiduesi i tij demokrat, Joe Biden, ka fituar në Virxhinia.

Më herët, AP ka raportuar për fitoren e Trumpit në Kentaki dhe për fitoren e Bidenit në Vermont.

01:47 | Rezultatet e para paraprake: Presidenti Trump fiton Indianën dhe Kentakin, demokrati Biden fiton Vermontin

Sipas parashikimeve të deritanishme, Presidenti Donald Trump ka fituar në shtetet e Indianës dhe Kentakit, ndërsa demokrati Joe Biden ka fituar në Vermont. Shteti i Indianës ka 11 vota elektorale, shteti i Kentakit ka 8 dhe shteti i Vermontit ka 3. Kjo do të thotë se deri tani Presidenti Trump ka 19 vota elektorale dhe zoti Biden, 3.

01:04 | Nis mbyllja e disa vendvotimeve në SHBA

Dy shtetet e para amerikane, ku ka nisur mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet presidenciale, janë Indiana dhe Kentaki.

Indiana, prej nga vjen zëvendëspresidenti aktual, Mike Pence, është shteti i parë federal që i ka mbyllur vendvotimet në disa prej rretheve.

Indiana ka 11 vota elektorale, ndërsa Kentaki tetë.

Për të fituar zgjedhjet, njëri nga kandidatët – Donald Trump ose Joe Biden – duhet të sigurojë 270 vota elektorale.

01:14 | SHBA, proces zgjedhor i rregullt dhe i qetë në mbarë vendin

Miliona amerikanë pritën me durim në radhë të martën për të hedhur votat në biblioteka, shkolla, pallate sporti në kushtet e një pandemie vdekjeprurëse. Pjesëmarrja pasqyronte një demonstrim të rregullt të detyrës civile që dallonte qartë nga tensionet e thella që karakterizuan fushatën e ndezur zgjedhore. Shumë votues qëndruan në rradhë me maska mbi fytyrë, ndërkohë që në shumë qytete bizneset e dyqanet kishin mbuluar dritaret me kompensata, kujtesë e dy problemeve madhore në këtë periudhë zgjedhjesh: pandemia e COVID-it dhe protestat, në shumë raste të dhunshme nga demonstrues kundër praktikave policore dhe racizmit.

00:50 | Trump thotë se ka dalë mirë në gjithë SHBA

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur optimist për fitore në zgjedhjet.

“Jemi duke u dukur shumë mirë në gjithë vendin. Ju faleminderit”, ka shkruar Trump në Twitter.

00:44 | Biden: Le të bëjmë histori

Ish nënpresidenti Joe Biden, kandidat i socialistëve* (Partia Demokratike) në zgjedhjet presidenciale, para pak minutash ftoi amerikanët që të bëjnë së bashku me të histori, duke ndryshuar fatet e vendit me votë për të.

Biden, 77 vjeç, i cili prej 47 vjetësh ndodhet në politikën e lartë amerikane, kërkoi që sa më shumë njerëz të dalin në votime, ndërsa kutit mbyllen për pak kohë.

Përballë demokratit (Partia Republikane) Donald Trump, Biden në të gjitha sondazhet po kryeson.

* Shënim i NOA: Dy partitë kryesore në SHBA janë PR dhe PD. Republikanët përfaqësojnë demokratët e djathtë, ndërsa demokratët, përfaqësojnë socialistët e majtë. Partia Republikane është në të djathtë të spektrit politik dhe mbështet qëndrime që konsiderohen më konservatore, ndërsa demokratët janë në të majtë dhe mbështesin qëndrime më liberale.

00:27 Trump: Humbja nuk do ishte e lehtë

Ndërsa votuesit e fundit amerikanë po ju drejtohen qendrave të votimit, presidenti aktual Donald Trump ka pranuar se humbja e presidencës amerikane nuk do të ishte “e lehtë”. Ai citohet të ketë thënë se nuk kishte menduar për një fjalim fitoreje, ndërsa  iu drejtua anëtarëve të partisë në selinë e tyre në Arlington, Virginia.

Ndërkohë, sfiduesi demokrat Joe Biden u kthye në shtetin e tij në Pensilvani në një përpjekje të fundit për të fituar për ta kthyer shtetin blu dhe për të korrur 20 votat e tij të kolegjit elektoral.

Ai vizitoi shtëpinë tij të fëmijërisë, ndërsa shkroi: “Nga kjo shtëpi në Shtëpinë e Bardhë”.

Tani pritet që amerikanët do ta rizgjedhin Trumpin për një mandat të dytë, apo do ta bëjnë të ketë fatin e  George HW Bush, i cili në zgjedhjet e vitit 1992 nuk arriti të fitojë katër vjeçarin në Shtëpinë e Bardhë.

00:16 Dalin exit poll-et e para, tre çështjet ku bazohen amerikanët për votën e tyre

Kanë dalë rezultatet e para të Exit Polleve në zgjedhjet presidenciale të SHBA-ve. Siç raporton CNN, 34 për qind e amerikanëve që votuan sot theksuan se çështja më e rëndësishme është ekonomia, kurse 21 për qind theksuan se problemi më i madh është racizmi, kurse pandemia radhitej si problemi i tretë më i rëndësishëm.

Ndërkohë, të pyetur se cili duhej të ishte prioriteti më i rëndësishëm i Presidentit, 52 për qind kanë theksuar se ishte përballimi i Pandemisë, kurse 48 për qind janë shprehur se ishte ringritja e ekonomisë. Të pyetur se si po e përballon qeveria pandeminë, 48 për qind shprehen mirë dhe 52 për qind shprehen se po e menaxhon keq.

00:10 Kur pritet sivjet rezultati

Mund të duhen disa ditë për numërimin e votave, por zakonisht është e qartë se kush është fitues në orët e para të ditës që i pason zgjedhjet. Këtë herë, zyrtarët dhe analistët kanë paralajmëruar se mund të duhen ditë, e ndoshta edhe javë për rezultatin, për shkak të numrit të madh të votave me postë. Mbi 100 milionë amerikanë kanë votuar me postë, ose në vendvotime që janë hapur më herët.

“Asnjëherë në historinë e këtij qyteti nuk ka pasur kaq shumë votues që kanë votuar me postë”, ka thënë Jim Kenney, kryebashkiak i Filadelfias, qytetit më të madh të Pensilvanisë.

Shtetet kanë rregulla të ndryshme për mënyrën ose kohën kur i numërojnë votat me postë. Hera e fundit kur rezultati nuk ka qenë i qartë brenda pak orësh, ka qenë në vitin 2000, kur fituesi i zgjedhjeve, George W. Bush, nuk është konfirmuar derisa Gjykata Supreme ka marrë vendim, një muaj më vonë.

00:14 FBI heton telefonatat që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi

FBI ka nisur një hetim pas raporteve për thirrje të automatizuara telefonike, që u kërkojnë njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, në ditën e zgjedhjeve në SHBA.

Një zyrtar i lartë i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike i përshkroi thirrjet, të cilat janë raportuar në një numër shtetesh, si “kërcënim për votuesit” dhe “taktikë për shtypjen” e tyre.

Megjithatë, ai tha se incidente të ngjashme ka pasur edhe në zgjedhjet e kaluara.

Në Nju Jork, prokurorja e përgjithshme, Letitia James, tha se zyra e saj është duke hetuar “në mënyrë aktive” raportet për telefonatat që u bëhen banorëve.

“Votimi është një gur themeli i demokracinë sonë”, tha James.

“Përpjekjet për t’i penguar votuesit të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, janë zhgënjyese, shqetësuese dhe të gabuara. Për më tepër, janë të paligjshme dhe nuk do të tolerohen”, tha ajo.

Dana Nessel, prokurore e përgjithshme e Miçigenit, tha se ka pranuar raporte për telefonata që u bëhen banorëve në qytetin e Flintit, me kërkesën për të votuar të mërkurën, për shkak të radhëve të gjata.

“Padyshim që ky është mashtrim dhe përpjekje për të shtypur votën”, tha Nessel.

00:07 Biden: Nëse zgjidhem, do të jem president i të gjithëve

Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, premtoi se do të jetë president i të gjithëve nëse zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Ju premtoj, edhe pse garoj si demokrat krenar, nëse më zgjidhni mua, unë do të jem një president amerikan. Nuk do të ketë shtete të kuqe, ose të kaltra, vetëm Shtete të Bashkuara të Amerikës”, tha Biden.

Ai i bëri komentet para mbështetësve të tij në Filadelfia të Pensilvanisë, nga ku edhe e ka origjinën.

00:09 Fuqitë (dhe kufijtë) e presidentit amerikan

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në SHBA do të ketë një ndikim të madh në politikën e brendshme dhe të jashtme amerikane. Por, kjo nuk do të thotë se fituesi e ka gjithë fuqinë për t’i vënë në veprim planet e tij.

00.04 Koronavirusi – një pikë e nxehtë e zgjedhjeve në SHBA

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara zhvillohen në kohën e pandemisë së koronavirusit.

Vetë presidenti Donald Trump, i cili garon për mandatin e dytë, ka qenë i infektuar, por është shëruar.

Trump ka thënë se pandemia është drejt fundit, por sfiduesi i tij, Joe Biden, ka thënë se ajo po përkeqësohet dhe e ka akuzuar Trumpin për mungesë të strategjisë.

00.01 Ekonomia, tema kryesore që​ dikton votë​n e amerikanë​ve

Një e treta e votuesve amerikanë rendisin ekonominë të parën ndër çështjet kryesore që diktojnë zgjedhjen e tyre për president, sipas anketës me amerikanë që sapo kanë votuar, zhvilluar nga kompania Edison Research. Dy ndër dhjetë votues thonë se për ta COVID-19 është kryesorja, po ashtu dy ndër dhjetë rendisin pabarazinë racore, ndërsa të anketuarit e tjerë flasin për krimin, sigurinë dhe kujdesin shëndetësor. Sipas anketës, gjysma e të anketuarve e shohin si të rëndësishme vënien nën kontroll të pandemicë, edhe nëse masa të tilla dëmtojnë ekonominë.

23:43 Twitter bllokon llogari për "bashkëredim" postimesh mbi zgjedhjet

Platforma e medias sociale Twitter bllokoi të martën disa llogari të reja me prirje të djathta, që po postonin informacion mbi votimet në zona ku pritet të ketë garë të fortë mes kandidatëve presidencialë.

Twitter thotë se informacioni i postuar shkel politikat e kompanisë kundër “bashkërendimit” që nënkupton postimin në disa llogari të të njëjtit informacion, për të krijuar përshtypjen që individë të ndryshëm po postojnë në mënyrë të pavarur dhe pa lidhje me njeri-tjetrin.

Një nga llogaritë, SVNewsAlerts, kishte 69,000 pasues deri javën e kaluar. Kjo llogari shpesh ka paralajmëruar për trazira lidhur me zgjedhjet dhe për probleme lidhur me sigurinë e votës. Po ashtu në këtë llogari janë postuar pretendime të presidentit lidhur me mashtrime nga demokratët.

Llogari të tjera të bllokuara përfshijnë FJNewsReporter, Crisis_Intel dhe Faytuks.

23:34 Gjykatësi urdhëron shërbimin postar të kontrollojë për vota të pashpërndara

Një gjykatës federal urdhëroi shërbimin postar (USPS) të kontrollojë një sërë qendrash për fletë-votime të dërguara me postë, që mund të kenë mbetur pa u shpërndarë dhe t’i dërgojë ato menjëherë në qendrat zgjedhore përkatëse. Urdhëri i gjykatësit përfshin shtete të tilla si Pensilvania, Florida, Karolina e Jugut, Kolorado, Arizona, Alabama dhe Uajoming. Disa prej tyre janë shtete që mund të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve. Urdhëri i gjykatësit pasoi një njoftim të shërbimit postar se nuk ka arritur të skanojë për t’u shpërndarë brenda ditës së sotme rreth 300 mijë vota. Gjykatësi ka kërkuar që brenda orës 15 shërbimi postar të bëjë verifikimin se sa vota kanë mbetur pa u shpërndarë dhe të konfirmojë deri në orën 16:30 se asnjë votë nuk do mbesë pa u dërguar në destinacion.

21:38 Zyrtarët amerikanë shprehin besim tek siguria e zgjedhjeve.

Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha disa orë pas hapjes së qendrave të votimit se “nuk kemi të dhëna që ndonjë vend i huaj të ketë patur sukses në manipulimin ose ndryshimin e votave që janë hedhur”. Mbi 100 milionë amerikanë, ose mbi 75% e numrit të përgjithshëm të atyre që votuan në vitin 2016, morën pjesë në votimet e hershme, ose përmes postës, ose fizikisht, deri të martën në mëngjes. “Infrastruktura zgjedhore është e fortë”, tha zoti Wolf, duke shtuar se “gjithsesi ne jemi në gadishmëri të lartë”. Zyrtarët amerikanë kishin thënë ditët e fundit se ishin në dijeni të të paktën dy përpjekjeve për të hyrë në sistemet zgjedhore gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.

20:09 Kush e shpall fituesin e zgjedhjeve?

Shumë besojnë se fituesi i zgjedhjeve në ShBA përcaktohet kur shtypi shpall emrin dhe kur kandidati tjetër shpall humbjen. Por realiteti është ndryshe.

Shpallja zyrtare e fituesit është një proces disa mujor që nuk përfundon deri në janar.

Ditën e votimit, zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral, në dhjetor ata takohen dhe votojnë për presidentin dhe në janar, Kongresi certifikon rezultatin. Kjo ësht një formulë kompromisi e themeluesve të republikës, të cilët në atë kohë, nuk kishin besim tek votuesit për të zgjedhur një president të përshtatshëm.

19:46 Covid-19 komplikon procesin e numërimit

Këtë vit numërimi i fletë-votimeve do të kërkojë kohë për shkak të pandemisë dhe numrit të madh të votave të dërguara me postë.

Pasi të përfundojë numërimi në të 50 shtetet, çdo guvernator harton listën e “elektorëve” (anëtarëve të Kolegjit Elektoral për shtetin e vet). Kopja e listës i dërgohet drejtorit të Arkivave Kombëtare. Anëtarët e Kolegjit Elektoral të çdo shteti, mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre, për të votuar për presidentin. Kjo ndodh në dhjetor, të hënën, menjëherë pas të mërkurës së dytë të muajit. Këtë vit data është 14 dhjetor.

Çfarë duhet të dini

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 3 nëntor, mbahen zgjedhjet presidenciale.

Sistemi politik amerikan dominohet nga dy parti, andaj presidenti gjithmonë i përket njërës prej tyre.

Republikanët janë parti politike konservatore dhe kandidati i tyre në zgjedhjet e këtij viti është presidenti Donald Trump, i cili shpreson t’i sigurojë edhe katër vjet në pushtet.

Demokratët janë parti politike liberale dhe kandidat i tyre është Joe Biden, një politikan me përvojë, më i njohur për shërbimin e tij si zëvendëspresident në administratën e Barack Obamës.

Të dy kandidatët, në të 70-tat e tyre, garojnë për të fituar votat e kolegjit zgjedhor.

Secili shtet ka një numër të caktuar të votave të Kolegjit Zgjedhor, bazuar në popullsinë e tij.

Kolegji Zgjedhor ka gjithsej 538 vota dhe fitues i zgjedhjeve është kandidati që siguron 270 ose më shumë prej tyre. Fituesin nuk e përcakton vota e popullit.

Zgjedhjet në SHBA mbahen çdo katër vjet në të martën e parë të nëntorit dhe të drejtë vote ka secili shtetas amerikan mbi 18 vjeç.

Rezultati mund të dihet në natën e zgjedhjeve, por mund të marrë edhe ditë ose javë.

Presidenti i ri betohet zyrtarisht më 20 janar në një ceremoni që njihet si inaugurim.