Transmetuar më 04-11-2020, 02:33

Joe Biden: Karriera politike nga senator i Delauerit, deri në zëvendëspresident Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden po garon për herë të tretë për president në emër të demokratëve. Por kush është ai dhe çfarë fshihet pas përpjekjes së tij?

Një figurë e hershme e skenës politike në Uashington, Biden ka kredenciale të forta sa i përket politikës së jashtme. Gjithashtu, i njohur ndryshe si “njeriu i klasit të mesëm”, ai u përpoq të siguronte mbështetjen e qytetarëve të bardhë, që nuk e parapëlqenin figurën e Barack Obamës në 2008-n.

Senator me 6 mandate nga shteti i Delauerit, Biden u zgjodh për herë të parë në vitin 1972. Ai garoi për herë të parë për president në vitin 1988, por u tërhoq pasi pranoi se kishte kopjuar një fjalimi nga lideri i atëhershëm i laburistëve britanikë, Neil Kinnock.

Qëndrimi i tij i gjatë në kryeqytetin amerikan u ka dhënë kritikëve material të bollshëm për ta sulmuar.

Në hapat e para të karrierës, ai u rendit përkrah komunitetit me ngjyrë që kundërshtonte urdhrin e gjykatës që autobusi i shkollave të ishte vetëm për nxënësit e bardhë.

Ndërkohë, si kryetar i komisionit gjyqësor të Senatit në vitin 1991, ai mbikëqyri vendimet e Gjykatës Supreme.

Biden ka qenë gjithashtu një avokat i spikatur i draftit antikrim të vitit 1994, që sipas një pjese të së majtës, inkurajoi dënimet e gjata dhe burgimet në masë.

Të dhënat në fjalë e kanë bërë ish-zëvendës presidentin e moderuar të konsiderohet jo pak herë i papërshtatshëm për Partinë Demokratike moderne.

Sidoqoftë, si senator, ai ka qenë një zë i theksuar në Kongresin amerikan kundër agresionit të Sllobodan Millosheviçit. Ai mbrojti interesat e Kosovës atëherë kur vëmendja e gjithë botës ishte tjetërkund.

Gjithashtu, Biden ishte njeriu që prezantoi rezolutën 1999, që autorizonte presidentin Clinton të kryente operacione ushtarake ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë. Ai mobilizoi mbështetjen për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit etnik të kosovarëve nga trupat e Millosheviçit.

Biden ka qenë gjithashtu njeriu që mbështeti dhe mbrojti pavarësinë e Republikës së Kosovës, që sipas tij është e pakthyeshme dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ai gjithashtu ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës, përfshirë llogaridhënien për personat e zhdukur.

Ndërkohë, gjatë presidencës së Barack Obama ai u dallua për strategjitë e administratës së atëhershme për Irakun dhe Afganistanin, me qëllim uljen e dhunës dhe vendosjes së stabilitetit politik.

Gjithashtu, ai mbikëqyri shpenzimet për infrastrukturën në paketën stimuluese të Obamës, që synonte kontrastin ndaj recesionit të vazhdueshëm dhe menaxhoi situatën e krijuar nga papunësia e lartë.

Në mars të 2011-s, Obama i delegoi atij përgjegjësinë për të udhëhequr negociatat mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë për zgjidhjen e çështjes së nivelit të shpenzimeve federale.

Tani, si kandidat për kryetar shteti, Biden ka premtuar mes të tjerash se do të luftojë ndryshimet e klimës, duke rikthyer Shtetet e Bashkuara në Marrëveshjen e Parisit; se do të ndryshojë ligjin e administratës Trump për shëndetësinë, se do të ndalojë ndërtimin e murit me Meksikën dhe, mbi të gjitha, se do të ripërtërijë marrëdhëniet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë.